Dosja e Prokurorisë për 18 zyrtarët e fermerët e akuzuar për korrupsion dhe mashtrim me subvencione në Istog

Sektori i bujqësisë

Prokuroria Themelore në Pejë më 9 prill 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj 12 zyrtarëve dhe 6 fermerëve të cilët akuzohen për mashtrim me subvencione e vepra tjera penale. 18 të akuzuarit ngarkohen se dëmtuan buxhetin e Republikës së Kosovës mbi 100 mijë euro.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, në këtë rast akuzohen 12 zyrtarët: Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Sadat Shkodra, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Granit Lubeniqi, Adrian Ramqaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Bajram Gashi, Ramiz Ramosaj, Driton Alaj, si dhe 6 fermerët: Arif Idrizaj, Dinë Zogaj, Shemsedin Metaj, Burim Shabanaj, Deli Metaj dhe Besmir Bicaj.

Ata ngarkohen se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Mashtrimi me subvencione”, “Mashtrimi në detyrë” dhe “Ndihma në kryerjen e veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”.

Reklama e sponzorizuar

Sipas aktakuzës, i akuzuari Hasan Maxharraj, nga 28 gushti 2020, e në vazhdimësi deri më 18 dhjetor 2020, në Istog, si zyrtar i lartë për politika bujqësore në Komunën e Istogut, pranon ryshfet nga të akuzuarit tjerë Shemsedin Metaj dhe Burim Shabanaj shumat prej 3 mijë e 600 euro, që t’ua aprovojë subvencionet të tyre.

Me këto veprime, Maxharraj akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, par.2, lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.

Aktakuza thotë se Hasan Maxharraj, më 2019 dhe 2020, në Istog si person zyrtar, me qëllim që të përfitojë dobi pasurore për personin tjetër e cila tejkalon shumën 5 mijë euro dhe atë për Hazir Metaj, Haxhi Metaj, Nimon Berisha dhe Isuf Imeraj, në kundërshtim me Udhëzimin Adminstrativ të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), pranon aplikacionet për këta fermerë dhe i fut në sistemin e identifikimit të parcelave të tokës.

Në aktakuzë thuhet se fermerët kishin aplikuar me toka të Komunës së Istogut, për të cilat nuk kishin leje, por Maxharraj ua mundësoi përfitimin prej 5 mijë e 310 euro, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës.

Me këtë, Maxharraj ngarkohet për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par.2. lidhur me par.1 dhe nenin 77 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Hasan Maxharraj dhe Luan Statovci, në muajin dhjetor 2020, në Istog dhe Prishtinë, si bashkëkryerës në cilësinë e personave zyrtarë, Maxharraj në mënyrë të drejtpërdrejtë pranon ryshfet nga i akuzuari Deli Metaj, dhe Luan Statovci si drejtor për pagesa direkte në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisië, në mënyrë të tërthortë pranon ryshfet nga Deli Metaj.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Maxharraj për t’ia aprovuar subvencionin Metajt pa i plotësuar kushtet i cili përfiton subvencionin për vete në shumë totale 2 mijë e 529 euro, ndërsa në emër të bashkëshortes Igballe Nikqi, Metaj përfiton shumën prej 8 mijë e 574 euro, pasi i akuzuari Deli nxjerr paratë nga llogaria bankare ia jep prindit të tij tashmë të ndjerë dhe ai ia jep ryshfet të akuzuarit Maxharraj në shumën prej 4 mijë euro, e ky i fundit ia jep Statovcit 2 mijë euro.

Për këtë, Maxharraj dhe Statovci akuzohen me veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, par.2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Tutje, sipas aktakuzës, të akuzuarit Luan Statovci dhe Sadat Shkodra, si persona zyrtarë dhe përgjegjës për pagesa direkte në AZHB akuzohen për “Marrje ryshfeti” nga neni 421, par.2 lidhur me nenin 77 dhe nenin 33 të Kodit Penal.

Aktakuza thotë se Luan Statovci pranon ryshfet nga Kushtrim Zogaj, që të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij, ku i akuzuari Sadat, kontakton me të akuzuarin Dinë Zogaj, lidhur me disa parregullsi në aplikacionin e këtij të fundit për subvencione, për çka i njëjti kërkon 1/3, e këtij subvencioni për t’ia aprovuar, e ku i akuzuari Sadat Shkodra ka pranuar ryshfet të drejtpërdrejtç shumën prej 2 mijë e 500 euro, ndërsa i akuzuari Luan Statovci në mënyrë të tërthortë shumën prej 2 mijë e 500 euro.

