Kosova, pa politika dhe pa strategji të mbrojtjes sociale

Të gjitha qeveritë, pa përjashtim, dhe pavarësisht nga cili subjekt politik kanë qeverisur Kosovën që nga viti 2000 e deri më tani, politikat sociale i kanë margjinalizuar skajshmërisht, dhe ato, praktikisht, nuk kanë ekzistuar në këto qeverisje. Në këtë mënyrë, Kosova, sot, më 2024, akoma nuk ka ndonjë politikë sociale të efektshme, as strategji qoftë afatshkurtër as afatgjate, ndërkohë që të dhënat dhe statistikat alarmante flasin për numra të pafund të kosovarëve që kërkojnë ndihmë dhe përkujdesje nga shteti i vet edhe për mbijetesë.

Buletini Ekonomik

Kosova, në të gjitha periudhat e pasluftës, ka dështuar për të pasur një strategji shtetërore ose kombëtare, qoftë edhe modeste të mbrojtjes sociale. Të gjitha qeveritë, pa përjashtim, dhe pavarësisht nga cili subjekt politik kanë qeverisur Kosovën që nga viti 2000 e deri më tani, politikat sociale i kanë margjinalizuar skajshmërisht, dhe ato, praktikisht, nuk kanë ekzistuar në këto qeverisje. Në këtë mënyrë, Kosova, sot, më 2024, akoma nuk ka ndonjë politikë sociale të efektshme, as strategji – as afatshkurtër as afatgjate, ndërkohë që të dhënat dhe statistikat alarmante flasin për numra të pafund të njerzëve, të kosovarëve pra, që kërkojnë ndihmë dhe përkujdesje nga shteti i vet edhe për mbijetesë.

Republika jonë ende nuk ka strategji nacionale të mbrojtjes sociale, nëpërmjet së cilës do të synohej së paku zbutja e varfërisë për individët e varfër dhe për përmirësimin e jetesës për personat me aftësi të kufizuara përmes mbështetjes me skemat financiare. Nuk ka një strategji, që ndër të tjera, do të synonte edhe zgjerimin e shërbimeve sociale dhe konsolidimin e procesit të shërbimeve ekzistuese të kujdesit social për financim të qëndrueshëm për kosovarët që realisht kanë nevojë për ndihmat nga shteti.

Të përkujtojmë se shumica e shteteve të rajonit, pak a shumë me deficite të ngjashme të mjeteve financiare nga arka e shtetit, tashmë kanë krijuar strategjitë e tyre të mbrojtjes sociale, kanë ndërmarrë edhe një numar masash të tjera për ta zbutur institucionalisht varfërinë në shtetet e tyre, kanë rritur pensionet disa herë në këto vite (në disa vende të rajonit sipas rritjes së shkallës së inflacionit), si masë të domosdoshme për t’ua lehtësuar sadopak pensionistëve të tyre jetën në vitet e pleqërisë.

Reklama e sponzorizuar

Edhe Shqipëria, ndër shtetet akoma më të varfëra jo vetëm në Ballkan, këto ditë, ndër të tjera, ka miratuar Strategjinë Kombëtare të Mbrojtjes Sociale 2024–2030, vendim ky i botuar edhe në Fletoren Zyrtare të këtij shteti. Me këtë vendim, parashikohet të shpenzohen 2,3 miliardë euro për zbutjen e varfërisë në Shqipëri, ndërsa 96 për qind e kësaj shume do të mbulohet ndër vite nga buxheti i shtetit.

Ndërkohë, në Kosovë edhe më tutje, autoritetet dhe institucionet vazhdojnë të mos i përfillin kërkesat e shtuara për të pasur dhe për të zbatuar politika sociale të pranueshme, të zbatueshme dhe të efektshme për përkujdesjen sociale ndaj popullsisë së vet, numerikisht jo të papërfillshëm.

