Kryeministri Albin Kurti i është kundërpërgjigjur Kandidatit për Kryeministër nga radhët e PDK’së, Bedri Hamzës, i cili mbrëmë tha se Qeveria Kurti nuk ka asnjë projekt me të cilin do të mund të identifikohet dhe se s’ka arritur t’i përfundojë as projektet që i ka gjetur të nisura nga qeveritë e kaluara, duke përmendur rrugët për Podujevë, Mitrovicë, Pejë, Gjilan e Gjakovë.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se do t’i përfundojnë punët që “qeveritë e mëhershme i lanë keq e në gjysmë”, raporton Express.
“Nuk ka qenë e lehtë të zhbëjmë labirintin burokratik, keqplanifikimet me projekte dhe keqmenaxhimet me kontrata, por po ia dalim”, ka shkruar Kurti.
Për rrugën Prishtinë-Mitrovicë, e cila ka nisur para 15 vjetësh, Kurti ka thënë se kanë filluar punimet me hov dhe se nga një rrugë me dy korsi, po kthehet në rrugë nacionale me dy drejtime e katër korsi.
“Puna po vazhdon edhe në rrugën Prishtinë-Podujevë, e cila ka filluar të ndërtohet në vitin 2016, para 8 vjetëve. Atë po e zgjerojmë dhe po ia shtrojmë të shumëpriturat 15 kilometrat e mbetur në segmentin Prishtinë-Lluzhan, për çka kemi ndarë 35 milionë euro”, ka shkruar Kurti.
Për Autostradën Prishtinë-Gjilan, Kurti ka thënë se po shkon drejt përfundimit.
“Mbi 75% të punimeve deri në fshatin Bresalc janë finalizuar. Është ndarë buxheti për vazhdimin e saj deri te Dheu i Bardhë. Jemi të vetëdijshëm për vonesat, por edhe jemi të vendosur që puna të ecë e të përfundojë me cilësinë e duhur dhe sa më pare”, ka deklaruar Kurti.
Ndërkaq ka shtuar se tash së fundmi janë nënshkruar kontratat për fillimin e ndërtimit të rrugës me katër korsi Prishtinë-Pejë, segmenti Kijevë-Dollc, me një gjatësi 12.8 km, në vlerë prej 21 milionë euro.
“E kemi ndarë buxhetin për të vazhduar pastaj me segmentin nga Dollci e deri në Zahaq”.
Ka përmendur edhe rrugën Prizren-Tetovë.
“Më tej, kemi filluar procedurën e prokurimit për ndërtimin e rrugës nga dalja jug e autostradës në Prizren e deri në hyrje të tunelit të rrugës Prizren–Tetovë si dhe ndërtimin e rrugës nga fshati Kërstec në komunën e Sharrit e deri në fshatin Zapod të Bashkisë së Kukësit. Jemi afër përfundimit të urës në Drelaj dhe janë nënshkruar kontratat për ndërtimin e urave në Badoc e Rogovë të Hasit”, thuhet në postimin e Kurtit.
Ndryshe, për arsyetimet e ekzekutivit për mospërfundimin e rrugëve me problemet me shpronësime, Hamza mori shembull Rrrugën e Kombit dhe Autostradën “Arbën Xhaferi”.
“Nuk ka investime kapitale. Me cilin projekt do me u identifiku Qeveria aktuale. Cilat janë ata. Nuk i ka përfunduar as ato që i ka gjetur të fillume, si psh rruga për Podujevë, rruga për Mitrovicë, rruga për Pejë, rruga për Gjilan, rruga për Gjakovë… Po e marrim shembull Rruga e Kombit, as s’ka ekzistu projekti, as s’kanë ekzistu paret e as pronësimet, u ba. Autostrada “Arbën Xhaferi”, as s’kanë ekzistuar projekti teknik, as shpronësimi, as paratë, por u bë. Mijëra kilometra rrugë”, ka deklaruar Hamza.