Masat ndëshkuese të BE-së, tashmë 8 muaj e sa pas aplikimit (BE ka aplikuar masat ndëshkuese ndaj Kosovës në maj të 2023-tës) kanë prodhuar efekte dhe pasojat e tyre janë të prekshme, pavarësisht se kjo nuk po theksohet edhe aq publikisht, sidomos nga autoritetet e vendit. Masat ndëshkuese të BE-së kanë ndikuar tashmë në mbarë ritmet e zhvillimit ekonomik, dhe sidomos në përmbushjen e shumë parashikimeve dhe të afateve konkrete të realizimit të projekteve të ndryshme investuese.
Mehmet GJATA
Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës (sanksione të shprehura në stopimin e shumë zotimeve financiare, ndaljen pa shpjegime të hollësishme të projekteve të shumta të mbështetura pjesërisht ose tërësisht financiarisht nga institucione të ndryshme ndërkombëtare financiare), sado që janë kryekëput me motive politike, tashmë po shpërfaqin edhe ndikimin e drejtpërdrejtë dhe të tërthortë në zhvillimet ekonomike të vendit.
Thënë shkurt, masat ndëshkuese të BE-së, tashmë 8 muaj e sa pas aplikimit (BE ka aplikuar masat ndëshkuese ndaj Kosovës në maj të 2023-tës) kanë prodhuar efekte dhe pasojat e tyre janë të prekshme, pavarësisht se kjo nuk po theksohet edhe aq publikisht, sidomos nga autoritetet e vendit. Masat ndëshkuese të BE-së kanë ndikuar tashmë në mbarë ritmet e zhvillimit ekonomik, dhe sidomos në përmbushjen e shumë parashikimeve dhe të afateve konkrete të realizimit të projekteve të ndryshme investuese.
Njohësit e rrethanave por edhe burime të sigurta të Buletinit Ekonomik, nuk e fshehin dronë se nga këto masa ka pasoja jo të pakta Kosova, sidomos në sektorin e investimeve, e veçmas të investimeve të jashtme. Sipas tyre, sanksionet ose masat, si rrjedhojë e zhvillimeve politike në veri të vendit, të aplikuara që në majin e 2023-tës, kanë bërë që investitorët ndërkombëtarë të hezitojnë ta investojnë kapitalin e tyre në Kosovë, madje edhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Por, veç këtij hezitimi të tejdukshëm, në disa raste, mjete të shumta nga grante të ndryshme të dedikuara për Kosovën nga bashkësia ndërkombëtare dhe sidomos nga shtetet e BE-së që me aplikimin e masave pa sqarime fare, kanë mbetur të pashfrytëzuara për shkak të ngrirjes së tyre nga zotuesit.
Një njohës i zhvillimeve në sektorin e investimeve, por që kërkon anonimitetin, është konkret kur nis e numëron projektet që janë stopuar si pasojë e masave. Sipas tij, edhe shtyrja e vazhdueshme e afateve nga ana e Ministrisë së Ekonomisë për pranimin e ofertave në ankandin e parë solar në Kosovë (afati për dorëzimin e ofertave për kompanitë është ndryshuar katër herë), është pasojë e sanksioneve ekonomike nga ndërkombëtarët.
Nga 15 gushti, afati u ndryshua më 3 shtator. Pak kohë para përfundimit, afati ndryshoi sërish, këtë herë më 16 tetor. Krejt në fund, për herë të katërt, afati tani është përcaktuar për fund të muajit janar 2024. Siç kanë raportuar mediat e Kosovës, lajmi për shtyerjen e ankandit nuk është mirëpritur nga pjesëtarë të shoqërisë civile, të cilët kanë kërkuar sqarime të plota mbi vonesat dhe informimin e publikut për secilin hap të këtij procesi.
Madje INDEP, nëpërmjet një komunikate për medie ka vu në dukje se “shtyrja e afateve kohore dëmton besueshmërinë e procesit dhe dërgon sinjale negative tek investitorët potencial dhe ofertuesit dhe kanë kritikuar Ministrinë e Ekonomisë e edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës se “nuk po informojnë publikisht shtyerjet e këtyre afateve”.
“As edhe një herë të vetme, nuk është bërë publike shtyerja e afateve për dorëzimin e ofertave nga ofertuesit, dhe informacioni i tillë bëhet i ditur vetëm përmes qasjes në Portalin e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë së Kosovës. Pompoziteti i dhënë me rastin e lansimit të kësaj skeme mbështetëse, do të duhej që së paku të ishte transparent edhe përgjatë ndryshimeve të bëra në këto kohë”, paten thënë nga INDEP.
