Asnjë nga mundësitë e shumta për të pasur kapacitete solare në Kosovë, së paku deri më tash, nuk është shfrytëzuar, edhe pse zyrtarët kosovarë nuk rreshtin së trumbetuari se për Kosovën është urgjencë zëvendësimi i sa më shumë kapaciteteve tona të bazuara ekskluzivisht te qymyri me ato të energjisë së ripërtëritshme, edhe si obligime nga bota energjetike ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, Kosova edhe më 2024 ka hyrë vetëm me një kapacitet më serioz të energjisë të rinovueshme me fuqi mbi 100 megavatësh (Parku I energjisë me erë në Shalë të Bajgorës) dhe me impiantin me fuqi të papërfillshme prej 34 megavatësh në Kitkë të Kamenicës.
Buletini Ekonomik
Një informacion nga sektori i energjisë, që erdhi këto ditë nga Shqipëria, duhet patjetër t’i zgjojë nga letargjia e gjatë vendimmarrësit në lëmin e zhvillimeve energjetike të Kosovës. Me informacionin, të cilin e bënë publik edhe shumë nga mediet shqiptare, njoftohet se “Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha (KKMD) ka dhënë miratimin për projektin e zbatimit të një impianti fotovoltaik me fuqi 8.25 MËp, që do të instalohet në anën e poshtme të digës së Zadejës në hidrocentralin Vau i Dejës, pjesë e kaskadës së Drinit. KKDM u përqendrua në dokumentacionin teknik në lidhje me Aspektet strukturore, ndërtimore dhe të qëndrueshmërisë së digës si dhe në monitorimin e digës dhe të impiantit FV në të ardhmen, pas vendosjes së tij në digë”, thuhet në parashtrimin e Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha.
Impianti fotovoltaik mbi digën e Zadejës nuk është i vetmi që Korporata Elektroenergjetike e Shqipërisë (KESH) ka si pjesë të tij. Tashmë i ndërtuar dhe në funksion është ai mbi digën e Qyrasaqit, që gjatë vitit 2023 prodhoi mbi 7000 MËh energji.
Impianti mbi digën e Zadejës që është në hidrocentralin e Vaut të Dejës parashikohet të ketë një kapacitet 8.25 MËp dhe një kosto afërsisht 8 milionë euro. KESH shpalli procedurën vitin e shkuar, duke shpallur edhe një bashkim operatorësh si fitues të saj. Kohëzgjatja e kontratës është 41 muaj, nga të cilët 17 zbatim dhe 24 mirëmbajtje.
Edhe në Kosovë, siç janë deklaruar parreshtur në këto vitet e fundit ekspertët, ka mundësi goxha të shumta për ndërtimin e kapaciteteve në bazë të energjisë së diellit. Ka diga, madje edhe sosh të mëdha (ajo e Liqenit të Batllavës dhe e Badovcit, bie fjala), ka sipërfaqe të panumërta të kulmeve të objekteve komerciale, komunale dhe private dhe me orientimin e duhur dhe të preferuar lindje-perëndim, apo të rrafshta, ku lehtësisht mund të instalohen panele solare.
Kosova ka edhe shumë toka të pashfrytëzueshme që do të mund të shfrytëzoheshin për këtë qëllim, siç janë: hapësirat e shumta dhe me sipërfaqe të mëdha brenda kompleksit të KEK-ut, ka shumë hapësirë të lirë në mihjet sipërfaqësore të eksploatura, si dhe hapësirat përgjatë autostradave (asaj Ibrahim Rugova dhe Arben Xhaferi), të cilat lehtësisht do të ishin mundësi reale për instalimin e paneleve solare… Dhe asnjë nga këto mundësi, së paku deri më tash nuk është shfrytëzuar, edhe pse zyrtarët kosovarë nuk rreshtin së trumbetuari se për Kosovën është urgjencë zëvendësimi sa më shumë i kapaciteteve tona të bazuara ekskluzivisht te qymyri me ato të energjisë së ripërtëritshme, edhe si obligime nga bota energjetike ndërkombëtare.
