Kompanitë turistike që promovojnë bregdetin turk e përfaqësojnë turizmin e Kosovës në Berlin

Foto: KIESA

Eurokoha dhe Fibula, dy kompanitë kryesore në Kosovë që njihen për oferta për promovim të bregdetit turk, janë përzgjedhur nga KIESA për ta përfaqësuar Kosovën në panairin ndërkombëtar të turizmit “ITB Berlin 2024”. Nga kjo agjenci nuk janë përgjigjur lidhur me kriteret e aplikuara në përzgjedhjen e kompanive pjesëmarrëse.

Mirjeta Shabani

Në Berlin të Gjermanisë, këtë javë është duke u mbajtur panairi më i madh ndërkombëtar në fushën e turizmit. Në mesin e shumë shteteve pjesëmarrëse, edhe Kosova është duke u prezantuar në këtë panair. Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) si dhe KIESA-s, potencialet turistike dhe mundësitë që Kosova i ofron për turizëm po prezantohen nga pesë kompani, që janë: Balkan Destination, Eurokoha, Superxplorers, Fibula Travel dhe Outdoor Kosovo.

Reklama e sponzorizuar

Për dallim nga tri kompanitë e tjera që kanë oferta nëpër rrjetet e tyre sociale dhe organizojnë vizita nëpër vendet turistike të Kosovës, Eurokoha dhe Fibula Travel nuk kanë ndonjë ofertë vendore specifike për turizëm.

Në bazë të hulumtimit të Buletinit Ekonomik në uebsajtet e tyre, shihet se nuk figuron as edhe një ofertë e vetme e këtyre dy kompanive për vizita nëpër vendet turistike në Kosovë. I vetmi destinacion i Kosovës që Eurokoha ofron për vizitorët e huaj, është Prishtina me një biletë ajrore direkte nga aeroportet e shteteve të tjera në atë të Prishtinës dhe aty përfundon gjithçka.

Njësoj është rasti edhe me kompaninë tjetër – Fibula Travel, e cila si top destinacione turistike ka vendet bregdetare të Turqisë, që përfshijnë vendet si Alanya, Antalya, Belek, Lara, Side, Kemer dhe Bodrum. Këto vende janë destinacionet kryesore turistike edhe të kompanisë Eurokoha.

Këto dy kompani, po e përfaqësojnë Kosovën në panairin më të madh të turizmit në botë, ndonëse kriteri kryesor për pjesëmarrje atje do të duhej të ishte prezantimi dhe promovimi i turizmit vendor.

Buletini Ekonomik ka kontaktuar me Eurokohën dhe ka kërkuar sqarime të nevojshme se me çfarë ofertash turistike janë duke u prezantuar ata në panairin e turizmit “ITB Berlin 2024”, duke marrë parasysh se ofertat turistike në faqen e tyre janë kryesisht për vendet bregdetare në Turqi dhe ato evropiane, dhe jo oferta turistike për vendet e Kosovës.

“Për të sqaruar pyetjet e juaja, Eurokoha në këtë panair po prezanton ofertat e saj për të promovuar turizmin vendor në Kosovë. Këto oferta përfshijnë pako turistike të cilat inkurajojnë vizitorët të shijojnë bukuritë dhe potencialin e turizmit në vendin tonë. Ndër ofertat tona ka një përqëndrim të veçantë në turizmin lokal dhe në promovimin e destinacioneve të bukura natyrore dhe kulturore të Kosovës. Eurokoha tash e disa vite është pjesëmarrëse në “ITB Berlin” ku çdo herë me krenari ka shpalosur bukuritë e Kosovës”, thuhet në përgjigjjen e tyre.

Nëpër broshurat që ata kanë dërguar për Buletinin Ekonomik, shihet se Eurokoha po prezanton në këtë panair dy oferta, njëra vizitë 3 ditore (tour për Kosovë), që përfshin vizitë në tri qytete të Kosovës, Prishtinë, Prizren dhe Pejë. Në këtë ofertë ceken vetëm disa prej pikave kryesore kulturore dhe turistike që vizitorët mund t’i vizitojnë brenda këtyre tri ditëve, mirëpo nuk ceket fare as mundësia e akomodimit të turistëve përmes kësaj agjencie në ndonjë hotel vendor dhe as asgjë tjetër që do t’i orientonte turistët më lehtë.

Kurse, oferta tjetër turistike e Eurokohës, që po prezantohet para pjesëmarrësve në panairin e turizmit në Berlin, është vizitë 5 ditore, që përmban në vete kryesisht vizita nëpër malet e Kosovës, si ngjitje dhe ecje nëpër shtigje malore (hiking). Kjo ofertë ofron ngjitje në malet e Rugovës, ato të Sharrit, dhe vizitë në Prishtinë dhe tek vreshtat e rrushit në Rahovec.

Mirëpo, këto dy oferta që po prezantohen në Berlin, nuk janë të qasshme fare në uebsajtin e Eurokohës.

Buletini Ekonomik ka provuar të kontaktojë edhe me agjencinë tjetër turistike “Fibula Travel”, rreth ofertave të tyre për promovimin e turizmit Kosovar në panairin e Berlinit, mirëpo deri në momentin e publikimit të shkrimit, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje. Njësoj kanë vepruar edhe nga MINT dhe KIESA.

Përveq promovimit të turizmit turk, këto dy kompani tani pas liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës, ofrojnë edhe dhjetëra oferta të tjera për vikende në vendet më të njohura evropiane turistike, si Viena, Milano, Venecia, Madrid, Barcelona, Budapest, Dubrovnik e shumë të tjera. Ndërsa, as edhe një ofertë turistike për vendet turistike të Kosovës, nuk haset në uebfaqet e tyre. /Buletini Ekonomik/