Do të ishte shumë më keq, nëse Kosova do të radhitej nga Transparency International edhe nën vendin e 83-të, gjithsesi. Mirëpo, ky rangim që identifikohet saktësisht me vendnumërim, është i keq, dëshpërues dhe është dështim, kur të kihet parasysh, premtimi, ndër më kryesorët i subjektit politik që tash e tre vjet e ka pushtetin, e që ishte pikërisht luftimi i korrupsionit që në Kosovën e vogël dhe të varfër njëkohësisht, ka marrë që moti përmasa tronditëse.
Mehmet GJATA
Transparency International, organizata globale që udhëheq luftën kundër korrupsionit, ka vlerësuar në një raport të fundit se Kosova në vitin 2023 s’ka bërë përparim nga viti paraprak në luftimin e kësaj dukurie.
Kosova është vlerësuar me 41 pikë në raportin e Indeksit për Perceptim të Korrupsionit për vitin 2023, në një metodologji pikësh që zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100-shi për një vend pa korrupsion. Kosova ka mbetur në vendnumëro, duke u renditur në vendin e 83-të me 41 pikë, respektivisht Kosova rangohet në po të njëjtin vend, dhe me pikë të njëjta sikundër më 2022.
Do të ishte shumë më keq, nëse Kosova do të radhitej edhe në vendin e 83-të, gjithsesi. Mirëpo, ky rangim që identifikohet saktësisht me vendnumërim është i keq, dëshpërues dhe është dështim, kur të kihet parasysh premtimi, ndër më kryesorët i subjektit politik që tash e tre vjet e ka pushtetin, që ishte pikërisht luftimi i korrupsionit që në Kosovën e vogël dhe të varfër njëkohësisht, ka marrë që moti përmasa tronditëse.
Premtoi shumë Qveria aktuale, që në ditën e parë të marrjes së pushtetit. Dhe, pikërisht kjo Qeveri, në fillimet e qeverisjes, deklarativisht e promovoi dhe e çeli “frontin” antikorrupsion. Madje, në vitin e parë të qeverisjes u shpërfaqën edhe ca sinjale për rezultate dhe suksesesh antikorrupsion. Dhe tani, pas kumtimit të raportit të Transparency Internacional, sikur “ranë në ujë” edhe premtimet e VV-istëve, por edhe promovimet e “sukseseve antikorrupsion” të autoriteteve dhe zyrtarëve aktual.
Vendnumërimi i evidentuar me shifra nga Agjencia prestigjioze e luftimit të korrupsionit është një dëshmi e fortë dhe e pa kontestueshme se edhe ky pushtet, si të gjithë pushtetet paraprake, po dështojnë në luftimin e kësaj “sëmundje” gangrenoze dhe thuaja kronike dhe se premtimet paskan qenë sa për të përfituar më shumë votues për të shijuar pushtetin. Dhe ç’është e vërteta fushatat e VV-së për antikorrupsionin kanë “dhezë”, pasi që kosovarët e varfër dhe të përvuajtur, të lodhur dhe “të mbështetur për muri” nga pasojat e korrupsionit enorm ndër vite pas luftës, mezi pritën të ‘gjejnë’ një subjekt politik antikorrupsion. Por, pritshmëritë e tyre, po del të jenë sërish të parealizueshme dhe të kota.
Pas publikimit të të dhënave për korrupsionin, edhe njeriu i parë Agjencisë kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, e ka pranuar në prononcimet e tij për medie se “Kosova nuk ka zhvilluar ndonjë progres në luftën kundër korrupsionit, duke iu referuar raportit të “Transparency International”.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde kishte deklaruar në një status të tij se “pret më shumë nga Kosova, pas raportit të fundit të Transparency International për vitin 2023, ku u konstatua se vendi s’ka përparuar nga viti paraprak në luftimin e korrupsionit”.
Rohde theksoi në “X” se raporti evidenton shqetësime për ndërhyrjen e vazhdueshme të Qeverisë në gjyqësor dhe se Kosova s’ka përparuar në renditje, për dallim prej Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.
“Me shumë ambicie është e mundur dhe e pritshme!”, shkroi ambasadori gjerman.
Megjithatë, njohësit e rrethanave dhe analistë të shumtë të zhvillimeve shtrojnë pyetje dhe dilemat e tyre se pse u rishfaq vendnumërimi i luftës kundër korrupsionit dhe pse autoritetet dhe zyrtarët aktual e devijuan kahjen e luftimit të nisur të korrupsionit. Cilat janë shkaqet për këtë vendnumëro te antikorrupsioni?
Njohës të rrethanave vlerësojnë se shkaqet për rangimin e ngecur të antikorrupsionit nuk qëndrojnë shumë te shkathtësitë profesioniste të zyrtarëve që kanë detyrë ta luftojnë korrupsionin. Këta zyrtarë kur janë të aftë për të zhvatur paranë korruptive, do të duhej të jenë edhe të aftë për ta luftuar korrupsionin. Por, nuk e bëjnë këtë.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, në kuadër të diskutimit për luftën kundër korrupsionit, ka thënë se njerëzit nga “hiçi”, janë bërë “super milionerë” në zyrat publike.
Qorrolli gjithashtu tha se do të ishte në dëm të Kosovës, në qoftë se nuk do të dihej se si shtohet pasuria e zyrtarëve publikë, kështu duke iu referuar Agjencionit të Antikorrupsionit. Madje, Qorrolli tha se ka përpjekje enorme të institucioneve qeveritare, për të plotësuar reformën ligjore.
