Pavarësisht se borxhi publik i Kosovës vazhdon të jetë më i ulëti karshi shteteve të rajonit dhe përtej, dhe pavarësisht mburrjes së qeveritarëve dhe ministrit të Financave, Hekuran Muratit se “në fund të vitit 2023 niveli i borxhit publik është përgjysmë më i ulët sesa po të ishin qeveritë tjera”, njohës të ecurive financiare të vendit dhe politikanë nga radhët e opozitës, e bëjnë të diskutueshme çështjen e borxhit publik në vend duke kritikuar qeverinë aktuale se “pa pasur asnjë krizë buxhetore, ka marrë borxh për skema sociale dhe për shkrimin e ligjeve”.
Buletini Ekonomik
Këto ditë, sërish është rikthyer në qendër të vëmendjes, debateve dhe polemikave – niveli aktual dhe ndër vite i borxhit publik të vendit, ndër autoritetete dhe zyrtarë qeveritar si dhe përfaqësues të asociacioneve të ndryshme ekonomike, të njohësve të këtyre zhvillimeve dhe posaçërisht të përfaqësuesve të opozitës. Në gjithë këto debate dhe pikëpamje të bëra publike nga të dy palët, dominojnë mendime të ndryshme dhe goxha divergjente. Zyrtarët aktual, me mburrje apostrofojnë faktin se Kosova është bërë shteti me nivelin më të ulët të borxhit shtetëror në Evropë, ndërsa pala tjetër i bënë të diskutueshme shifrat më të fundit të borxhit publik në Kosovë.
Me fjalë të tjera, pavarësisht se borxhi publik vazhdon të jetë ndër më të ulëtit karshi shteteve të rajonit dhe përtej, dhe pavarësisht mburrjes së qeveritarëve dhe ministrit të Financave, Hekuran Muratit se “në fund të vitit 2023 niveli i borxhit publik është përgjysmë më i ulët sesa po të ishin qeveritë tjera”, njohës të ecurive financiare të vendit dhe politikanë nga radhët e opozitës e bëjnë të diskutueshme çështjen e borxhit publik në vend duke kritikuar qeverinë aktuale se “pa pasur asnjë krizë buxhetore, ka marrë borxh për skema sociale dhe për shkrimin e ligjeve”.
Ndërkohë, ministri i Financave, Hekuran Murati, pas publikimit të të dhënave për borxhin publik në fund të gjashtëmujorit të parë të sivjetshëm, në një postim të vetin në rrjetet sociale, pasi ka njoftuar se “Kosova është bërë shteti me nivelin më të ulët të borxhit shtetëror në Evropë”, ka thënë se “falë disiplinës fiskale e menaxhimit të parasë publike, është arritur që të ndryshohet trendi i borxhit shtetëror, duke u kthyer sërish në nivele të para pandemisë.
“Një konsolidim i tillë është vlerësuar lart edhe nga institucionet ndërkombëtare. Ky konsolidim së pari e mban nën kontroll koston e kamatave, sepse sa më pak borxh aq më pak pagesë e kamatave, dhe së dyti na mundëson kushte më të favorshme financimi për huamarrjet e reja në krahasim me të tjerët, sepse kemi dëshmuar qëndrueshmëri dhe mirëshpenzim të parasë publike”, kishte shkruar ministri Murati.
Edhe të martën që shkoi (27 shkurt 2024), ministri i Financave, Punëve dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë, jo me pak mburrje, se Qeveria e Kosovës ka pasur menaxhim të mirë me financat publike teksa ka folur për borxhin publik. Murati ,duke iu përgjigjur deklaratave të deputetit nga radhët e LDK-së, Avdullah Hotit, se ”Qeveria Kurti ka dështuar sa i përket borxhit publik”, ka thënë se “në fund të vitit 2023 niveli i borxhit publik është përgjysmë më i ulët sesa po të ishin qeveritë tjera”.
