Mbështetur në kapacitetet prodhuese elektroenergjetike ekzistuese (termocentralet e stërvjetruara Kosova B dhe tre blloqe ende aktive të Kosovës A) dhe mungesën e herë pas hershme të energjisë elektrike të nevojshme për konsumin e Kosovës, sidomos në periudhat e dimrit, dhe në vendnumrimin e ndërtimit të kapaciteteve të reja të premtuara të energjisë së rinovueshme, nuk mund të flitet për suksese në sektorin energjetik të vendit.
Mehmet GJATA
Këto ditë, në një intervistë në një nga televizioniet e vendit, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ritheksoi se “suksesi më i madh i ministrisë që ajo drejton për tre vite të qeverisjes, është sektori i energjisë”. Këtë vlerësim, ministrja Rizvanolli e ka theksuar pak a shumë edhe disa herë të tjera, qoftë në prononcime publike, qoftë në takime të ndryshme zyrtare. Por, mbështetur në kapacitetet prodhuese elektroenergjetike ekzistuese (termocentralet e stërvjetruara Kosova B dhe tre blloqe ende aktive të Kosovës A) dhe mungesën e herë pas hershme të energjisë elektrike të nevojshme për konsumin e Kosovës, sidomos në periudhat e dimrit, nuk mund të flitet për suksese në sektorin energjetik të vendit.
Të dhënat pra, tregojnë jo për sukese, por për ngecje dhe për vendnumëro në sektorin elektroenergjetik të vendit. Në të gjitha vitet e pasluftës, nga ekspertë dhe nga vendimmarrësit ishte zë unanim domosdoja e ndërtimit të një termocentrali të ri në bazë të linjitit tonë, që e kemi me bollëk dhe thuaja në sipërfaqe të tokës, dhe të gjitha vizionet rreth këtij termocentrali ‘ranë në ujë’, praktikisht vetëm e vetëm nga paaftësia, nga mungesa e vullnetit politik dhe nga mungesa e guximit nga zyrtarët kompetentë në gjithë këtë periudhë.
Për këtë dështim, Buletini Ekonomik ka raportuar tashmë me dhjetëra herë. Dhe, pak a shumë, thuaja njësoj është vepruar në sektorin energjetik të Kosovës edhe gjatë periudhës tre vjeçare të Qeverisë Kurti 2, për të cilën kohë ministrja Rizvanolli radhitë suksese të pandodhura.
Që nga fillimi i 2021-shit, kur filloi qeverisjen kjo garniturë qeverisëse, edhe pse pati shumë premise më të favorshme se sa qeveritë në të kaluarën për faktin se kishte fituar bindshëm besimin e votuesve, pati premtime të shumta, pati edhe vizione numerikisht të shumta dhe që ishin jo pak mbresëlënëse në publik, sidomos për kapacitete të reja të energjisë së ripërtëritshme (edhe në bazë të erës edhe solare), dhe deri më sot nuk pati praktikisht asnjë kapacitet të finalizuar të ri energjetik, nuk ndodhi në këto tre vjet as ndonjë gruthemel i ri për kapacitetetet e reja të premtuara dhe për ca prej tyre edhe të parashikuara afate konkrete të ndërtimit, nuk ndodhi instalimi i elektrofiltrave në Kosovën B, edhe pse investimet, paratë shumicë të nevojshme për këtë projekt të rëndësishëm janë zotuar që nga 2019-ta nga BE-ja, nuk ndodhi as rehabilitimi i blloqeve të Kosovës B, i kontraktuar tani e sa kohë për ta bërë General Electrics, me çka B1 dhe B2 do të prodhonin 30 megavatë me shumë dhe do t’u shtohej jetëgjatësia të dy blloqeve edhe për 20 vite tjera, sikundër që nuk u nis asnjë kapacitet i ri në bazë të erës dhe as në bazë të energjisë diellore.
Nuk ndodhi as rindërtimi i asnjërit nga tre blloqet e Kosovës A (A3, A4 dhe A5), termocentraleve të stërvjetruara dhe tani të rrezikshme edhe për mjedisin (banorët rezidentë në afërsi të drejtpërdrejtë me to), edhe për 6-7 qind punëtorët që punojnë në këtë ‘dinosaur’ të rrezikshëm. Dhe, Kosova A ka mundur shumë e shumë herë të rindërtohet edhe veç me mjetet tona financiare. Pra pa hua, apo kredi, çfarëdo qofshin ato, të buta apo me kamata në stratosferë.
Kosova në këto 20 e më shumë vjet ka mundur, madje edhe pa ndonjë sakrificë të veçantë dhe të madhe, vet të rindërtojë, apo rivitalizojë tërë kompleksin elektroenergjetik të stërvjetëruar – Kosova A. Ka pasur edhe para, vetëm ka qenë e nevojshme që të gjendet, apo të konsultohet një njeri i mençur, racional dhe i logjikshëm, për të orientuar këto mjete në vendin e duhur.
