Garancitë e Bashkimit Evropian do të zhbllokojnë 37 milionë euro për bizneset e vogla në Kosovë

Fondi Evropian i Investimeve (FEI), pjesë e Grupit të Bankës Evropiane të Investimeve (EIB), ka nënshkruar marrëveshje garancie të portofolit me 11 banka dhe ndërmjetës financiarë në ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se këto marrëveshje, të financuara nga BE-ja në kuadër të Instrumentit për Sipërmarrje dhe Inovacion në Ballkanin Perëndimor (WB EDIF) Iniciativa e Garancive për Qëndrueshmërinë e NVM-ve do t’u mundësojnë bankave dhe institucioneve financiare vendase të krijojnë një portofol kredish për NVM-të për një shumë totale prej mbi 750 milionë euro, së bashku me ato që do të nënshkruhen deri në gjysmën e parë të vitit 2024.

“Këto burime financiare synojnë të rrisin qasjen në financa te bizneset e vogla dhe të përmirësojnë qëndrueshmërinë e tyre ndaj vështirësive të vazhdueshme ekonomike, duke krijuar njëkohësisht kushte për zgjerimin e biznesit, punësimin dhe inovacionin. Në Kosovë, ky instrument pritet të shpërndajë kredi me një vlerë totale prej 37 milionë eurosh, të disponueshme me kushte të favorshme kreditimi për rreth 690 NVM-të, duke mbështetur rreth 9500 vende pune”, thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

Marjut Falkstedt, drejtori ekzekutiv i FEI-t, tha: “Duke mbështetur bizneset e vogla të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në segmentet e tij më të dobëta dhe të brishta, këto burime financiare do të përmirësojnë kapacitetin e tyre për risi dhe rritje, duke kontribuar në të njëjtën kohë në integrimin e mëtejshëm brenda ekonomisë së BE-së. Në këtë mënyrë, këto fonde të konsiderueshme do të ofrojnë një shtysë për zhvillimin e ekonomive rajonale të fuqishme dhe konkurruese, si dhe avancimin e tyre në zinxhirët globalë”.

Në Kosovë, garancitë e FEI-t zhbllokuan rreth 190 milionë euro në total deri më tani për afro 3000 NVM, të cilat ndihmuan në ruajtjen e 31,000 vendeve të punës.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog shtoi: “Falë përpjekjeve tona të përbashkëta, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë do të jenë në gjendje të rrisin mundësitë e tyre të financimit dhe të marrin kredi me kushte të favorshme. Kjo nismë e financuar nga BE-ja do t’i ndihmojë ndërmarrjet e tilla në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor që t’i përgjigjen më mirë sfidave ekonomike dhe të rriten.”
Fondi Evropian i Investimeve (FEI) është pjesë e Grupit të Bankës Evropiane të Investimeve. Misioni qendror i tij është të mbështesë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NVM) duke i ndihmuar në qasjen në financa. FEI harton dhe zhvillon kapital sipërmarrjeje dhe rritjeje, garanci dhe instrumente mikrofinancimi që synojnë posaçërisht këtë segment të tregut. Përmes këtij roli, FEI nxit objektivat e BE-së për mbështetje të inovacionit, kërkimit dhe zhvillimit, sipërmarrjes, rritjes dhe punësimit. /Telegrafi/