I akuzuari Kushtrim Zogaj ngarkohet se nga 12 korriku 2019, e në vazhdimësi deri më 28 gusht 2020, duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare si zyrtar i lartë për politika bujqësore në Komunën e Istogut, aplikon për subvencione për vete me dokumente të axhës së tij Dinë Zogaj, për pronën e dajës së tij Fadil Ferrataj, pa dijeninë e këtij të fundit dhe pasi paratë i dalin në bankë në shumë prej 1 mijë e 36 euro e 50 centë, në emër të Dinë Zogaj, ky i fundit ia jep të gjitha paratë të akuzuarit Kushtrim.

Kushtrim Zogaj, gjithashtu ngarkohet se pas aplikimit për subvencione edhe për persona të tjerë përfiton shuma prej 2 mijë e 850 euro, 1 mijë e 752 euro, 4 mijë e 99 euro e 50 centë dhe 5 mijë e 830 euro, e në shumë të përgjithshme 22 mijë e 517 euro e 5 centë, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se Zogaj me veprimet e tij duke lejuar aplikimin për subvencione në mënyrë të palejushme duke shfrytëzuar tokat e Komunës së Istogut për fermerët Ukë Idrizaj, Arsim Delijaj, Nazmi Kamberaj, Kamber Balaj, Ahmet Metaj, Shyhrete Hajdaraj, Shemsi Delijaj, Timë Demiraj, Edonis Hajdaraj, Demë Mehmetaj, Sadush Kabashi, Gjevdet Metaj, Agron Krasniqi, Hidajete Abazaj, Alush Tahiraj, Leonard Metaj dhe Shqipri Seferaj, u mundëson të përfitojnë shumën prej 25 mijë e 282 euro dhe kështu në këtë vlerë i shkakton dëm buxhetit të Republikës së Kosovës.

Për këtë, Zogaj ngarkohet me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par.2 lidhur me par.1 dhe nenin 77 të KPRK-së.

Për përfitimet përmes këtyre veprimeve, i akuzuari Kushtrim Zogaj ngarkohet edhe për “Dhënien e ryshfetit” nga neni 422, par.2 lidhur me nenin 77 i KPRK-së, pasi ngarkohet se i dha të akuzuarit Sadat Shkodra shumat prej 1 mijë e 500 euro dhe 3 mijë e 500 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Kushtrim Zogaj, për paraqitjen e të dhënave të pasakta pranë oraganit kompetet akuzohet edhe me veprën penale “Mashtrim me subvencione”, pasi i ka shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës dhe atë shumën prej 22 mijë e 517 euro e 5 centë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Jeton Sylaj, zyrtar në Drejtorinë për Bujqësi në Komunën e Istogut, në vitin 2019 dhe 2020, në Istog, pranon aplikacionet për fermerë të Istogut të cilët kishin aplikuar për subvencione me toka të Komunës së Istogut, i lejon dhe i fut në softuerin përkatës dhe atë fermerët Elez Haradinaj, Rexhë Metaj, Muhamet Metaj, Milazim Metaj, Bekim Haskaj, Labinot Kabashi, Ndrec Musolli, Enver Zeqiraj, Kamer Haziraj, Fidan Loshaj, Rexhep Alushaj, Zymer Bajramaj, Sylë Sahilaj, Arian Metaj, Elvis Nimanaj, Arif Avdijaj dhe Gani Salihaj.

Me këtë, ai ngarkohet se ua ka mundësuar të përfitojnë shumën prej 19 mijë e 284 euro dhe në këtë vlerë i shkakton dëm buxhetit të Republikës së Kosovës.

Sylaj me këtë akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoriteti zyrtar”, nga neni 414, par.2 lidhur me par.1 dhe nenin 77 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Granit Lubeniqi, zyrtar në Drejtorinë për Bujqësi në Komunën e Istogut, në vitin 2019 dhe 2020, në Istog, pranon aplikacionet për fermerë të Istogut të cilët kishin aplikuar për subvencione me toka të Komunës së Istogut, i lejon dhe i fut në softuerin përkatës dhe atë fermerët Lush Qukaj, Bajram Bajramaj, Azllan Veselaj, Enver Idrizaj, Agim Ahmetaj, Albend Ahmetaj, Rexhë Idrizaj, Xhevdet Hajdaraj, Velimir Zuviq dhe Momo Repanoviq. Me këtë, ai ua ka mundësuar të përfitojnë shumën prej 6 mijë e 862 euro dhe në këtë vlerë i shkakton dëm buxhetit të Republikës së Kosovës.

Lubeniqi, me këtë akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoriteti zyrtar”, nga neni 414, par.2 lidhur me par.1 dhe nenin 77 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Adrian Ramqaj, zyrtar në Drejtorinë për Bujqësi në Komunën e Istogut, në vitin 2019 dhe 2020, në Istog, pranon aplikacionet për fermerë të Istogut të cilët kishin aplikuar për subvencione me toka të Komunës së Istogut, i lejon dhe i fut në softuerin përkatës dhe atë fermerët Sabit Sadrijaj, Mujë Metaj, Sefedin Salihaj, Ylli Halilaj dhe Shkelzen Jahaj.

