Kosova në vitet e ardhshme rrezikon të mbetet pa mjekë e infermierë. Ikja e tyre po rritet për çdo ditë. Vetëm këtë fillimvit, 20 nga ta, po e lënë vendlindjen. Kurse, 150 mjekë tashme ia kanë kthyer shpinën Kosovës dhe kanë filluar punë të re në shtete të Evropës.
Brenda këtij fillimviti, 20 mjekë e kanë kërkuar dokumentacionin e nevojshëm pranë Odës së Mjekëve të Kosovës për largim drejt shteteve perëndimore, kryesisht në Gjermani.
Kurse, gjatë vitit të kaluar 150 të tjerë veç kanë ikur nga Kosova.
Nga Oda e Mjekëve të Kosovës kanë treguar se trendi i ikjes se mjekeve është shqetësues, sipas tyre brenda dy vitesh do të vërehet mungesa e tyre në nivelin terciar.
“Këto një muaj e gjysmë të këtij viti janë 20 kolegë tanë të cilët vetëm se kanë marrë dokumentacionin e duhur që të nënshkruajnë kontrata me shtetet e Perëndimit, në këtë rast shumica në Gjermani. Disa prej tyre janë në ditët e fundit apo javët e fundit në largim. Trendi është i njëjtë si vitet e kaluara që fatkeqësisht mund të them që brenda dy viteve do të ndihet mungesa e tyre në nivelin terciar, në nivelin primar vetëm se është duke u ndjerë”.
Sipas Odës së Mjekëve krejt kjo po behet për shkak te keq menaxhimit dhe politikes së gabuar.
“Është një problem menaxherial gjithashtu edhe politik. Ne i kemi afër 440 mjek të pa punë të cilët presin të punësohen, sistemi primar nuk e bënë atë që duhet bërë t’i pranonte ata në punë e t’i shpërndanë ata. Momentalisht mjeku është në pozitë të keqe, nuk ka vende pune, janë në presion të largohen nga Kosova nga vetvetja flasë, nuk shohin një perspektivë”.
Rreth 150 mjekë janë larguar nga Kosova dhe vendi punës vetëm në vitin 2023.
Arsyet e largimit thuhet të jenë kushtet jo të mira të punës dhe pagat e ulëta.
Për ikjen e tyre ka pasur reagime të shumta nga opozita në Kosovë.
Ish-ministri i Shëndetësisë, tash deputet i Lidhjes Demokratike, Armend Zemaj, fajin për këtë e hedh te qeveria aktuale.
“Qeveria më shumë ka qenë e interesuar të ndërhyjë dhe imponoj njerëz nëpër Klinika dhe spitale të cilët kanë qenë në ndërrime e largime të mëdha, sesa përfaqësim të denjë dhe menaxhim të mirë të institucioneve shëndetësore. Nga kjo klimë ka vazhduar edhe ikja sidomos nga mosplotësimi i kushteve të punës në pjesën e infermierisë e mos të flasim për mjekët ku ikja e tyre është në rritje edhe këtë vit fatkeqësisht nga kjo gjendje që krijuar viteve të fundit”.
Përveç kapaciteteve njerëzore, deputeti i Aleancës, Shemsedin Dreshaj, thotë se po mungojnë edhe investimet në sektor.
“Ndërsa sa i përket sektorëve të ndjeshëm, që e brengosin komplet qytetarin dhe shoqërinë e vendit, siç e sheh mundësia siç është arsimi, siç është infrastruktura, siç janë projektet kapitale, kjo qeverisje nuk ka treguar efikasitetin e duhur, as për së afërmi atë çka e shprehin”, tha Dreshaj.
Ndërsa Bekim Haxhiu i Partisë Demokratike, po e kritikon pushtetin edhe për vonim të miratimit të ligjeve që lidhen me shëndetësinë.
“Dështim në miratimin e strategjisë për shëndetësi, për tri vite nuk kanë qenë të aftë të miratojnë një strategji për shëndetësisë, për tri vite nuk kanë qenë të aftë që dy ligjet bazike për shëndetësi të cilat i kanë proklamuar vetë. Deri sa nuk kanë qenë të aftë të miratojnë as ligj për tri vite si mund të presim nga këta që mund të bëjnë diçka tjetër”.
Dy javë më parë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një paraqitje para komisionit parlamentar deklaroi se gjatë këtij viti synon përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në spitale, derisa paralajmëroi se së shpejti do ta nis edhe ligjin e ri për sigurime shëndetësore.
Llogaritet se në tri vitet e fundit Kosovën e kanë braktisur mbi 600 mantelbardhë.
Ikja e tyre po behët për shkak të pagave të ulëta. Sipas të dhënave, paga bruto (e pataksuar) e mjekëve në Kosovë është 610 euro, derisa shembull në Gjermani, ata paguhen deri në 4000 euro.
Ndryshe, sipas odave të profesionistëve shëndetësorë, në Kosovë ka 24 mijë e 92 punonjës shëndetësorë të licensuar dhe prej tyre 14 mijë e 966 janë gra dhe 9 mijë e 126 burra.