Por, pa humbur kohë, po të njëjtën ditë, ka reaguar edhe deputeti nga radhët e LDK-së dhe ish-kryeministri, Avdullah Hoti, duke përgënjeshtruar “mburrjet” e ministrit Murati, dhe me shifra konkrete ka prezentuar, sipas tij, “dështimet me borxhin shtetëror të Kosovës 2021-2023” Sipas Hotit, asnjëri nga tre indikatorët kryesorë të borxhit shtetëror nuk është përmirësuar gjatë qeverisjes aktuale.
Për korrektësi, sipas ish-kryemnistrit, krahasimet duhet të bëhen mes vitit të para pandemisë 2019 dhe vitit 2023: Borxhi shtetëror si përqindje e PBB-së: 17.63% në 2019 dhe 17.19% në 2023; Koha mesatare deri në maturim të borxhit: 5.29 vite në 2019 dhe 5.72 vite në 2023 dhe norma mesatare e interesit: 2.16% në 2019 dhe 2.44% në 2023.
Avdullah Hoti vlerëson se edhe “disbursimi i mjeteve nga marrëveshjet e borxhit gjatë viteve 2021-2023 ka qenë shumë jo-efektiv. Vetëm gjatë vitit 2023, janë ratifikuar 8 marrëveshje në vlerë 288 milionë euro, prej të cilave 5 nuk janë as efektive ende. Vonesat në disbursim kanë ekzistuar edhe në të kaluarën, por në këtë mandat ka përkeqësim”.
Si parim, thotë Hoti, borxhi shtetëror merret për projekte kapitale që përdoren për dekada dhe kthehet nga përfitimet që vijnë nga shfrytëzimi i atyre projekte. Por qeveria aktuale, pa pasur asnjë krizë buxhetore, ka marrë borxh për skema sociale dhe për shkrimin e ligjeve. Kjo është në kundërshtim me parimet e financave publike. Kjo, sipas Hotit, tregon mungesën e strategjisë kombëtare që përcakton dy çështjet kryesore të borxhit shtetëror: (i) kur merret borxhi shtetëror dhe në çfarë shume dhe (ii) cilat janë projektet që financohen me borxh shtetëror.
Hoti ka rikujtuar se “në Qeverinë Mustafa ishte themeluar Komiteti i Investimeve, që bashkë-kryesohej nga Ministri i Financave, i cili shqyrtonte kërkesat e ministrive dhe komunave për financim të projekteve përmes borxhit. Nëse projekti miratohej, Ministria e Financave merrte përsipër gjetjen e financimit më të përshtatshëm”.
Ish- kryeministri ka theksuar në polemikën e tij se “gjatë vitit 2023, janë anuluar 5 nga 11 ankandet e letrave me vlerë për huazim në tregun e brendshëm. Ky është sinjal i keq për tregun e brendshëm financiar, sepse krijon pasiguri dhe pamundëson planifikimet adekuate të portfoliove kreditore të bankave komerciale për ekonominë dhe familjet”.
Pokështu, Hoti ka konkluduar se “vlerësimi kreditor shtetëror i Kosovës do të duhej të ishte kryer gjatë këtij mandati. Ai as nuk ka filluar. Ky vlerësim kryhet nga agjenci ndërkombëtare të vlerësimit dhe ka për qëllim të përcaktojë gjasat që një vend të mos paguajë borxhet. Ky vlerësim i hap Kosovës mundësinë për qasje në fondet e jashtme nga më të ndryshmet, përfshirë investimet e jashtme. Ky lloj vlerësimi është i rëndësishëm edhe për bankat komerciale për qasje në fonde të jashtme më të favorshme për kreditin e ekonomisë dhe familjeve në Kosovë”.
Edhe komuniteti i biznesit dhe ekspertë të ekonomisë nuk shprehen edhe aq të entuziazmuar për uljen e borxhit publik në raport kaq të madh me Bruto Produktin Vendor (BPV).