Me këtë, ai ngarkohet se u ka mundësuar të përfitojnë shumën prej 2 mijë e 400 euro dhe në këtë vlerë i shkakton dëm buxhetit të Republikës së Kosovës.

Me këtë, Ramqaj akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoriteti zyrtar”, nga neni 414, par.1 dhe nenin 77 të KPRK-së.

Tutje, sipas aktakuzës të akuzuarit Musa Nivokazi dhe Lulzim Hajdaraj, nga 30 tetor 2020 e në vazhdimësi deri më 27 nëntor 2020, në Istog dhe Deçan, si inspektorë të AZHB, si bashkëkryerës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për personat tjerë, vëjnë në lajthim personin e autorizuar për kryerjen e pagesave për subvencione, të cilat rezultojnë me përfitime mbi 5 mijë euro, ku me rastin e kryerjes së kontrollave tek fermerët paraqesin të dhëna të pasakta.

Me ato veprime, të njëjtit thuhet se duke konstatuar gjendje të pasaktë u kanë mundësuar fermerëve të përitojnë shumën prej 34 mijë e 753 euro, e që me këto veprime akuzohen me veprën penale “Mashtrimi në detyrë”, nga neni 419, par.3 lidhur me par.1 dhe nenin 31 të KPRK-së.

Për të njëjtën vepër penale, dy të lartpërmendurit akuzohen edhe ndaras (Hajdaraj në dispozitivin e 13-të të aktakuzës, kurse Nivokazi në pikën e 14-të).

Të pandehurit Musa Nivokazi dhe Bajram Gashi, në cilësi të personave zyrtarë akuzohen se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në detyrë” nga neni 419, par.3 lidhur me par.1 dhe nenin 31 të Kodit Penal. Për të njëjtën vepër penale, në cilësi të personit zyrtar akuzohet edhe Ramiz Ramosaj

Të akuzuarit Arif Idrizaj dhe Dinë Zogaj, akuzohen se me veprimet e tyre kanë mundësuar që i akuzuari Kushtrim Zogaj të përfitojë shumat prej 15 mijë e 951 euro dhe 6 mijë e 736 euro.

Idrizaj dhe Zogaj akuzohen për “Ndihmë në kyerjen e veprës penale keqpërdorimi i detyës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni 33 lidhur me nenin414, par.2, par.1 dhe nenin 77 të Kodit Penal.

Ndërsa të akuzuarit Shemsedin Mataj akuzohet se i dha përfitim zyrtarit Hasan Maxharraj shumën prej 3 mijë e 600 euro, si dhe paraqiti të dhëna të pasakta për marrjen e subvencionit. Kurse, i pandehuri Burim Shabanaj thuhet se për subvencionin prej 13 mijë e 107 euro, 3 mijë e 500 i mori, kurse 4 mijë ia dha të pandehurit Maxharraj, e pjesën tjetër i merr i pandehuri Metaj. I njëjti akuzohet se paraqiti të dhëna të pasakta për marrjen e subvencionit. Kurse, Deli Metaj akuzohet se përmes prindit të tij i kishte dhënë të akuzuarit Maxharraj shumën prej 4 mijë euro, po ashtu ngarkohet se paraqiti të dhëna të pasakta para organit kompetent për të përdituar subvencion.

Me këtë, Mataj, Shabanaj dhe Metaj, akuzohen se kanë kryer veprat penale “Dhënie e ryshfetit”, nga neni 422, par.2 i KPRK-së dhe “Mashtrimi me subvencione”, nga neni 324, par.1 lidhur me nenin 77 i KPRK-së.

Sipas aktakuzës, Driton Alaj ngarkohet se paraqiti të dhëna të pasakta pranë organit kompetent me rastin e marrjes së një subvencioni, saktësisht paraqet rrejshëm një pacelë me kultura të ndryshme bujqësore, duke iu aprovuar subvencioni. Me këtë, thuhet se i shkaktoi dëm buxhetit të shtetit prej 17 mijë e 980 euro.

Me këtë, Alaj ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi me subvencione” nga neni 324, par1. të Kodit Penal.

Kurse Besmir Bicaj akuzohet se po ashtu paraqiti të dhëna të pasakta për marrjen e një subvencioni, duke deklaruar të mbjella me kultura bujqësore organike më shumë se që kishte, por që edhe pse i ishte aprovuar subvencioni, pagesën nuk e kishte marrë.

Me këtë, Bicaj ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi me subvencione” nga neni 324, par1. të Kodit Penal.