Kryeshefja e Telekomit me premtime të forta: Deri në fund të qershorit, Prishtina me rajonin e saj mbulohet me teknologjinë 5G

Burbuqe Hana- Foto: Telegrafi

Telekomi i Kosovës prej vitesh ka vuajtur nga mungesa e investimeve shtetërore, duke mbetur prapa konkurrentëve në ofrimin e shërbimeve për konsumatorët.

Kryeshefja ekzekutive e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, ka thënë se ky trend do të ndryshojë në këtë vit pasi sipas saj tashmë janë ndarë miliona për investime.

Reklama e sponzorizuar

Sipas saj me këto investime do të përmirësohet infrastruktura e vjetërsuar e Telekomit dhe për herë të parë konsumatorëve të Vala-s do t’iu ofrohen edhe shërbimet e rrjetit të 5G.

Hana më tej thotë se do të shtohet numri i antenave në mënyrë që shërbimet e Telekomit dhe Vala-s të shtrihen në çdo vend të Kosovës.

“Shembull, Prishtina me regjion deri në fund të qershorit do të jetë e mbuluar me teknologjinë 4G+ dhe 5G. Ndërsa për komunat  tjera besojmë se deri në fund të vitit 2024 do të shtrihet infrastruktura dhe do të ofrohen shërbimet cilësore”, ka deklaruar Hana.

Kryeshefja ekzekutive e Telekomit të Kosovës shprehet e bindur se kompania do të jetë konkurruese dhe sipas saj tashmë elementet e para janë të dukshme.

“Vitin e kaluar kemi paraqitur 5.9 milionë euro fitim  e që është hera e parë pas vitit 2015 që dalim me bilanc pozitiv”, ka deklaruar Hana. /Telegrafi/