Për numrin e personave që kanë nevoja reale për ndihmë institucionale, në këto vitet e fundit ka raportuar në shumë raste Buletini Ekonomik. Sipas të dhënave statistikore, në fund të 2023-tës, nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 20 mijë e 379 familje me rreth 80 mijë anëtarë. Në të gjitha komunat e Kosovës statistikat e varfërisë janë alarmuese.

Sipas statistikave nga ASK-ja, nga skema e pensioneve bazike të moshës, më 2023 ishin rreth 150 mijë përfitues; nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 48 mijë e 783 përfitues; nga skema për veteranët e luftës janë 36 mijë e 875 përfitues; dhe nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 20 mijë e 616 përfitues. Të gjitha këto kategori janë potencialisht varfanjakë, po qe se nuk kanë ndonjë ndihmë nga familjarët (fëmijët, apo ndonjë i afërm tjetër).

Sipas të gjitha të dhënave të publikuara nga institucione dhe asociacione të ndryshme, njerëzit më të goditur dhe që po e përjetojnë tash e një kohë të gjatë “në lëkurën e tyre” varfërinë e madhe të Kosovës janë pensionistët, afro 200 mijë veta, (bashkarisht pensionistët me pension të pleqërisë, që në Kosovë ka vite është i kornizuar në 100 euro në muaj, dhe pensionistët që gëzojnë pensione në bazë të kontributëdhënies, pensioni i të cilëve sillet nga më pak se 200 deri në 265 euro maksimalisht).

Pensionisti kosovar, nëse nuk ka ndihmë tjetër, qoftë nga familja e ngushtë, apo farefisi, nuk ka mundësi të përmbyllë muajin në asnjë mënyrë me të ardhurat nga pensioni i tij. Nuk ka mundësi të ushqehet asesi si duhet, nuk ka mundësi të blejë barnat e domosdoshme, nuk ka mundësi të pijë një kafe me kolegët, ndërsa për ndonjë pushim eventual as që mund të bëhet fjalë. Me 100 euro pension (numri dërrmues i pensionistëve në Kosovë janë të kategorisë së të moshuarve, siç shihet nga shifra e sipërshënuar), thjesht nuk ia del, nuk ka asnjë mundësi të plotësojë as nevojat elementare.

Por, varfëria në Kosovë ka prekur edhe njerëz të tjerë, të kategorive të ndryshme si dhe ekonomi familiare të shumta numerikisht. E keqja bëhet edhe më e madhe, kur dihet se asnjëra nga bankat aktuale nuk krediton pensionistët, madje as me kredi konsumuese. Përfaqësues të UNDP-së kanë treguar për media se të gjeturat kryesore nga një anketë e realizuar në korrik të 2023-tës, ku janë përfshirë 1.500 ekonomi familjare, kanë dëshmuar se përkundër faktit se të hyrat ekonomike nuk janë rritur në vitet e fundit, shpenzimet për nevoja bazike janë rritur shumë. Bie fjala, në vitin 2021, te shpenzimet në ushqim, 38 për qind të ekonomive familjare i kanë shpenzuar mbi 200 euro në muaj për ushqim, ndërkohë që në vitin 2023 ky numër i familjeve ekonomike që kanë shpenzuar mbi 200 euro në muaj për nevoja ushqimore është rritur 59.5 për qind.

Rezultatet nga anketa kanë treguar gjithashtu se 20 për qind e ekonomive familjare janë më të varfra në vitin 2023 nëse i krahasojmë me dy vitet e mëparshme, ndërsa e dhënë e trishtueshme është se 16 për qind të ekonomive familjare jetojnë nën nivelin e varfërisë, respektivisht në varfëri ekstreme, ose vetëm me 1.85 euro në ditë. S’do mend se në këto të dhëna të frikshme të varfërisë, ndikim të madhe ka pasur ngritja e vazhdueshme e egër e çmimeve, sidomos e produkteve esenciale ushqimore.