Ndërkohë, më në fund, në shkurt të 2024-tës është bërë hapja e ofertave të pretendentëve pjesëmarrës në këtë ankand dhe është bërë me dije se janë katër pretendentë të përzgjedhur për të garuar për ankandin. Por, pastaj edhe pse kaloi goxha një kohë, ende nuk ka asnjë fjalë rreth përzgjedhjes së fituesit të ankandit. Zyrtarisht, nuk thuhet pse po ndodhë kjo zvarritje, por burime të ndryshme të Buletinit Ekonomik, katë ia atribuojnë masave ndëshkuese.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, edhe gjatë vizitës që ka zhvilluar në Francë dhe Gjermani, në fund të vitit të kaluar, ku sipas komunikatave të kësaj ministrie, kishte takuar përfaqësuesit e kompanive nga fusha e energjisë (përfaqësuesit e Siemens Energy, SENS LSG GmbH, Gutami Solar Development International BV, JM ProjektInvest GmbH & Co. KG dhe GE, kurse në Paris ka takuar përfaqësuesit e Voltalia dhe Akuo Energy), me ç’rast ua ka prezantuar “Pakon Investive e Energjisë në Kosovë 2023-2025”, vetëm ishte shprehur se kjo Pako “ofron mundësi tërheqëse investimi për kompanitë e energjisë”, por pa thënë asnjë fjalë të vetme se si do të ishte e mundshme të jetë Kosova tërheqëse nën sanksionet që tashmë po dalin goxha të rënda dhe të ashpra.
Rizvanolli nuk e tha asnjë fjalë as se si do t’i sigurojë Kosova 1.2 miliardë euro për të ndërtuar kapacitete 950 megavatësh, siç parashihet me “Pakon Investive të Energjisë në Kosovë 2023-2025”, nën ‘regjimin” e sanksioneve ekonomike.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se sa i përket kapaciteteve gjeneruese, gjatë viteve 2023-2025 do të kontraktohen investime në vlerë 1.2 miliard euro, me anë të të cilave do të ndërtohen 950 megavat kapacitete të reja energjetike, përfshirë investime private, publike dhe publiko-private, por pa sqaruar mënyrën e sigurimit të këtyre mjeteve nën sanksione. Rizvanolli, edhe në një nga seancat e fundit të Kuvendit në vitin e kaluar, ku u diskutua projektbuxheti për vitin 2024, pos që parashiikoi se “projekti i baterive me MCC-në do të fillojë të zbatohet pas 18 muajsh pas nënshkrimit të marrëveshjes, dhe se koha e zakonshme e fillimit të zbatimit të marrëveshjes është dy vjet pas nënshkrimit”, nuk foli për shkaqet e shtyrjes së zbatimit të këtij projekti të promovuar parreshtur tash e më shumë se 1 vjet.
Po kështu, ajo nuk shpjegoi para deputetëve pse po shtyhet deri “në fund të vitit 2024 shpallja e procedurave për parkun solar prej 100 megavatësh në KEK dhe ngrohjen solare në Prishtinë, me kosto bashkarisht 180 milionë euro”. Pak a shumë ngjashëm ka ndodhur edhe me projektin për vendosjen e elektrofiltrave në termocentralet Kosova B, i parashikuar dhe i planifikuar që nga viti 2019 të realizohet me mjete të BE-së. Fillimisht, siç dihet, ky projekt është shtyrë disa herë për shkak të pandemisë, por kur të gjithë zyrtarët e KEK-ut, mendonin se më në fund, në pranverën e 2024-tës do të fillojë ky projekt i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për ta freskuar Kosovën B, për t’ia zgjatur jetën këtij termocentrali të stërvjetëruar dhe për të krijuar kushte të favorshme për mbrojtjen e ambientit nga këto termocentrale, prap është shtyrë për vitin 2025. Për këtë shtyrje, investuesi (BE-ja) është arsyetuar se kanë dalur ca probleme rreth projektit. Ndërkohë, në KEK teksojnë se ata janë të gatshëm fare për t’ia nisur punëve të instalimit të elektrofiltrave dhe se të gjitha punët e kërkuara paraprake janë kryer sipas rekomandimeve dhe kërkesave të investitorëve.
Në KEK, nuk i kanë të njohura shkaqet pse është shtyrë sërish ky projekt, por shprehen se “respektojnë kërkesat për shtyrje të investuesit”. Ndërsa, shumë bashkëbisedues të Buletinit Ekonomik brenda sistemit elektroenergjetik të Kosovës, edhe këtë shtyrje e ndërlidhin me masat ndëshkuese ende në fuqi. Këto janë faktet dhe zhvillimet rreth projekteve të sipërpërmendura.
