Qeveritë që kanë udhëhequr deri më tani, nuk kanë bërë mjaftueshëm që bizneset prodhuese të jenë sa më konkurruese dhe të krijojnë vende të reja pune. Kështu theksojnë njohës të ekonomisë për Radio Kosovën, ndërsa vlerësojnë se duhet rishikim i politikave fiskale dhe lehtësira të barrierave për zhvillim të bizneseve.
Kosova ka krijuar një ekonomi konkurruese të qëndrueshme që është në harmoni me politikat e BE-së, por ka shumë për të bërë që biznesi prodhues të jetë sa më konkurrues dhe të krijojë sa më shumë vende të reja pune. Kështu thotë për Radio Kosovën ekonomisti Ismet Mulaj dhe Erton Bega.
“Në këtë drejtim, jo vetëm kjo qeveri, por edhe qeveritë e kaluara kanë bërë shumë pak. Kosova ka trashëguar politika të hapura ndaj tregjeve të tjera, shumë pak politika stimuluese për prodhimin e Kosovës, edhe pse ka pas iniciativa të ndryshme, por nuk kanë qenë të mjaftueshme. Politika e çmimeve, mungesa e prodhimit vendor dhe mungesa e konkurrencës lojale. Ne, jemi dëshmitarë që një pjesë e madhe e territorit të Kosovës, nuk monitorohet, pra është informal, në veçanti pjesa veriore e vendit”, tha Mulaj.
Edhe njohësi i ekonomisë, Erton Bega, duke folur për Radio Kosovën, thotë se pritjet nga kjo qeveri kanë qenë më të mëdha. Ai thotë se duhet lehtësuar politikat fiskale, për t’u zhvilluar bizneset.
“Ajo çka kemi pritur nga kjo qeveri është që të miratojë ligje që do t’i përkrahnin bizneset prodhuese, ekonomia rritet kur rritet prodhimi dhe shërbimet që gjenerohen në Kosovë. Ka shumë mënyra sesi mund ta rritë ekonominë qeveria: t’i shikojë politikat fiskale për bizneset e reja në fushën e prodhimit dhe t’u krijojë lehtësira tatimore në vitet e para”, tha Bega.
Ekonomistët vlerësojnë se në mungesë të strategjive për lehtësim të krijimit dhe zhvillimit të bizneseve, shumica e produkteve janë të importuara, duke sjell si rezultat edhe inflacionin e lartë.