Kosova, siç u njoftua kohë më parë nga mediet, është renditur sërish nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) si shteti më i varfër i Evropës më 2023, bazuar në të ardhurat për frymë, që maten duke llogaritur fuqinë blerëse, një tregues real se sa vlerë ka paraja për banorët e një vendi. Të ardhurat për kokë banori, sipas FMN-së, në Kosovën e renditur të fundit në Evropë, në këtë vit janë saktësisht 15.6 mijë dollarë ndërkombëtarë, Shqipëria, që FMN-ja në Pasqyrën Ekonomike Globale 2023, e ka ranguar të parafundit për nga varfëria, ka 19 mijë dollarë ndërkombëtarë për frymë, ndërsa ndër shtetet e rajonit, të vlerësuara thuaja të gjitha ende të varfëra nga FMN-ja, pasojnë: Bosnjë e Hercegovina me 19.6 mijë dollarë ndërkombëtarë, Maqedonia e Veriut 21.1 mijë, Serbia me 25.4 dhe në krye të rajonit vijon të qëndrojë Mali i Zi, me 27.6 mijë dollarë ndërkombëtarë.

Ndërkohë, për të pasur një pasqyrë më të përafërt të domethënies së këtyre shifrave në varfërinë e një shteti, duhet bërë të ditur se mesatarja e Europës është gati 50 mijë dollarë ndërkombëtarë për kokë banori. Edhe treguesi tjetër direkt i përcaktimit të varfërisë së një vendi, ai i Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, të cilin Kosova në vitin 2023 e kishte 5.600 dollarë, e rendit të fundit Kosovën. Dhe, ç’është më keq, parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar shtrihen deri në vitin 2028, ku sërish si Kosova ashtu dhe Shqipëria, vlerësohet se do të vijojnë të mbeten më të varfërat e Europës.

Dhe, njohësit e rrethanave, ekspertët, analistët, por edhe mediet, nuk e kanë fare të qartë, çka pastaj, a do të zbuten në vitet pas 2028-tës përmasat tronditëse të varfërisë, si dhe a do të ketë më pak të varfër numerikisht, kategori të ndryshme varfanjakësh që presin vazhdimisht dorën e ndihmës së shtetit. Dhe, këto fakte dhe shifra që pasqyrojnë drejtpërdrejt gjendjen sociale aktuale në Kosovë (që pak a shumë, me pak ndryshime, është e ngjashme tani e 24 vjet ), do të duhej të jenë alarm i mjaftueshëm për zyrtarët e Republikës, që edhe në këto rrethana të mungesës evidente të potencës financiare të shtetit, të jenë shumë më të ndjeshëm, që nënkupton, shumë më të vëmendshëm për përkujdesjen për shtresat e varfëra të vendit. Për të qenë më të ndjeshëm, dhe më të vëmendshën ndaj këtyre kategorive të shetasve të vet, Kosova duhet të nisë krijimin dhe zbatimin e politikave më të efektshme sociale. Kosova duhet të shikojë përvojat e shteteteve pak a shumë me gjendje financiare identike me vetëvetën, dhe pse jo, të aplikojë politikat e dëshmuara sociale nga to. Do të duhej ta ketë parasysh edhe Shqipërinë, po ashtu të varfër si ne, miratimin e Strategjisë Kombëtare të Mbrojtjes Sociale 2024–2030 për shqiptarët atje. Shqipëria ka mundur të parashikojë shpenzimin e 2,3 miliardë eurove në periudhën e ardhshme 6-7 vjeçare. Edhe Kosova, pa dyshim, megjithë varfërinë e ndjeshme që me vite e përcjellë, do të gjente shuma parash, qofshin ato edhe më modeste se ato të shtetit shqiptar për të aplikuar politika më rezultative dhe më të efektshme për zbutjen e varfërisë. Por, për ta ndjekur shembullin e Shqipërisë, duhet para se gjithash të ketë vullnet politik të pushtetit aktual dhe të subjekteve politike opozitare. /Buletini Ekonomik/