Në Kosovë, edhe në Ditën Ndërkombëtare të Konsumatorit, edhe në ditët e tjera të rëndomta, konsumatorët janë jashtë vëmendjes institucionale, ndërsa qytetarët ankohen vazhdimisht për keqpërdorime dhe abuzime të shumta dhe të lloj-llojshme brenda për brenda ambienteve tregtare. Ankohen për manipulime dhe shitje të produkteve me afate të skaduara, me mospërputhje të çmimeve në rafte me ato në arkë dhe me cilësinë diskutabile të shumë produkteve, sidomos të atyre ushqimore.
Mehmet GJATA
15 marsi, Dita Botërore e të Drejtave të Konsumatorit, në Kosovë shënohet vetëm nga mediet. Pak historik, dhe dy tre fjali për të kujtuar se “kjo ditë shënohet me qëllim për të rritur ndërgjegjësimin global dhe vetdijësimin për të drejtat dhe nevojat e konsumatorëve”, është pak a shumë e gjithë përmbajtja e teskteve dedikuar kësaj dite. Ndërkohë, në shtetet normale të botës, Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit, shpërfaqë interesim të shtuar dhe më konkret institucional për ta pasur vëmendjen te konsumatorët dhe të mbrojtja e tyre.
Dedikimi i një dite ndërkombëtarisht për konsumatorët, e ka qëllimin, parasëgjithash, në mbrojtjen e tyre, e që nënkupton ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë së konsumatorëve, si dhe mbrojtjen e tyre nga çdo tentativë dhe përpjekje abuzive të tregtarëve të prirur për manipulime dhe keqpërdorime tregtimi, qoftë me çmime, sasi apo cilësi të produkteve të ekspozuara në treg.
Në Kosovë, edhe në Ditën Ndërkombëtare të Konsumatorit, edhe në ditët e tjera të rëndomta, konsumatorët janë jashtë vëmendjes institucionale, ndërsa qytetarët ankohen vazhdimisht për keqpërdorime dhe abuzime të shumta dhe të lloj-llojshme brenda për brenda ambienteve tregtare. Ankohen për manipulime dhe shitje të produkteve me afate të skaduara, me mospërputhje të çmimeve në rafte me ato në arkë dhe me cilësinë diskutabile të shumë produkteve, sidomos të atyre ushqimore.
Në anën tjetër, asociacionet e ndryshme, OJQ-të që merren me të drejtat e konsumatorëve, më shumë shquhen me evidentimin e këtyre parregullsive, se sa me ndonjë efekt në parandalimin e abuzimeve të tejdukshme. Këto asociacione vazhdojnë të konstatojnë se një nga shkaqet e forta të manipulimve dhe abuzimeve të tregtarëve, ende sot e kësaj dite, është mungesa e inspektorëve dhe kapacitetet e limituara njerëzore.
Një nga insistuesit e kahershëm të domosdosë së mbrojtjes institucionale të konsumatorëve dhe që nuk prau asnjëherë ta ngrisë zërin ndaj abuzimeve të shumta me të drejta të konsumatorit, Selatin Kaçaniku, ka potencuar disa herë pasojat e mungesës së inspektorëve për t’i mbikëqyrur parregullsitë në rrjetet tregtare kosovare. Por, ende, nuk ka numër inspektorësh të mjaftueshëm as në nivelin qendror e as në atë komunal.
Dihet, Kosova ka miratuar Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve në qershor të vitit 2004 dhe i njëjti përfshin të drejtën e informimit, sigurisë, të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u dëgjuar. Por, edhe kjo ditë e dedikuar për ta, edhe legjislacioni në fuqi në Kosovë, akoma, sot e kësaj dite, janë shumë larg së bashkëjetuari me konsumatorin kosovar. Ata akoma, as që i pyet ndokush për ndonjë gjë, për ndonjë proces të ecurive të konsumit, të ecurive të çmimeve, të tregtimit të produkteve me afate të skaduara dhe të atyre me cilësi të diskutueshme.
Konsumatori i varfër kosovar, siç ndodhi gjatë tërë vitit 2022 dhe 2023, sidomos, u përballë me çmime rekorde, më të lartat në botë, të cilat i aplikuan tregtarët por edhe prodhuesit shqiptarë të Kosovës, përfitues të situatave të krizës, manipulues ordinerë, pak a shumë me identitet të njohur që më parë (të evidentuar për veprime të njëjta në shumë raste më përpara), qoftë te disa produkte elementare ushqimore, qoftë te karburantet, por edhe te produktet e tjera më pak të konsumueshme. Në këtë mënyrë, me këto çmime rekorde, konsumatori i skamur kosovar u vu para aktit të kryer nga ky soj tregtarësh, të cilët duke shfrytëzuar situatën, të krekosur madje, u drejtoheshin konsumatorëve me shpërfillje totale: ”Lëre, ose merre”, pavarësisht çmimit enorm dhe të ngritur në stratosferë.
