Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është deklaruar sërish mbrëmë lidhur me procesin e këmbimeve të pronave. Ai ka insistuar se procesi, i cili thotë se ka filluar në qeverisjen e kaluar, për këmbimin e pronës komunale te zona Prishtina e Re me tokat e pronarëve privatë te Liqeni i Badocit, është i ligjshëm.
Rama ka thënë se ka qenë Ministria e Financave që ka vlerësuar tokat dhe se vlerësimi është bërë para se ai të bëhej kryetar i Prishtinës. Sipas tij, Ministria në atë kohë e kishte vlerësuar pronën 13 hektarëshe në afërsi të liqenit me 8 milionë euro, e atë komunale 6.6 hektarë me 3 milionë euro, raporton Express.
“Ka opinione të ndryshme, por faktet janë fakte. Edhe faktet thonë poashtu që një tokë e cila në qeverisjen e kalume është vlerësuar, prej ministrisë faktikisht është vlerësu 8 milionë, 13 hektarë afër liqenit janë vlerësuar 8 milionë. Edhe ministria i ka kërku komunës prapë në qeverisjen e kaluar për me shty procesin sepse e ka ndalë sepse kjo pronë ka pas leje ndërtimi, kushte ndërtimi dhe për shkak të presionit publik ka thanë ndalone dhe mos ndërtoni aty dhe e ka vlerësu tokën, ka thanë ta ndërrojmë ose ta dhajmë tokën diku tjetër sepse e kanë prononcu si pronë me interes publik, për mos me u ndërtu përreth liqenit për me mbrojtë ujin. Kjo ka qenë arsyeja pse e kanë ndalë. Edhe i kanë thanë po ta ndërrojmë, po ta dhajmë diku tjetër. Vendin ku ia ka dhanë tash të ri, prapë Ministria…Komuna ka propozu me ia dhanë diku 6.6 hektarë për me ndërru 13 hektarëshin. Ministria atë e ka vlerësu si 3 milionë, Ministria e ka vlerësuar tokën e komunës 6.6 hektarë 3 milionë, Ministria e ka vlerësu tokën private 13 hektarëshe 8 milionë. Aty s’ka pas punë Përparim Rama apo Kuvendi Komunal, dmth dyjat kanë qenë të Ministrisë”, ka deklaruar Rama.
Tutje Rama ka thënë se nga ministria është kërkuar që të shtyhet procesi përpara, për të vazhduar me shpronësime. Në atë kohë, Rama ka thënë se nuk ka qenë kryetar e as që ka pasur ambicie për një pozitë të tillë.
“Momenti kur kjo është vlerësu 3 milionë, kanë mbetë edhe rreth 5 milionë për me u shpronësu dhe kanë kërku me vazhdu procesin për me shpronësu të gjithë tokën e cila tash është për interes publik. Një parcelë me pamje nga liqeni, dmth një parcelë që në të gjitha vendet e botës njihet si një parcelë superekskluzive me kushte të ndërtimit, me u ndërru… Unë as që kam qenë kryetar atëherë, as që kam mendu me qenë. Nuk kam qenë unë kryetar atëherë e as nuk i kam marrë vendimet që një tokë me ia dhanë vleftën…Unë kam qenë si arkitekt, në momentin kur unë e kam përfunduar atë, ka përfundu puna ime aty”, ka thënë Rama.
Për atë se dy pronarët e tokave kanë qenë më herët ish-klientë të tij, Rama ka thënë se ai ka qenë vetëm arkitekt në atë projekt dhe se aty ka përfunduar puna e tij.
“Unë nuk kam qenë pjesë e proceseve më pas çka ka ndodhë, kur ia kanë ndalu, kur ia kanë heq kushtet, kur ia kanë vlerësu tokën, kur i kanë thanë ministria komunës ndërroja tokën jepja diku tjetër, kur pastaj kanë vlerësu 6.6 hektarëshin si 3 milionë, ndërsa 13 hektarëshin si 8 milionë, kur kanë mbetë edhe 5 milionë për me ia zhvlerësu. Po ashtu pjesa tjetër që ju e cekët, nuk kemi thënë ne ndërroj 8 hektarë me 20 hektarë…në dokument thotë pjesë e 20 hektarëshit jo 20 hektarë edhe ky proces nuk ka përfundu, ministria vendos se sa”, ka deklaruar tutje ai.