FMN: Problemet në ekonomitë e vendeve në zhvillim të G20 ndikojnë rritjen e vendeve të pasura

Fondi Monetar Ndërkombëtar-FMN

Sipas një raporti nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, problemet e brendshme në ekonomitë në zhvillim në G20, po ndikojnë gjithnjë e më shumë në rritjen ekonomike të vendeve të pasura.

Këto vende — duke filluar nga Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë, deri te Argjentina e prirur ndaj falimentimit — janë pozicionuar aq shumë në ekonominë globale, veçanërisht nëpërmjet zinxhirëve të vlerës së tregtisë dhe mallrave, sa tani nuk janë më vetëm ‘pritëse’ të ndikimeve globale.

“Që nga viti 2000, ndikimi nga problemet e brendshme në tregjet në zhvillim të G20 – veçanërisht në Kinë – janë rritur, dhe tani janë të krahasueshme në madhësi, me ato nga problemet në ekonomitë e përparuara,” shkroi FMN, në një kapitull të raportit Perspektiva Ekonomike Botërore.

Reklama e sponzorizuar

Problemet e brendshme në Kinë, mund të ndikojnë deri në 10% të ndryshimeve të prodhimit, në tregjet e tjera në zhvillim pas tre vjetësh, dhe 5% në ekonomitë e përparuara, ndërsa problemet nga tregjet e tjera në zhvillim të G20, përbëjnë deri në 4% të ndryshimeve në tregjet e tjera në zhvillim dhe ekonomitë e përparuara.

Natyra e ndërthurur e ekonomive, nënvizon rreziqet për botën e pasur, nga problemet në vendet e largëta, por edhe rritjen që mund të ndodhë, nëse ekonomitë forcohen përsëri.

Dhjetë ekonomitë në zhvillim në G20 – Argjentina, Brazili, Kina, India, Indonezia, Meksika, Rusia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut dhe Turqia – kanë më shumë se dyfishuar pjesën e tyre të përbashkët të PBB-së globale, që nga viti 2000.

Në përgjithësi, ndikimet janë rritur pothuajse trefish, që nga fillimi i viteve 2000, të udhëhequr nga Kina, ndërsa rreziqet e ndikimit nga Brazili, India dhe Meksika, janë rritur gjithashtu në mënyrë të moderuar.

Kina, po lufton për të kapërcyer ndryshimet ekonomike, me nivele të larta të borxhit të qeverisë vendore, që kufizojnë investimet në infrastrukturë dhe tregun e pronave, që po hyn në vitin e katërt të rënies së lirë. Besimi i konsumatorëve dhe investitorëve, është gjithashtu nën presion.

FMN tha se orientimi i ekonomisë ruse drejt Azisë, ka të ngjarë të ndryshojë drejtimin e efekteve të përhapura.

Në të gjithë tregjet në zhvillim të G20, FMN paralajmëroi se rritja mesatare prej 6% në vit, gjatë 20 viteve të fundit, do të ngadalësonte dhe do të ulte perspektivën afatmesme të rritjes në 3.7%.

Ai u bëri thirrje politikëbërësve, të ruajnë rezerva të mjaftueshme dhe të forcojnë politikat, për të menaxhuar problemet e mundshme.

Perspektiva e ndrydhur për ekonomitë në zhvillim të G20, rrezikon të përhapet dhe të frenojë rritjen dhe zhvillimin në tregjet e tjera në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim. /Reuters/