Hulumtimi i Buletinit: KIESA “pezullon” bashkëpunimin me “kompanitë” kroate të stendave

Në panairin “Fruit Logistica” i cili po mbahet këtë muaj në Gjermani, shteti i Kosovës është paraqitur për herë të parë që nga viti 2018, me stendë të re.

Agjencia për Investime – KIESA, kësaj radhe nuk i ka angazhuar “kompanitë” kroate Mirt Interijer dhe Kan-Construct Fair për ndërtimin e stendave në këtë panair, siç ka bërë nga viti 2018 deri me 2023.

Stenda e Kosovës në panairin “Fruit Logistica 2024”. Foto: Arra&Lajthi

Nga viti 2018 deri në vitin 2023, prapa ndërtimit të stendës “shabllon” të Kosovës në “Fruit Logistica”, qëndrojnë “dy” kompanitë kroate.

Reklama e sponzorizuar
Stenda e Kosovës në Fruit Logistica 2022. Foto: KIESA
Stenda e Kosovës në panairin “Fruit Logistica 2023”. Foto: KIESA

U.d. i drejtorit të KIESA-s, Zef Dedaj, e ka konfirmuar për Buletinin Ekonomik, se bashkëpunimi me kroatët për momentin është “pezulluar”, pas publikimit të hulumtimit.

Dedaj, kur është pyetur se pse ka ndryshuar stenda në “Fruit Logistica” ka thënë se “përderisa e kemi një problem nuk do të thotë që nuk duhet me e vazhdu procesin e pjesëmarrjes në panaire”.

“Unë e dhashë përgjigjen, kom kërku që të rritet numri i kompanive vendore por edhe numri i ndërtuesve. Edhe jo patjetër duhet me u vazhdu me këto dy kompani përderisa është çështje që po diskutohet se si ka ardhë angazhimi i tyre në vitin 2018, tani rrjedhimisht edhe unë si drejtor – reflektoj”, ka deklaruar Dedaj.

Ai ka thënë se ka çështje që nuk pajtohet me hulumtimin e publikuar por ka shtuar se “jam vigjilent me i marrë parasysh çështjet sensitive, prandaj edhe derisa kemi një hipotezë të pavërtetuar, unë nuk do të thotë që duhet me e vazhdu procesin (me të njëjtat kompani) përderisa kemi një “dispute” (kontest).”

Dedaj ka paralajmëruar angazhimin e kompanive tjera për ndërtim të stendave, duke mos përjashtuar edhe kompanitë vendore, nëse sipas tij, “shprehin interesim”.

“Nëse ka dyshime të vërteta, se po flasim për hipoteza të pavërtetuara, jo sivjet por kurrë sa të jem unë në KIESA nuk do të jenë më ato (kompanitë kroate), por gjithsesi mbetet të analizohen edhe më tej”, ka vazhduar Dedaj.

Ai thotë se “kompanitë kroate i ka trashëguar nga viti 2018”, por sipas tij “nuk do të thotë se duhet me vazhdu ende me to”.

“Unë e kam thënë në media dhe po e përsëris, nuk kam dyshime që këto dy kompani janë angazhu me qëllime të caktuara, në të kundërtën nëse vërtetohen këto dyshime, unë do të jem ai që do të thërrasë hetim zyrtar për këtë rast”.

Buletini Ekonomik së fundmi ka publikuar një seri të shkrimeve lidhur me pjesëmarrjen e Kosovës në panaire ndërkombëtare gjatë periudhës 2018-2023. Në rreth 50 panaire sa mori pjesë Kosova gjatë kësaj përiudhe, në mbi 90 për qind të rasteve – stendat u ndërtuan nga kompanitë kroate Mirt Interijer dhe Kan-Construct Fair.

Hulumtimi zbulon se prapa kompanisë Kan-Construct Fair qëndron kompania Mirt Interijer, e cila fillimisht ishte angazhuar nga KIESA. Përveç kompanive, nga hulumtimi, del se kompanitë kroate aplikuan edhe “çmime stratosferike” për ndërtim të stendave, në raste edhe deri në 600 % më shtrenjtë se çmimet e tregut. /Buletini Ekonomik/