Rritet ndjeshëm numri i shpalljeve për punë në Kosovë por papunësia mbetet e lartë

Sipas të dhënave të kompanisë “KosovaJob”, numri i shpalljeve është rritur për 17 për qind në vitin 2023 në krahasim me vitin e kaluar.

Në një përgjigje zëdhënësja për informim, Gili Hoxhaj, ka bërë të ditur se numri i shpalljeve të vendeve të punës gjatë viti 2022 ka qenë 5 mijë e 393 shpallje.

Ndërsa në vitin 2023, numri i tyre është rritur për mbi 1 mijë shpallje apo në total 6 mijë e 493 shpallje.

Reklama e sponzorizuar

“Numri i shpalljeve është rritur për 17% në vitin 2023, krahasuar me vitin paraprak. Në vitin 2022 kemi pasur 5393 shpallje që janë publikuar kurse në vitin 2023 kemi pasur 6493 shpallje.” – ka thënë ajo.

Ndërsa, sektorët që prijnë me numrin e shpalljeve për vende pune janë, sektori i shitjeve, gastronomia, administratë e te tjera.

“Sa i përket industrive, nuk është që kemi vërejtur ndonjë dallim të theksuar. Por, industritë të cilat prijnë me numrin e shpalljeve janë: Shitje, Gastronomi, Administratë, Menaxhment, Marketing, Ekonomi dhe Financa, Transport dhe Logjistikë.” – ka thënë ajo.

Ndërsa, edhe platforma tjetër “Portal Pune” kanë thënë se gjatë vitit 2023 kanë pasur mijëra vende pune të publikuar.

Në këtë platformë më së shumti ka dominuar sektori i teknologjisë informative, shtije, marketing, financa e të tjera.

Sipas tyre, deri më tani numri i shpalljeve po vazhdon trendin e njëjtë.

Rritja e numrit të shpalljeve mund të ketë ndikuar për shkak të migrimit të fuqisë punëtore të Kosovës në vendet evropiane.

Gjithashtu, trendet për ikjen e fuqisë punëtore janë shqetësuese, pasi sipas një raporti të Instituti Riinvest, pritet që rreth 31 për qind mund të largohen gjatë këtij viti.

SuperPuna

Në anën tjetër, një tjetër hapësirë për t’u punësuar është edhe portali i Qeverisë së Kosovës me emrin “SuperPuna”.

Përveç që në këtë portal publikohen vendet e lira të punës, po ashtu Qeveria subvencionon për 264 pagën për gjashtë muaj.

Deri më tani për një vit të ekzistimit të saj, sipas të dhënave të pushtetit, nga kjo platformë kanë arritur të punësohen 9 mijë e 394 të rinj.

Tashmë kjo platformë është avancuar nga grup-moshat 18-25 vjeç në 18-29 vjeç.

Sa është papunësia në Kosovë?

Papunësia në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) mbetet mbi 12 për qind, pavarësisht shpalljeve për vende të lira të punës.

Një gjë tjetër shqetësuese është edhe shifra e personave ekonomikisht joaktivë (as të punësuar, as të regjistruar si të papunë e as nuk kërkojnë punë) ku sipas të dhënave janë mbi 750 mijë qytetarë.

Aktualisht paga minimale në Kosovës është 264 euro. Ndërsa paga mesatare në Kosovës nga të dhënat e fundit të ASK-së është 521 euro.