“Imagjinojeni sikur Kosova mos ta kishte Agjencionin Antikorrupsion dhe mos ta dinim se si shtohet pasuria e zyrtarëve publikë, vit për vit, e periudhë pas periudhe. Vlerësimi i pasurisë, periodikisht duhet çdo një vit, por ne po e marrim në një statistikë 5 deri në 10 vite, për të parë qe njerëzit nga hiçi janë bërë super milionerë në zyrat publike. Kjo tashmë është një fakt, që njerëzit nga zyrat publike, janë super të pasuruar. Çfarë përpjekje enorme bëhen tradicionalisht nga institucionet qeveritare për ta plotësuar reformën ligjore”, potencoi Qorrolli në njërin nga televizionit kosovare.
Sipas tij, “qytetarët në Kosovë më shumë besojnë në politikë, se sa në drejtësi”.
“Në demokracitë kushtetuese, e në vendet ku sundon demokracia dhe ku të drejtat e njeriut janë fundamenti i qeverisjes së atij vendi, besimi duhet të jetë më i madh në drejtësi, se sa në politikë. Mirëpo, në Kosovë ndodhë e kundërta”, shtoi ai.
Ndërsa, siç dihet, edhe Transparency International ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës gjatë vitit të kaluar ka ndërhyrë vazhdimisht në gjyqësor dhe se nuk ka pasur vullnet politik “për të hequr dorë prej kontrollit dhe për forcim të mbikëqyrjes së pavarur”.
Reagimi i subjektit më të madh politik opozitar, të shprehur nëpërmjet koordinatorit të Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, si përherë dominohet nga ngjyrimi politik. Ai tha se “raporti i Transparency International vërtetoi se Kosova po udhëhiqet nga një Qeveri e korruptuar, e paaftë dhe e dëmshme për shtetin dhe qytetarët.
Gruda, në një konerencë për medie ka deklaruar se “është tejet shqetësuese mungesa e vullnetit politik nga Qeveria Kurti për të luftuar korrupsionin, e cila, përveç kësaj, tashmë ka marrë në mbrojtje zyrtarët e saj të korruptuar duke penguar hetimet e pavarura”.
“Edhe një herë me radhë, raportet ndërkombëtare po dëshmojnë se Qeveria e Kosovës, përmes zyrtarëve të saj, po vazhdon të sulmojë organet e drejtësisë, të mbrojë njerëzit e saj të korruptuar dhe të pengojë hetimet e pavarura ndaj tyre” ka thënë ai, duke përfunduar se “PDK fton Qeverinë të ndalojë menjëherë sulmet ndaj organeve të drejtësisë dhe t’i hapë rrugë hetimeve të pavarura deri në zbardhjen e të vërtetës së plotë të të gjitha aferave korruptive”.
Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar shpejtë si një kundërpërgjigje ndaj PDK-së, po kështu me tone dominuese politike, duke shkruar në faqen e saj në Facebook se “Qeverisja e re ka dëshmuar se Republika e Kosovës mund të udhëhiqet pa korrupsion dhe ky fenonem mund të luftohet”.
“Në këto 3 vite të qeverisjes, Kosova ka avansuar për 21 vende në luftën ndaj këtyre fenomeneve të këqija, por imagjinoni ku do të jemi si shtet pas aktivizimit të Byrosë dhe procesit të Vettingut. Shumë më mirë”, është shkruar në postimin e LVV-së.
Këto, pak a shumë janë zhvillimet dhe të vërtetat rreth korrupsionit në Kosovë. Dhe është e vërtetë, se në Kosovë, ka korrupsion të ditur e të zbuluar dhe të paditur dhe të pazbuluar, ka afera korruptive, ka skandale korruptive me autorë zyrtarë të niveleve të ndryshme dhe ka vendnumërim në luftimin e korrupsionit, përkundër efekteve të shënuara në vitin e parë të këtij pushteti në luftën antikorrupsion.
Janë raste korruptive të padiskutueshme dy të arrestuarit e fundit, zyrtarë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare; është skandal korruptiv edhe rasti i zbulimit nga Buletini Ekonomik i keqpërdorimit eklatant të prezentimit të Kosovës në panaire ndërkombëtare, për çka pakuptueshëm po heshtin autoritet e vendit; janë skandale të përmasave të pamata monopolet e deritashme të disa kabllorëve në Kosovë dhe heqja e të drejtës kontraktuese pa njoftim dhe pa asnjë paralajmërim për mijëra klientë si dhe heqja e numrit të kontraktuar të kanaleve televizive për ta. Dhe këto raste nuk janë fare të vetmuara. Prandaj, këto skandale të bëra të nohur tashmë dhe të tjera, që kanë ndikuar domosdo të vendnumërimi antikorrupsion në Kosovë, duhet të jenë një alarm i fortë për Qeverinë Kurti 2 – që ta marrin më seriozisht luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e sundimit të ligjit dhe të shtojnë përpjekjet kundër korrupsionit. Këtë e pret qytetari i Kosovës nga pushteti aktual, të cilit i besoi aq shumë edhe nga premtimet e forta për ta luftuar këtë sëmundje kronike tashmë të Kosovës. /Buletini Ekonomik/