Në këtë vit, kur realisht pritej të ketë zbritje çmimesh, sikundër në të gjithë globin, këtu në Kosovë, çmimet e konsumit brenda një muaji janë ndjeshëm më të larta se sa në muajin paraprak. Pra, nuk bëhet fjalë për periudhë tremujore, gjashtëmujore apo një vjet, por është evidentuar me të dhëna zyrtare ngritja e çmimeve të konsumit në janar, krahasuar me muajin paraprak, dhjetorin e 2023-të. Ndërsa realisht, të dhënat statistikore të janarit, tani në shkurt dalin të jenë të vjetëruara, sepse deri në këto ditë të këtij muaji shkurt, kanë ndodhur edhe një varg çmimesh të ringritura të produkteve të konsumit.
Buletini Ekonomik
Në Kosovë, vazhdojnë të ngriten çmimet e shumicës së mallrave, e sidomos të produkteve të konsumit. Në këtë vit, kur realisht pritej të ketë zbritje çmimesh, sikundër në të gjithë globin, këtu në Kosovë, çmimet e konsumit brenda një muaji janë ndjeshëm më të larta se sa në muajin paraprak.
Pra, nuk bëhet fjalë për periudhë tremujore, gjashtëmujore apo një vjet, por ngritja e çmimeve të konsumit në janar, krahasuar me muajin paraprak, dhjetorin e 2023-tës, është 1,8 për qind. Ndërsa realisht, të dhënat statistikore tani në shkurt dalin të jenë të vjetëruara, sepse deri në këto ditë të muajit shkurt, kanë ndodhur edhe një varg çmimesh të ringritura të produkteve të konsumit. Edhe në këto ditë po dëshmohet njëtrajtshmëria e ngritjes artificiale të çmimeve. Ndërsa, në statistikat e ASK-së, këto që janë bërë publike ditë më parë, nuk figurojnë fare çmimet e ngritura me përqindje të mëdha të artikujve të higjienës.
Tani, çmimi i një sapuni të ngurtë të prodhuesit italian “Palmolive”, që është bërë popullor në Kosovë, para së gjithash për shkak të çmimit të pranueshëm, ka shkuar në “statosferë”. Vjet deri vonë ky sapun tregtohej në marketet dhe supermarketet e Kosovës me 40 centë, ndërsa sot çmimi i tij ka arritur në 69-75 centë. Por, nuk është vetëm ky produkt me çmim kaq vrullshëm të ngritur. Edhe shumë artikuj të tjerë të higjienës kanë çmime të reja ndjeshëm më të larta se sa para një muaji. Këtu nuk mund të bëhet fjalë, pra për ngritje çmimesh 1, 8 për qind brenda një muaji. Llogaritë e thjeshta tregojnë se ngritja e këtij produkti është te 40 për qind e përtej.
Sidoqoftë, sipas ASK-së, Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1,8 për qind në muajin janar 2024, krahasuar me muajin janar 2023. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: pemë (13,6%); peshk (9,7%); perime (9,3%); energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (7,5%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (7,2%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (7,0%); prodhime ushqimore (6,5%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (6,1%); gazeta, libra dhe materiale për zyrë (5,3%); qelqurina, takëme dhe mjete të kuzhinës (5,3%); veshje (3,8%); shërbime hoteliere (2,9%); kafe, çaj dhe kakao (2,9%); duhan (2,7%); bukë dhe drithëra (2,0%); dhe mish (1,4%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2,8% në IHÇK.
Në Kosovë, siç po shihet, ka ngritje çmimesh, sidomos në produktet e konsumit, të cilët edhe kanë ndikimin më të madh në ç’ekulibrimin e mirëqenies dhe të ekuilibrit social të shtetit. Tregtarët kosovarë, fundja, asnjëherë në këto vitet e pasluftës, nuk e kanë pasur ndjenjën për gjendjen sociale të kosovarëve të varfër numerikisht. Ata, në radhë të parë, kanë bërë llogari për t’u pasuruar sa më shumë dhe sa më shpejtë edhe me marzha enorme dhe jashtë logjikës të larta të fitimit.
Në anën tjetër, institucionet shtetërore, me vëmendje të përqëndruar me përparësi te situatat politike të ndërlikuara në veri të vendit dhe në tensionimet me Serbinë, gjithnjë, sikundër edhe tani kanë margjinalizuar tërësisht komsumatorët kosovarë si dhe mbrojtjen e tyre nga çdo tentativë dhe përpjekje abuzive të tregtarëve të prirur për manipulime dhe keqpërdorime tregtimi, qoftë me çmime, sasi apo cilësi të produkteve të tyre.
Kosova ka miratuar Ligjin mbrojtjen e konsumatorëve në qershor të 2004-tës dha ai i përfshin të drejtën e informimit, sigurisë, të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u dëgjuar. Por, edhe legjislacioni në fuqi në Kosovë, akoma, sot e kësaj dite, është shumë larg së bashkëjetuari me konsumatorin kosovar. Ata akoma, sot e këtu, as që i pyet ndokush për ndonjë gjë, për ndonjë proces të ecurive të konsumit, të ecurive të çmimeve, të tregtimit të produkteve me afate të skaduara dhe me cilësi të diskutueshme.
Sipas Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), objektiva e dytë e BQK-së është ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Por, që nga fillimi i pandemisë e deri tani, as BQK-ja nuk ka bërë asgjë në stabilizimin e çmimeve. Nuk ka bërë asgjë thuaja për të ndalur kaosin dhe anarkinë në ecuritë e çmimeve në Kosovë as Agjencia Kosovare e Konkurrencës, as ministrja Rozeta Hajdari, as Artane Rizvanolli dhe as Qeveria e Kosovës si tërësi institucionale. Dhe, konsumatori i varfër kosovar, vazhdon të përballet me çmimet rekorde-më të lartat në rajon dhe përtej, të cilat i aplikuan tregtarët e Kosovës me pranimin në heshtje të dorës së shtetit. Dhe të gjitha këto kanë mundur të bëjnë diçka dhe jo vetëm të konstatojnë problemin, siç është bërë tashmë praktikë e institucioneve tona.
Institucionet e shtetit kanë pasur mundësi që me shkëndijat e para të shpërfaqjes së ‘shpërthimit” nga ngritja artificiale dhe e vrullshme e çmimeve, t’i zbusin, diku-diku edhe t’i parandalojnë dhe t’i frenojnë së paku. Të gjitha këto veprime, paraprakisht i bënë, siç dihet, shumë shtete, edhe ato rreth e qark Kosovës. Shembull Maqedonia e Veriut për një kohë të caktuar kishte ngrirë paraprakisht çmimet e shumë produkteve elementare ushqimore, Serbia aplikoi tavanin në çmimet e bukës dhe të derivateve deri në prill, Hungaria e kishte të përkufizuar poashtu ngritjen e çmimeve të derivateve të naftës, e kështu me radhë.
Përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekonomistë të shumtë, nuk është që nuk kërkuan bukur herët nga Qeveria e Kosovës të vendosë masa për t’i mbrojtur qytetarët nga rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe karburanteve në tregun vendor dhe për të rritur angazhimin për monitorimin e tregut. E kërkuan ndërmarrjen e masave edhe ekspertët dhe njohësit e rrethanave të ecurisë së lëkundjes së çmimeve. Por, këto kërkesa, praktikisht ranë në “vesh të shurdhër”. Nuk u ndërmorrë asgjë, dhe prandaj Kosova vazhdon të ketë çmimet më të lartat në Ballkan dhe përtej, por edhe varfërinë më të madhe në rajon. /Buletini Ekonomik/