Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një konferencë për media para udhëtimit të tij në Prishtinë, ka folur për dinarin. Escobar ka thënë se SHBA i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i marrë shumë seriozisht shqetësimet e ngritura nga komuniteti ndërkombëtar.
Escobar ka theksuar se SHBA s’po e konteston legjitimitetin e vendimit, por për mënyrën dhe shpejtësinë se si është implementuar.
Emisari amerikan ka thënë se është e nevojshme që Qeveria e Kosovës të punojë me komunitetin ndërkombëtar për të gjetur një zgjidhje për vendimin rreth dinarit, vendim të cilin e ka quajtur “katastrofal”
“Jemi duke dëgjuar shumë raportime për vështirësitë. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të marrë parasysh , t’i marrë këto shqetësime të komunitetit ndërkombëtar seriozisht. Ne s’po diskutojmë legjitimitetin e vendimit, por me shpejtësinë që po implementohet. Qeveria s’ka dhënë mënyrë alternative”, ka deklaruar ai.
“Ne kemi nevojë që Qeveria e Kosovës të punojë me komunitetin ndërkombëtar, për të gjetur një zgjidhje, për këtë që ishte një vendim dizaster”, ka thënë Escobar.