Por ka edhe efekte evidente të tjera të stopimit të nisjes, të vazhdimit dhe të përmbylljes së shumë projekteve si rrjedhojë e ndaljes që nga maji i 2023-tës të mjeteve financiare të zotuara nga investitorë potencial të jashtëm, por edhe nga institucione ndërkombëtare financiare. Tani, është e pakuptueshme tendenca dhe përpjekjet e autoriteteve për të heshtur pasojat e këtyre sanksioneve, kur ato janë të shpërfaqura, po veprojnë dhe po kanë ndikim imponues në proceset zhvillimore të Republikës. Prandaj, duhet të shprehen efektet qoftë edhe me shifra, të masave ndëshkuese të BE-së. Ato, fundja, nuk i zgjodhi Kosova.
Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë në Kosovë, Emrush Ujkani, kohë më parë, për medien e vendit kishte thënë se “sa herë që bisedohet për mundësinë e ardhjes së ndonjë kompanie të huaj në Kosovë, mbizotëron tema e veriut”.
Edhe Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, thotë se “Investitorët e huaj nuk e kanë parë me sy të mirë Kosovën në këta 24 vjet dhe perceptimi i tyre vazhdon të rëndohet sa herë që ka tensione në pjesën veriore”. Sipas tij, “në çdo takim me investitorë potencial ndërkombëtarë, pjesa më e madhe e kohës shpenzohet në riparimin e dëmit që i bëjnë tensionet në veri imazhit të Kosovës”.
S’do mend se masat e Bashkësisë Ndërkombëtare që kanë përfshirë pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, përfshirë ato nga IPA – Instrumentet e Para-Anëtarësimit në BE – dhe nga Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor, sado që në fillim u tha se nuk pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë negativ, apo të prodhojnë humbje financiare për bizneset, tashmë po i shpërfaqin pasojat e tyre. Thjesht, janë stopuar shumë fonde e financa të parapara e të zotuara për projekte konkrete, kanë pezulluar nënshkrimin e kontratave të reja për të suportuar financiarisht bizneset kosovare etj.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna tha ditë më parë për medien se afër 300 milionë euro është vlera e projekteve të pezulluara që duhej të financoheshin nga Bashkimi Evropian.
“Të gjitha këto projekte kanë qenë të parapara të implemetohen si projekte kapitale që kishin me shku drejtpërdrejt në të mirë të zhvillimit ekonomik por edhe të ngritjes së një mirëqenie sociale për qytetarët e Kosovës. E dyta është pamundësia e Kosovës ose moslejimit të Kosovës që të përfitojë prej fondeve të ndryshme të Bashkimit Evropian siç ishte fondi për digjitalizim ku të gjitha e vendet e rajonit morën pjesë kurse Kosova u përjashtua për shkak të masave të cilat i ka në fuqi”, tha zoti Rafuna.
Tani, po dëgjohen zëra se masat janë të ndërlidhura me zgjedhjet në veri të Kosovës, përkatësisht se ato do të zgjasin derisa të zgjedhen kryetarët e katër komunave nga komuniteti serb i atjeshëm. Po kështu, masat po ndërlidhen edhe me kthimin e tokave Manastirit të Deçanit. Bashkimi Evropian siç dihet, kishte kërkuar uljen e tensioneve në veri të vendit përmes një plani që parasheh pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës, në mënyrë që të pezullohen masat.
Në anën tjetër, autoritetet e Kosovës po i bëjnë thirrje Bashkimit Evropian që të hiqen masat ndëshkuese meqë, sipas tyre, janë përmbushur kërkesat evropiane, ndërsa po kërkojnë që rruga e integrimeve evropiane të mos kushtëzohet me dialogun me Serbinë.
“Është një qëndrim i vendosur që masat të hiqen sa më shpejt që është e mundur, por më e rëndësishmja duhet të jetë që procesi i dialogut duhet të ndahet nga procesi integrues i Kosovës në Bashkimin Evropian në mënyrë që ne si vend të përqendrohemi në avancimin e aspiratës për integrim”, ka thënë jo një herë zëvendëkryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
Si do të zhvillohet më tutje situata e krijuar nga masat ndëshkuese, mbetet të shihet, ndërsa për Kosovën e vogël dhe të varfër ndikimi i sanksioneve ndërkombëtare është i tejdukshëm tashmë. /Buletini Ekonomik/