Natyrisht, ky soj tregtarësh, me kohë kishte propaganduar pa rreshtur dhe nëpërmjet shpalljeve publike të vendosura në shtandet e produkteve qenësore ushqimore, se gjoja sasia e produktit me çmim rekord botëror “është e limituar”, prandaj edhe ofronin produkte numerikisht të kufizuara për blerësit. Dhe, konsumatori i skamur i Kosovës, i alarmuar jo pak nga kjo propagandë e ndyrë e tregtarëve mashtrues, në jo pak raste është detyruar të futet në borxhe financiare për të siguruar, edhe në këto kushte, një litër vaj, disa kilogramë miell dhe ndonjë produkt të shpallur si “i limituar” nga tregtarët abuzivë kosovarë.
Kontrollet e ushtruara nga institucionet kompetente të vendit pas shfrenimeve të egra të çmimeve, dëshmuan për të gjitha këto keqpërdorime, që vazhduan të ndodhin, edhe në ditët në vigjile të Ditës Ndërkombëtare të Konsumatorit, duke e vendosur konsumatorin e këtij vendi në pozita të palakmueshme, në gjendje ankthi, shqetësimi dhe tronditjeje serioze.
Në gjithë këtë kaos dhe trishtim të krijuar nga çmimet enorme të ngritura, shumëkush vazhdon të thotë se çka ka pasur mundësi të bëjë shteti dhe institucionet e tij në këto rrethana, kur Kosova është shtet demokratik kapitalist me rregullim shoqëror ku duhet të vlejë edhe te tregtimi – parimi i ofertës dhe kërkesës dhe kur shteti nuk ka të drejtën që të “përzihet” as të diktojë trendet e ecurive të çmimeve. Të gjitha këto dilema edhe mund të shprehen dhe të shpërfaqen në publik, mirëpo duhet të shpjegohet poashtu se në asnjë vend demokratik nuk lejohet kaosi dhe anarkia edhe në ecuritë e çmimeve. Nuk lejohet, pra askund në botë rrezikimi i ekuilibrit social të shtetit, siç ndodhi në dhjetëditëshin e parë të marsit të sivjetshëm tek ne. Për ta evituar këtë kaos, shteti me kohë, edhe tani në demokraci, ka krijuar organizma-institucione që do të duhej dhe janë të obliguar ligjërisht për ta ruajtur stabilitetin e çmimeve në vend.
Kosova, pra nuk është që nuk i pati këto institucione. Sipas Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), objektiva e dytë e BQK-së është ruajtja e stabilitetit të çmimeve, por, që nga fillimi i pandemisë e deri më tani, BQK-ja nuk ka bërë asgjë në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Nuk ka bërë asgjë thuaja për të ndalur kaosin dhe anarkinë në ecuritë e çmimeve në Kosovë as Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKRK), as ministrja Rozeta Hajdari, as Artane Rizvanolli, as Qeveria e Kosovës si tërësi institucionale, e as OJQ-të, jo të pakta, që kinse merren me këtë problem. Të gjithë këta të apostrofuarit dhe institucionet e tjera të shumta të shtetit kanë pasur mundësi që me shkëndijat e para të shpërfaqjes së krizës nga pasojat e paralajmërimit të ngritjes artificiale dhe të vrullshme të çmimeve, t’i zbusin diku-diku ato, t’i parandalojnë dhe t’i frenojnë së paku.
Përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekonomistë, nuk është se nuk kërkuan bukur herët nga Qeveria e Kosovës të vendosë masa për t’i mbrojtur qytetarët nga rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe karburanteve në tregun vendor dhe për të rritur angazhimin për monitorimin e tregut. E kërkuan ndërmarrjen e masave edhe ekspertët dhe njohësit e rrethanave të ecurisë së lëkundjes së çmimeve. Por, këto kërkesa, praktikisht ranë në “vesh të shurdhër”. Nuk u ndërmorrë asgjë, përveç disa subvencioneve për biznese dhe për agrarin kosovar. Dhe, këtë shurdhim dhe heshtje institucionale e shfrytëzuan batakqinjtë, tregtarët mashtrues dhe të pacipë. I ngritën çmimet dhe i bënë ato, ndër më të lartat në botë. Dhe me këtë veprim i bënë dëm kolosal shtetit dhe pushtetit, por më shumë se kaq, dëmi i pakompenzueshëm është shqetësimi dhe rrezikimi real i paqes sociale edhe ashtu të brishtë në Kosovë, varfërimi edhe më tej i kosovarëve të skamur me vite dhe ankthi i shkaktuar nga çmimet rekorde, të papara deri më tani për ardhmërinë e banorëve të këtij vendi.
Në Kosovë, vazhdojnë të ndodhin edhe abuzimet me tregtim të produkteve me afate të skaduara, me ndryshim të çmimeve në rafte nga ato në arkë, me mosdhënie të kuponave fiskalë, me çmimet e ulura të rrejshme në të ashtuquajturat çmime “aksion”, me uljet e çmimeve sezonale atj. Dhe nga kjo mori abuzimesh, vazhdon të pësoj veçmas konsumatori i pambrojtur i vendit. /Buletini Ekonomik/