Askush nuk mund ta mohojë se me 200 e më së shumti 300 milionë euro, Kosova A do të rindërtohej, do të bëhej moderne dhe ndotëse minimaliste, thuaja e pavërejtshme e ambienit edhe gjatë tre vjetëve të mandatit të ministres Rizvanolli.
Për të qenë më i kuptueshëm rreth kostos së rindërtimit të Kosovës A, po e përfolim një intervistë të ish -kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, dhënë për një medie kosovare, ku, sipas tij, çmimi i rindërtimit të një blloku të Kosovës A, kalkulohet nga 80 në 120 milionë euro. Kjo do të thotë se nëse kostoja e rindërtmit të një blloku kushton 80 milionë euro, çmimi i tërësishëm i rindërtimit të tre blloqeve të parashikuara për t’i rindërtuar (A3, A4 dhe A5) do të kushtonte 240 milionë, ndërsa po ta llogarisim çmimin më të lartë të akceptuar nga ish-zyrtari, atë prej 120 milionë eurosh, kostoja për rivitalizimin do të ishte 360 milionë euro. Dhe në këtë mënyrë, Kosova nuk do ta kishte këtë gjendje elektroenergjetike, me mungesa të energjisë elektrike pas çdo defekti teknik të njërit nga blloqet aktuale.
Në këto tre vjet të qeverisjes së ministres Rizvanolli, nuk u përmbushën as objektivat dhe premtimet te sektori i energjisë së rinovueshme. Në këto vite, pra, Kosova, edhe në vizione të zhvillimit energjetik, edhe në dokumente zhvillimore për të ardhmen (Strategjia energjetike 2022-2031), vend parësor i dha zhvillimit elektroenergjetik në bazë të burimeve të ripërtëritshme, duke konkretizuar këto burime që dominoheshin nga energjia në bazë të erës dhe të diellit. Po e përsërisim: Në Kosovë ende as më 2022, as më 2023 dhe as në këta muajt e 2024-tës, nuk është bërë asnjë nismë ndërtimore, nuk është vënë asnjë gurthemel për ndërtimin e ndonjë kapaciteti të ri për prodhimin e energjisë së gjelbër.
Dhe, përkundër se Kosovës i duhen kapacitete të reja energjetike urgjentisht, edhe sosh të energjisë së rinovueshme, por edhe përkundër se Kosova ka mundësi reale që 2-3 kapacitete 100 megavatësh të energjisë së rinovueshme t’i ndërtojë edhe me para vetanake, nuk pati ndonjë finalizim të ri të ndonjë kapaciteti të prodhimit të energjisë së rinovueshme.
Po bëhet rreth një vjet që kur është shpallur ankandi i parë publik për të ndërtuar një kapacitet solar 100 megavatësh, dhe ende nuk dihet kur do të fillojë ky projekt (deri më tash ka ndodhur 3-4 herë shtyrja e afateve për shpalljen e rrethit të ngushtë të pretendentëve për ta fituar ankandin), dhe kur më në fund u shpallën pretendentët, edhe më tutje zvarritet përzgjedhja e fituesit të ankandit.
Ka mbetur vetëm si vision edhe projekti për instalimin e impianteve solare në djerrinat e krijuara nga hiri i termocentraleve të KEK-ut (bëhet fjalë për ndërtimin e parkut solar në KEK, 100 megavatësh, i inicuar thuaja qe 3 vjet), dhe ende nuk dihet se kur do të ndodhë nisma e implementimit të këtij projekti dhe a do të ndodhë fare në ndonjë afat të afërt apo të largët. Po kështu, nuk dihet saktësisht as në ç’fazë gjendet tani Projekti i impiantit të ngrohjes me energji solare, me kapacitet prej 50 MË që do t’u shërbejë rreth 40.000 qytetarëve në Prishtinë, dhe që në planet dhe vizionet nismëtare për të – thuhej se është “investimi më i madh në historinë e Republikës së Kosovës në energjinë e gjelbër”.
Në këtë mënyrë, faktet nuk tregojnë edhe aq suksese në sektorin e energjisë, të veçuar si suksesin më të madh të ministrisë që e drejton ministrja Rizvanolli. Ndërsa, furnizimi me energji elektrike të konsumit të Kosovës më 2022, 2023 dhe në këta muaj të 2024-tës, goxha stabil dhe ndjeshëm më i mirë se më 2020 dhe më 2021, është edhe rrjedhojë e dimrit të butë dhe me fare pak temperature të ulëta dhe të reshura bore, që në të shumtën ka karakterizuar Kosovën kontinentale në stinën e dimrit. /Buletini Ekonomik/a