Vendimet e BKS: Kompania austriake “Sigma” kishte paralajmëruar për “mungesë të bazës ligjore”

Një komunikim i brendshëm mes drejtuesve të kompanive të sigurimeve shpërfaq një skenar të mirëmenduar për t’ia hequr kompetencat në trajtim të dëmeve Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS) në favor të kompanive. Vendimet e BKS-së u aprovuan nga BQK-ja përkundër pretendimeve për mungesë të bazës ligjore.

Agon Sinanaj

Kompania austriake “Sigma”, e cila operon në tregun e sigurimeve në Kosovë, nuk kishte qenë dakord që t’i merren kompetencat Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS) për trajtim të dëmeve nga aksidentet.

Në një komunikim të brendshëm, të cilin e ka parë Buletini Ekonomik, “Sigma” madje ngre dyshime për mungesë të bazës ligjore, nëse do të miratoheshin tri vendimet për delegim të komptencave tek kompanitë e sigurimeve.

Përmes këtyre vendimeve, BKS-ja ua kaloi kompetencat kompanive të sigurimeve –  për dëmet e shkaktuara nga aksidentet tek sigurimi kufitar dhe dëmet e shkaktuara nga mjetet motorike të paidentifikuara dhe të pasiguruara.

Reklama e sponzorizuar

Në emailin që mban datën 28 prill 2023, Drejtori Ekzekutiv i “Sigma Vienna Insurance Group”, dega Kosovë, Genond Mesareja, paralajmëron kolegët e tij nga industria se për një proces të tillë për delegim të komptencave – mungon baza e qartë ligjore.

“Ju shpreh edhe njëherë shqetësimet tona në lidhje me draft-rregulloren e prezantuar, që përfshijnë aspekte të karakterit ligjor, statutor, teknik, operacional, të cilat me gjithë insistimet tona të vazhdueshme nuk janë adresuar në draftin final të Rregullores për Delegimin e Trajtimit të Dëmeve nga BKS”, thuhet në emailin e Mesareja-s, i cili në vijim përmend edhe shqetësimet për mungesë të bazës ligjore.

Ai i shkon edhe më thellë analizës ligjore, duke paralajmëruar se delegimi në formën dhe mënyrën e tillë, nuk ka bazë ligjore.

“Për rastet e dëmshpërblimit nga përdorimi i mjeteve të paidentifikuara, për rastet e trajtimit të dëmeve të pashqyrtuara për kompanitë, që janë në likuidim si dhe për policat e sigurimit kufitar, nuk është e paraparë mundësia e delegimit”, thotë ai.

Pas këtij reagimi të drejtuesit të Sigma-s, në komunikim përfshihen edhe drejtuesit e dy kompanive të sigurimeve, të cilat votojnë po ashtu kundër, duke mbështetur “opinionin” ligjor të përfaqësuesit të Sigma-s.

“Edhe Eurosig voton Kundër, dhe përkrahë mendimin e kompanisë së sigurimeve Sigma”, thuhet në emailin e dërguar nga Altin Ponari, Kryeshef Ekzekutiv në Eurosig.

Nga komunikimi i brendshëm vërehet se kundër kishte votuar edhe Shpend Balija, Drejtor Gjeneral në kompaninë ILLYRIA.

Dy muaj më vonë, në qershor të 2023-s, të trija këto kompani i votuan vendimet e BKS-së për delegim të kompetencave. Asnjëra prej tyre, nuk është përgjigjur në pyetjet e Buletinit se çka i bëri të “ndryshojnë mendje” nga qëndrimet e tyre të muajit prill.

Pezullimi i procesit dhe “shfrytëzimi i vakuumit”

Nga dëshmitë që ka siguruar Buletini Ekonomik, shihet se procesi i delegimit të këtyre kompetencave nga drejtuesit e kompanive të sigurimeve kishte filluar qysh në vitin 2022. Mirëpo, i njëjti proces ishte pezulluar dy herë, për shkak të mosaprovimit të vendimeve nga guvernatori i atëhershëm i BQK-së, Fehmi Mehmeti.

Fillimisht procesi i delegimit ishte pezulluar në muajin tetor 2022 dhe ishte shtyrë për datën 1 mars 2023. Pas kësaj date, ishte shtyrë edhe njëherë, përkatësisht me datën 1 korrik dhe 1 shtator 2023, por sërish vendimet nuk morën aprovimin e BQK-së.

Këtë çështje, drejtuesit e kompanive të sigurimeve e aktualizuan në muajin prill 2023, një muaj pasi i kishte kaluar mandati guvernatorit Fehmi Mehmeti. BQK-ja mbeti pa guvernator dhe kjo situatë u shfrytëzua nga drejtuesit e kompanive.

Në qershor të 2023-s, Asambleja e BKS-së, pjesë e së cilës janë të gjitha kompanitë e sigurimeve, nxori tri vendime për delegim të kompetencave tek kompanitë e sigurimeve.