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna kishte thënë kohë më parë në një prononcim për medie, se Qeveria e Kosovës nuk duhet të mburret me nivelin e ulët të borxhit. Ai ka kërkuar nga ekzekutivi që të rritet niveli i huas për projekte konkrete që ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në ngritjen e mirëqenies sociale. Sipas kryetarit Rafuna, Kosova mund të hyjë borxh deri në 60 për qind të GDP-së.
“Ligji për Borxhin Publik e lejon deri në 40 për qind të Bruto Produktit Vendor. Kurse, Kosova bazën që e ka pa asnjë problem mundet me shku deri 50-60 për qind me ngritë borxhin publik. Asnjë shtet në histori, jo i Ballkanit, Evropë dhe Botë nuk është zhvilluar pa borxh”, është shprehur ai.
Ndërkohë, njohësit e ekonomisë dhe e obligimeve financiare kërkojnë kujdes ndaj obligimeve, sidomos me borxhe të jashtme, duke theksuar se sado që borxhi i përgjithshëm public i Kosovës është i vogël dhe goxha i përballueshëm lehtësisht edhe për Kosovën e varfër, shteti ynë megjithatë duhet të ketë shumë kujdes kur ngarkohet me borxhe të reja. Ato, duhet kthyer domosdo, dhe ngarkesat e mëdha, që do të ishin jashtë mundësive reale të Kosovës me ekonomi akoma të brishtë, fare lehtë mund ta destabizojnë sistemin financiar të vendit.
Edhe Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) rekomandon se “qeveria duhet të sigurojë që para se të merren vendimet për financimin e projekteve me huamarrje, të jenë bërë analiza të hollësishme me qëllim të shfrytëzimit sa më efikas të këtyre fondeve”.
Të rikujtojmë, se sipas të dhënave zyrtare të institucioneve përkatëse të vendit, në fund të gjysmës së parë të këtij viti, në terma absolut, borxhi publik i Kosovës saktësisht ishte 1.67 miliardë euro, duke shënuar rënie për 2.5 për qind krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2022. Siç ka raportuar më herët Buletini Ekonomik, ulja e borxhit publik, sipas analizave dhe vlerësimeve të ndryshme, kishte të bënte me uljen e borxhit të brendshëm publik me 11.2 për qind, duke arritur nё 1 miliardë euro, ndërsa borxhi i jashtëm publik shënoi rritje prej 14.7 për qind dhe arriti në 663.9 milionë euro.
Borxhi i jashtëm publik përbëhet nga detyrimet ndaj Agjencisë Ndërkombëtare për Zhvillim (36 për qind), Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (14 për qind), Fondit Monetar Ndërkombëtar (8 për qind), etj. Ndërsa, borxhi i brendshëm përbëhet kryesisht nga borxhi i Qeverisë së Kosovës ndaj fondeve pensionale (48 për qind), bankave komerciale (22 për qind), institucioneve publike (22 për qind), etj.
Sipas këtyre të dhënave, borxhi publik (1.67 miliardë euro ) ra në 17.3 përqind të Bruto Prodhimit Vendor (BPV-së), krahasuar me të njëjtën periudhë kur ishte 1, 69 miliardë, ose 20,8 për qind të BPV-së. Ky nivel i borxhit publik është larg nga pragu i paraparë me ligj, që është 40 për qind e BPV-së.
Në bazë të të dhënave të deritashme, Kosova në 5-6 vjetët e fundit, vazhdimisht është shquar me borxh të ulët publik, edhe në krahasim me BPV-në, por edhe me shtetet e rajonit dhe të botës. Sipas shifrave konkrete, më 2018 bie fjala, Kosova kishte nivelin e borxhit public 17,04 për qind të BPV-së, më 2019 – 17, 63 për qind, më 2020 – 22,44 për qind, më 2021 – 21,53 për qind, më 2022 – 19,91 për qind dhe në fund të gjashtëmujorit të parë të 2023-tës – 17,30 për qind të BPV-së. /Buletini Ekonomik/