Në ASK, zyrtarët e saj u deklaruan sot se janë të bindur se janë përgatitur mjaftueshëm dhe se nuk presin ndonjë sfidë të papërballueshme gjatë regjistrimit. Janë të sigurrta tashmë edhe mjetet e nevojshme që do të mbulojnë koston e këtij regjistrimi në shumën 12 milionë e 767 mijë euro. Këto mjete i ka dhënë Qeveria e Kosovës (diku rreth 95 për qind) dhe 5 përqindëshi i tyre janë donacione.
Buletini Ekonomik
Zyrtarët e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) janë shprehur sot se janë tërësisht të përgatitur dhe të gatshëm për ta realizuar suksesshëm regjistrimin e popullsisë në Kosovë, që do të bëhet nga 5 prilli deri më 17 maj 2024.
Avni Kastrati, ushtrues detyre i drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Burim Limolli, udhëheqës i grupit punues për IT, Idriz Shala, udhëheqës i GIS në ASK, në një konferencë shtypi, të mbajtur në ambientet e ASK-së sot, kanë paraqitur një mori shifrash dhe të dhënash për regjistrimin e pritshëm, duke u shprehur të bindur se janë përgatitur mjaftueshëm, se kanë marrë të gjitha masat e nevojshme, se janë bërë shumë e shumë trajnime të stafit dhe të regjistruesve numerikisht të shumtë, të cilët do të angazhohën në këtë operacion, të vlerësuar si shumë të rëndësishëm, madje, siç u tha, edhe më i rëndësishëm se zgjedhjet nacionale në vend.
Prandaj, sipas tyre, nuk ka se si mos të përmbyllet suksesshëm ky regjistrim, kur dihet se tashmë janë të gjithë të gatshëm, janë siguruar mjetet logjistike, tabletët, laptopët dhe mjetet e tjera.
Zyrtarët e ASK-së, siç u deklaruan sot, nuk presin ndonjë sfidë të papërballueshme gjatë regjistrimit. Janë të sigurta tashmë edhe mjetet e nevojshme që do të mbulojnë koston e këtij regjistrimi në shumën 12 milionë e 767 mijë euro. Këto mjete i ka dhënë Qeveria e Kosovës (diku rreth 95 për qind) dhe 5 përqindëshi i tyre janë donacione.
Sipas Avni Kastratit, tashmë kanë mbetur vetëm 27 ditë nga fillimi i regjistrimit të popullsisë, ndërsa për finalizimin e shumë aktiviteteve rreth përgatitjeve, përveç institucioneve vendore duke filluar nga Qeveria, ministritë, kontribut të çmuar kanë dhënë edhe agjencionet dhe institucionet ndërkombëtare. Ai ka paralajmëruar edhe një fushatë sensibilizuese, që ka nisur që sot dhe që sipas tij, preferohet të bëhet vetëm disa javë para regjistrimit të popullsisë.
Kastrati ka thënë se projekti për regjistrimin e popullsisë është i bazuar në Ligjin për regjistrimin e popullsisë dhe në dy rregullore, ndërsa përgatitjet kanë filluar që më 2019, dhe ato janë zhvilluar në faza edhe më 2020, janë bërë disa teste dhe një pilot-projekt paraprakisht, ndërsa së shpejti për të gjithë qytetarët e vendit do të jetë online pyetësori për t’i parë pyetjet që duan përgjigje në regjistrim.
“ASK-ja i ka implementuar rekomandimet ndërkombëtare dhe ka një konsistencë nga regjistrimi i kaluar i vitit 2011 për shkak të krahasueshmërisë së pyetjeve”, ka thënë zyrtari i ASK-së.
Kastrati ka thënë se janë mbajtur edhe dy takime të mëdha kohë më parë ku kanë qenë të ftuar mbi 200 institucione. Ndërsa në fokus të këtij regjistrimi do të jenë tri subjekte, e para- popullsia, pastaj ekonomitë familjare dhe të gjitha banesat, shtëpitë dhe objektet fizike që duken mbi tokë”, tha Kastrati.
Sipas zyrtarëve të ASK-së, ky regjistrim do të jetë digjital dhe tashmë janë të siguruar tabletët (3.500 sish), 700 llaptopë, kompjuterët, serverët dhe pajisje e tjera të nevojshme.
Aplikacioni i paraparë për këtë regjistrim është i instaluar brenda çdo tableti.
Edhe në këtë regjistrim, përveç banorëve rezidentë, do të regjistrohen edhe kosovarët e diasporës, qoftë nëpërmjet komunikimit online, qoftë nëpërmjet pyetje-përgjigjeve të familjarëve. Risi do të jetë se në këtë regjistrim do të përfshihen edhe banorët e komunave në veri të Kosovës.
Në regjistrim do të marrin pjesë gjithsej 3.536 regjistrues, prej tyre 2.967 aktivë dhe të tjerët do të jenë rezervë. Procesin do ta vëzhgojnë 891 mbikëqyrës, prej të cilëve 600 do të jenë aktivë. Zyrtarët e ASK-së kanë thënë se rezultatet paraprake do të shpallen 3 muaj pas regjistrimit, ndërsa rezultatet përfundimtare 9 muaj pas regjistrimit.
Zyrtarët e ASK-së nuk kanë pranuar të shpërfaqin vlerësimet dhe pritshmëritë e tyre rreth numrit të popullsisë, por në bisedat joformale me ta, kanë thënë se pritet tkurrje e ndjeshme e numrit të popullsisë krahasuar me regjistrimin paraprak, për shkak të emigrimit të madh të kosovarëve, por edhe të uljes evidente të natalitetit në vend. /Buletini Ekonomik/