Transferi i kompetencave parashihej të bëhej nga muaji korrik deri në shtator 2023. Në muajin qershor, për këto vendime ishte njoftuar Banka Qendrore e Kosovës, përmes një emaili të cilin e ka siguruar Buletini, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike.

Më 14 korrik 2023, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Ahmet Ismailin në krye të BQK-së, ndërsa më 9 gusht, i njëjti u dekretua nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Guvernatori Ismaili aprovoi këto tri vendime duke zgjedhur heshtjen dhe duke mundësuar transferin e kompetencave nga BKS tek kompanitë veç e veç.

Baza e dyshimtë ligjore

Tregu i sigurimeve në Kosovë rregullohet me Ligjin N2.04/L-018 për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, ligj ky që i jep BKS-së, kompetenca të qarta për trajtim të dëmeve nga Sistemi i Kartonit Ndërkombëtar të Sigurimit. Për shkak se Kosova nuk është pjesë e kartonit të gjelbër, sigurimi kufitar, bazuar në këtë ligj, hyn në fushëveprimin e Byrosë së Sigurimeve.

Sipas nenit 29, pika 1, “Byroja Kosovare e Sigurimit është organizatë profesionale me cilësinë e personit juridik e themeluar për qëllime jofitimprurëse”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës i njeh këtij institucioni statusin e Byrosë nacionale të sigurimit me të drejta të pakufizuara në cilësi të Byrosë pagesë dhe Byrosë trajtuese, që garanton përmbushjen e të gjitha detyrimeve nga sistemi i kartonit ndërkombëtarë të sigurimit”.

Ligji i jep mandat BKS-së që të menaxhojë me të gjitha ato lloje të sigurimeve që kanë të bëjnë me veturat me tabela të huaja, apo siç thuhet në pikën më lartë, “Byroja garanton përmbushjen e të gjitha detyrimeve nga sistemi i kartonit ndërkombëtar të sigurimit”.

Duke qenë se Kosova nuk është pjesë e Sistemit Ndërkombëtar për Kartonin e Gjelbër, të gjitha veturat me targa të huaja që hyjnë në Kosovë (dominon diaspora), duhet ta paguajnë policën kufitare. Me këtë lloj të sigurimit, që nga paslufta ka menaxhuar Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS).

Me tri vendimet e BKS-së, të gjitha funksionet në trajtimin e dëmeve për disa lloje specifike të sigurimit, i janë marrë BKS-së dhe iu kanë kaluar kompanive të sigurimeve.

Ligji kërkon që dëmet të cilat janë trajtuar nga Byroja e Sigurimit të mund t’i delegohen me kërkesë të kësaj të fundit, vetëm një “strukture të specializuar për trajtimin e dëmeve të licencuar nga BQK-ja”. Krejt kjo me qëllimin që të shmanget konflikti i interesit.

“Byroja mund t’ia delegojë trajtimin dhe pagesën e këtyre dëmeve njërit prej anëtarëve të vet ose një strukture të specializuar për trajtimin e dëmeve të licencuar nga BQK-ja, e cila është e detyruar të trajtojë dhe të paguajë dëmin me shpenzimet e fondit të kompensimit”, thuhet në nenin 18 të Ligjit Nr. 04/l-018 Për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

Në një përgjigje për Buletinin, nga Byroja Kosovare e Sigurimeve kanë thënë se baza ligjore është e qartë dhe se vendimet në fjalë janë në harmoni me ligjin.

“Fondi i Kompensimit të Byrosë Kosovare të Sigurimit sipas dispozitës së nenit 32 të Ligjit Nr. 04/L-018 për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, përfshin shpërblimin e dëmit për kategoritë e përcaktuara sipas nenit 18, 19, 20, 21 dhe 22 të këtij ligji. Prandaj, duke qenë se kategoritë përkatëse të zhdëmtimit i përkasin produktit të sigurimit TPL dhe i njejti është në kompetencë ekskluzive për t’u ofruar vetëm nga siguruesit jo-jetë, “Byroja Kosovare e Sigurimit mund të delegojë trajtimin dhe pagesën e dëmeve anëtarëve të saj sigurues ose një strukture të specializuar për trajtimin e dëmeve të licencuar nga BQK-ja”, thuhet në përgjigjen e BKS.

Në rastin konkret, sipas tyre, kompetenca e deleguar sipas këtij tagri ligjor të Byrosë Kosovare të Sigurimit në drejtim të anëtarëve të saj, ka të bëjë vetëm me trajtimin e kërkesave për shpërblimin e dëmit, ndërsa pagesa ende ekzekutohet nga Byroja Kosovare e Sigurimit.

