Tregu i gjelbër në kryeqytet dominohet nga produktet bujqësore të importuara

Në tregjet tona të gjelbra, dje, nga importi ishin edhe specat, edhe domatet, edhe mollët e cilësisë së mirë dhe të dalluar, edhe spinaqi (kryesisht nga Shqipëria), edhe qepët e preshi, e edhe lakra e hershme. Dhe këto produkte bujqësore, shumica absolute me pamje të jashtme goxha imponuese, por me cilësi të diskutueshme, sidomos sa i përket përmbajtjes së pesticideve dhe plehrave të tepruara minerale, vazhdojnë të kenë çmime enorme të larta. Në disa tezga të Tregut kryesor të gjelbër të kryeqytetit, një kilogram i specave dje, kishte çmimin 5 euro.

Buletini Ekonomik

Tregu i gjelbër në Prishtinë, qoftë ai kryesori te RTK-ja, qoftë tregjet e tjera më të vogla që gjenden në disa lagje të kryeqytetit, ka ditë, që domonihen nga produktet bujqësore të importuara.

Reklama e sponzorizuar

Disa shitës në këtë treg, i kanë thënë dje reporterit të Buletinit Ekonomik, se përveç miellit të misrit, karrotave, aty-këtu ndonjë thesi të patateve, mollëve të pakta të cilësisë mesatare që janë vendore, të gjitha produktet e tjera janë të importuara.

Në tregjet tona të gjelbra, dje, nga importi ishin edhe specat, edhe domatet, edhe mollët e cilësisë së mirë dhe të dalluar, edhe spinaqi (kryesisht nga Shqipëria), edhe qepët e preshi, e edhe lakra e hershme. Dhe këto produkte bujqësore, shumica absolute me pamje të jashtme goxha imponuese, por me cilësi të diskutueshme, sidomos sa i përket përmbajtjes së pesticideve dhe plehrave të tepruara minerale, vazhdojnë të kenë çmime enorme të larta.

Këto mallra, shumica e tyre hyjnë në Kosovë, pa asnjë kontroll sanitar dhe pa asnjë verifikim për përmbajtjen e këtyre “helmeve”, ndërkohë që të njëjtat produkte, siç raportojnë mediet e ndryshme, kthehen mbrapsht nga shumë shtete të Europës dhe të rajonit, pikërisht për shkak të përmbajtjes së këtyre “helmeve”. Dhe, megjithë këtë fakt që e bënë të diskutueshme te kosovarët cilësinë e produkteve bujqësore nga importi (Kosova importon produkte bujqësore, veçmas perime kryesisht nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Turqia dhe në sasi të vogëla nga Greqia), perimet dhe pemët që vijnë nga jashtë në tregjet tona, vazhdojnë të kenë çmime enorme të larta edhe gjatë stinëve kur e kanë kohën të vjelen këto produkte, por edhe gjatë stinëve kur ato janë të prodhuara vetëm nga serrat e shteteve prej nga importohen ato.

Sot, në Tregun kryesor të gjelbër të kryeqytetit, një kilogram i specave djegës, të cilësisë së lartë, kishte çmimin saktësisht 5 euro, ndërsa specat e njëjtë të cilësisë mesatare tregtoheshin me 3-3,5 euro kilogrami.

Çmim enorm të lartë vazhdon të ketë edhe fasulja cilësore, që në tregun prishtinas nuk mund ta gjesh nën 5 euro kilogramin, ndërsa fasulja me cilësi mesatare dhe nën të, kushton nga 3 në 3,5 euro për një kilogram. Mollët e cilësisë së mire, kryesisht të importuara nga Polonia, kushtonin 1,20 euro, ndërsa mollët e prodhimit vendor, me cilësi nën mesatare shiteshin 60 deri në 80 centë për një kilogram. Patatet e reja dhe të cilësisë së dallueshme (po të importuara dhe kryesisht nga Egjipti dhe Turqia), kushtonin 1 euro për kilogram, ndërsa ato me cilësi të dobët kishin çmimin 80 centë.

Kurse karrota, që nga shitësit, thuhet të jenë e prodhimit të kopshtarëve të vendit, në këtë treg kishte dje çmimin 70 centë për një kilogram,, ndërsa qepët, edhe ato nga importi, tregtoheshin nga 80 centë në 1 euro kilogrami, ndërsa qepët e reja, kushtonin një euro tre tufa.

Lakra e re, edhe kjo nga importi, e prezantuar nga shumë tregtarë në tezgat e tyre në këtë treg, shitej me 1 euro kilogrami. Një sallatë e gjelbër, nga ato më të freskta, kushton 40 centë, ndërsa ato më pak të freskëtat gjenden edhe 3 copë me një euro. Ndërsa i vetmi produkt që kishte çmim pak a shumë të pranueshëm nga konsumatorët, ishte spinaqi, që ka ditë që kushton 50, 60 deri në 80 centë për një kilogram, dhe që është çmim ndjeshëm më i ulët se sa ai me të cilën tregtohej ky perim para një muaj e ca. Siç dihet, para një e dy muajsh, spinaqi (edhe ky produkt i importuar i tëri nga Shqipëria) ka kushtuar në të shumtën 2,5 dhe 3 euro kilogrami.

Këto çmime të larta edhe për këtë kohë, dhe ky mbizotërim i importit te këto produkte bujqësore, sipas vrojtuesve detajist dhe njohës të tregut të gjelbër, janë rrjedhojë e ngecjes së prodhimit në agrarin e Kosovës, sidomos në sektorin e perimtarisë.

Edhe pse toka e Kosovës, në shumicën e viseve të saj, është e mirë për kultivimin e shumë perimeve (qepëve, spinaqit, karrotave, lakrave specave dhe domateve, fasules, etj), produktet e importuara bujqësore vazhdojnë të kenë vend pikant në tregjet tona.

Duhet theksuar se në Kosovë, për dallim nga vendet e tjera edhe të rajonit, ende nuk ka statistika detajiste të tregtimit të frutave dhe perimeve nga importi në periudhën e deritashme të këtij viti (periudha janar-shkurt 2024), as krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, por është evident mbizotërimi i fruta-perimeve të importuara në tregjet e Kosovës. Sipas disa vëzhgimeve të ekspertëve të ecurive në tregjet e gjelbra të Kosovës, dhe në tregjet me shumicë dhe në ato me pakicë, reth 85 për qind e më shumë të perimeve që tani tregtohen në këto tregje, vijnë nga importi. /Buletini Ekonomik/