Në Kosovë, raporti i borxhit ndaj Bruto Prodhimit Vendor (BPV) siç dihet, ka qenë me vite ndër më i ulëti në rajon, dhe megjithë këtë, sipas të dhënave të BQK-së, ky borxh u ulë në 16.8 për qind në tremujorin e tretë të 2023-tës, krahasuar me 20.5 për qind të së njëjtës periudhë të 2022-tës. Ndërsa, në Shqipëri, sipas të dhënave zyrtare, vitin e kaluar borxhi publik shënoi 59.2 për qind, ose rënie me 7.7 pikë për qind të BPV-së. Ky është niveli më i ulët i këtij treguesi që nga viti 2011 në Shqipëri.
Buletini Ekonomik
Kosova ka kohë që ka ngecje evidente të zhvillimit ekonomik. Ka ngecje, ose ka fare pak investime, ka investime të jashtme sa për të thënë, ka mungesë të energjisë si pasojë e mungesës së kapaciteteve të bollshme prodhuese dhe stabilimenteve aktuale të prodhimit të rrymës të stërvjetëruara dhe të amortizuara skajshmërisht, ka mbi gjysmën e minierave të plumb-zinkut dhe të mineraleve të tjera jashtë procesit të punës, ka inflacion në nivel rekord, ka varfëri, ka shifra enorme të të papunëve, ka migrim tronditës të popullsisë, ka ecuri jashtëkontrollit të ngritjes enorme të çmimeve dhe ka probleme shpërthyese sociale.
Kosova, pra, është realisht e varfër. Është më e varfëra në rajon. Vetëm Shqipëria është shumë pranë, madje thuaja ngjitas, për nga varfëria.
Edhe më 2023, ashtu sikur më 2022, Kosova dhe Shqipëria u ranguan në vazhdimësi si shtetet më të varfëra në rajon. Sipas shifrave që i referohen Fondit Monetar Ndërkombëtarë (FMN) në publikimin “Prespektiva Ekonomike Botërore, prill 2022”, Kosova del të jetë shteti më i varfër në rajon, duke u renditur në vendin e 105-të në botë me 13,964 dollarë të ardhura për kokë banori, ndërsa Shqipëria renditet e 90-ta mes 192 vendeve në total të marra në analizë me PBB për frymë me 17,383 dollarë.
Mirëpo, përkundër gjithë këtyre parametrave, në të dyja vendet shqiptare, sipas të dhënave zyrtare, ka ulje të borxhit publik. Në Kosovë, raporti i borxhit ndaj Bruto Prodhimit Vendor (BPV) siç dihet, ka qenë me vite ndër më i ulëti në rajon, dhe megjithë këtë, sipas të dhënave të BQK-së, raporti i borxhit ndaj BPV-së u ulë në 16.8 për qind në tremujorin e tretë të 2023-tës, krahasuar me 20.5 për qind të së njëjtës periudhë të 2022-tës. Kjo ulje, sipas BQK-së, rezultoi nga përmirësimi i bilancit buxhetor të Qeverisë dhe rritja e BPV-së nominale, e cila zvogëloi raportin e borxhit ndaj BPV-së. Në terma absolut, borxhi publik në tremujorin e tretë të vitit 2023 ishte 1.62 miliard euro, që është një rënie prej 4.2 për qind krahasuar me tremujorin e vitit paraprak.
“Zvogëlimi i borxhit publik ishte rezultat i uljes së borxhit të brendshëm publik për 13.4 për qind, duke arritur në 965.1 milion euro, ndërsa borxhi i jashtëm publik shënoi rritje prej 13.6 përqind dhe arriti në 655.7 milion euro”, ka konstatuar BQK-ja.
Borxhi i jashtëm publik përfshin detyrimet ndaj Agjencisë Ndërkombëtare për Zhvillim (37 për qind), Bashkimit Evropian (15 për qind), Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (14 për qind), Fondit Monetar Ndërkombëtarë (7 për qind), etj. Në anën tjetër, borxhi i brendshëm përfshin kryesisht borxhin e Qeverisë së Kosovës ndaj fondeve pensionale (47 për qind), bankave komerciale (23 për qind), institucioneve publike (22 përqind), etj.
Ndërkq, në Shqipëri, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, rritja e të ardhurave buxhetore përtej parashikimeve dhe, nga ana tjetër, mosrealizimi i shpenzimeve sipas planit ka sjellë në ulje trajektoren e borxhit publik për vitin 2023. Sipas këtyre të dhënave, vitin e kaluar borxhi publik në Shqipëri shënoi 59.2% të BPV-së. Ky është niveli më i ulët i këtij treguesi që nga viti 2011 në Shqipëri. Brenda vitit 2023, borxhi publik shnoi rënie me 7.7 pikë për qind të BPV-së.
Ministri i Financave, Ervin Meta, në një takim me FMN dhe Bankën Botërore tha se Shqipëria është ndër vendet që kanë ulur me ritmin më të shpejtë borxhin publik në rajon, raportojnë mediet shqiptare. “Borxhi publik jo vetëm që zbriti në nivelet e para krizave, por arriti nën 60% për herë të parë që nga viti 2011, duke shënuar një nivel prej 59.2% në fund të vitit 2023, sipas vlerësimeve më të fundit, duke e vendosur Shqipërinë ndër vendet që kanë ulur me ritmin më të shpejt borxhin publik në rajon”, vuri në dukje ministri shqiptar i Financave.
Ministri i Financave deklaroi se edhe në vlerësimet e Fondit Monetar dhe Bankës Botërore, Shqipëria rezultoi si një nga ekonomitë më rezistente në rajon dhe kjo qëndrueshmëri është inkurajuese edhe për perspektivën afatmesme dhe afatgjate, si dhe për shëndetshmërinë e financave publike në vend. /Buletini Ekonomik/