Turqia synon të rrisë eksportin e mineraleve – Vendi zotëron 73.2 % të rezervave botërore të borit

Duke u mburrur me rezervat më të mëdha të borit në botë, Turqia kërkon ta kthejë burimin e mineralit të rrallë në fitim, në një kohë që vendi po përballet me vështirësi ekonomike. Turqia zotëron 73.2 % të rezervave botërore të borit dhe kishte 63 % të pjesës së tregut global në vitin 2023, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Energjisë dhe Burimeve Natyrore të vendit këtë muaj.

Karbidi i borit, një nga materialet sintetike më të forta të njohura, përdoret gjerësisht në industri, si gërryes dhe material zjarrdurues, dhe si absorbues në termocentralet bërthamore. Dhoma e Inxhinierëve të Minierave, deklaroi se Turqia duhet ta konsiderojë borin si një element strategjik të tokës së rrallë.

Kompania shtetërore e minierave Eti Maden tha se shitjet e saj të huaja të borit të rafinuar prej 2.6 milionë tonësh arritën 1.3 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2022, duke thyer një rekord. Në vitin 2024, shitjet e huaja janë rritur për shkak të kërkesës së fortë dhe rritjes së aftësive të prodhimit. Eksportet e borit kanë arritur një nivel që kontribuon në zbutjen e problemeve ekonomike të Turqisë dhe pritet që shifrat të rriten në pesë vitet e ardhshme me investime të reja.

Reklama e sponzorizuar

Që nga viti 2018, Turqia ka përjetuar probleme serioze ekonomike me inflacion të fortë, një monedhë në rënie dhe rezerva të ulëta valutore. Rreth 90 % e prodhimit të borit të Turqisë eksportohet. Sektori i industrisë u bëri thirrje autoriteteve turke të investojnë më shumë në prodhimin e produkteve të përpunuara dhe me vlerë të shtuar, të cilat do të ishin të dobishme për ekonominë e sëmurë.

Sipas një kërkimi tregu të kryer në vitin 2023 nga Business Research Company me bazë në Londër, tregu global i borit pritet të arrijë në 4.88 miliardë dollarë në 2027-ën, nga 3.87 miliardë dollarë në 2022-shin. Ndërkohë, sa i përket investimeve të huaja në bor, Kina është në krye të listës pasi Turqia kërkon të rrisë bashkëpunimin e saj me ekonominë e dytë më të madhe në botë./SCAN TV/