“Këto vendime, për delegimin e trajtimit të dëmeve nga Byroja Kosovare e Sigurimit tek anëtarët e saj sigurues, sigurisht se janë marrë në përputhje me Statutin e Byrosë si akt material, sikurse janë në përputhje me lejimet për delegimin e këtyre dëmeve konform dispozitave të nenit 18, 19, 20, 21 dhe 22 të Ligjit Nr. 04/L-018 për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia. Prandaj, mund të themi se organizimi i reformuar i Byrosë Kosovare të Sigurimit me delegimin e trajtimit të dëmeve tek anëtarët e saj sigurues, paraqet praktikë të avancuar të mbrojtjes së të drejtave të policëmbajtësve dhe palëve të treta të dëmtuara, duke ndjekur praktikat më të mira të ngjashme, sikurse edhe ato të vendeve të rajonit. Mos hezitoni te na kontaktoni poqese keni ndonje pyetje shtese”.

Rreziku për zvarritje të kërkesave për zhdëmtim

Në kuadër të Byrosë Kosovare të Sigurimeve funksionon edhe Fondi i Kompensimit i krijuar me ligj, i cili ka për qëllim kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga aksidentet në trafik, në rastet kur shkaktar i aksidentit është një mjet motorik i pasiguruar apo i paidentifikuar.

Me vendimin e ri, kjo kompetencë tash do t’ju kalojë kompanive të sigurimeve.

BQK ka aprovuar edhe një vendim tjetër favorizues për kompanitë e sigurimeve, e që ka të bëjë me trajtimin e dëmeve nga sigurimi kufitar.

Vendimi, një kopje të të cilit e ka siguruar Buletini Ekonomik, është marrë nga Asambleja e Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), por që ka marrë edhe aprovimin e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismailit.

“Byroja Kosovare e Sigurimit delegon trajtimin e dëmeve pezull dhe të reja të Sigurimit Kufitar, tek anëtarët e saj, ndërkaq pagesa e dëmeve do të bëhet nga Byroja Kosovare e Sigurimit”, thuhet në pikën e parë të arsyetimit të këtij vendimi.

Në vendim thuhet se për zbatimin e këtij vendimi, delegimi i dëmeve do të zbatohet duke filluar nga data 01.09.2023.

Në bazë të ligjit, për secilin vendim të Byrosë së Sigurimeve, duhet të njoftohet Banka Qendrore për të marrë aprovim paraprak. BQK ka qenë e njoftuar për këtë vendim qysh më datën 7 qershor përmes një komunikimi me email-e të dërguar nga BKS, një kopje të së cilës Buletini Ekonomik e ka siguruar pas kërkesës për qasje në dokumente publike.

Përmes këtyre vendimeve, kompanitë e sigurimeve tashmë do të vendosin vetë për vlerën e kompensimit dhe si rrjedhojë e kësaj – rritet edhe rreziku që rastet qëllimshëm të mos përfundojnë me marrëveshje jashtëgjyqësore, por të kalojnë tek gjykatat.

Vlerësohet diku se rreth 90 për qind e kërkesave për zhdëmtim përfundojnë në gjykata, e të cilat marrin kohë me vite për t’u trajtuar.

Në BQK nuk janë përgjigjur në pyetjet e Buletinit Ekonomik rreth arsyes prapa një vendimi të tillë. Ata, përgjegjësinë e kanë hedhur tek Byroja Kosovare e Sigurimit.

“Në bazë të ligjit, Delegimi i dëmeve nga BKS tek anëtarët e saj, nuk është në kompetencën e BQK-së, kjo është në kompetencën e anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme te BKS”, ka thënë Besnik Kada, zyrtar për informim në BQK.

Në anën tjetër, eksperti i sigurimeve, Besnik Nikçi, në një përgjigje për Buletinin, ka thënë se ka dilema rreth asaj se a kanë kompetencë profesionale dhe vullnet kompanitë e sigurimeve për trajtim profesional të dëmeve nga aksidentet, nga këto kategori.

“Nga mënyra se si janë trajtuar dëmet në të kaluarën lë shumë për të dëshiruar. Pjesa më e madhe dëmeve përfundojnë në gjykata, ku rastet vonohen me vite”, ka shpjeguar Nikçi.

Aktualisht, në industrinë e sigurimeve dhe nëpër gjykata të Kosovës, sipas statistikave zyrtare, janë 32 mijë raste që kanë probleme me kompensim të dëmit nga aksidentet e shkaktuara. Këto raste njihen si dëme pezull, ndërsa kërkesat financiare për këto 32 mijë raste të dëmeve shkojnë deri në 80 milionë euro. Dëmet pezull, janë dëmet që presin, qoftë nëpër kompani të sigurimeve, qoftë nëpër gjykata për t’u zgjidhur, duke tejkaluar të gjitha afatet ligjore në dëm të qytetarëve (policëmbajtësve). /Buletini Ekonomik/

LEXO EDHE: 

BQK-ja favorizon kompanitë e sigurimit në dëm të policëmbajtësve

Favori i radhës: BQK ua mundëson kompanive të sigurimit trajtimin e dëmeve edhe nga sigurimi kufitar

‘Favore për dosta’: Lidhjet e forta të guvernatorit me pronarët e kompanive të sigurimit