Në këtë mënyrë, Kosova vazhdon sot e kësaj dite të ketë fare pak, thuaja sasi simbolike të energjisë së ripërtëritshme. Më konkretisht, Kosova edhe më 2024 ka hyrë me vetëm një kapacitet të energjisë të rinovueshme me fuqi mbi 100 megavatë (Parku i energjisë me erë në Shalë të Bajgorës) dhe me impiantin me fuqi të papërfillshme prej 34 megavatësh në Kitkë të Kamenicës. Kjo është e gjitha. Ndërkohë në botë, por edhe në shtetet e rajonit, që nuk janë më të pasura dhe me më shumë financa se Kosova, është bërë revolucion në pasjen e kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme.
Derisa në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë, vrullshëm u ngritën me dhjetëra impiante me fuqi të imponueshme megavatësh, vendimmarrësit në Kosovë, ministritë kompetente dhe dikasteret tjera, u kënaqën me ide të mira, parashikime të lakmueshme dhe vizione të papërmbushura.
Po e ritheksojmë, se me gjithë mëdyshjet dhe dilemat në shumë mjedise, edhe në nivel institucionesh, madje edhe ekspertësh, rreth ngritjes së kapaciteteve të reja të enegjisë së gjelbër, Kosova ka potenciale për energji të rinovueshme. Madje goxha mundësi të mira. Është e vërtetë, kemi fare pak ujë dhe pak lumenj. Pra, mundësitë për ndonjë hidrocentral domethënës për nga fuqia prodhuese për stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës dhe të konsumit tonë në rritje, thuajse nuk ekzistojnë. Të gjitha hidrocentralet e deritashme në Kosovë bashkarisht kanë fuqi instaluese rreth 100 megavat/orë energji elektrike. Nuk bëhet fjalë që shpëtimi energjetik mund të gjendet te hidrocentralet. Por, potencialet premtuese që Kosova të ketë goxha energji të rinovueshme, ose një sasi që pak a shumë do të ndikonte deri në vitin 2050, kur nuk do të ketë më rrymë nga qymyri, që të shërbente si stabilizues i sistemit elektroenergjetik të vendit dhe si energji shtesë për nevojat e konsumit tonë, nuk është dashur në asnjë mënyrë të anashkalohen as deri më tani, as tash e tutje.
Kosova ka potencial për BRE-të, thonë ekspertët. Potenciali më i lartë është nga era dhe dielli. Buletini Ekonomik ka trajtuar shumë herë në këto vite deri në detaje – mundësitë reale të Kosovës për të prodhuar energji elektrike të rinovueshme. Në këtë tekst, Buletini Ekonomik, për shkak të aktualitetit, do të riaktualizojë mundësitë që ka Kosova të prodhojë energji nga dielli, pra energji solare.
Kosova e vogël si territor, ka pak tokë për të ofruar për ndonjë kapacitet solar të madh dhe të efektshëm për nga sasia, për të kontribuar në përmbushjen e nevojave të konsumit dhe tregut tonë energjetik. Sidoqoftë, potencialet për parqe solare janë të mëdha në Kosovë, krahasuar me burimet e tjera të energjisë së rinovueshme. Ekspertët numërojnë këto mundësi, duke filluar nga të gjitha sipërfaqet e kulmeve te objekteve komerciale, komunale dhe private, të cilat kanë orientimin e duhur lindje-perëndim, apo janë të rrafshta. Ndërsa, teoritikisht në çdo sipërfaqe e rrafshët mund të instalohen panelet solare.
Gazmend Kabashi, menaxher i Zyrës për Zhvillim dhe Planifikim Afatgjatë në KOSST, një ndër njohësit më të mirë kosovarë të lëmisë së energjisë së rinovueshme, i ka thënë më herët Buletinit Ekonomik se çdo hapësirë nuk është e leverdishme të instalohen panele solare (PV) dhe këtu qëndron problemi. Sipas tij, tokat bujqësore nuk do të duhej të shfrytëzohen për parqe solare. 100 MË park solar zënë vend në një tokë rreth 200 hektarë. Nëse krahasohet prodhimi i energjisë që japin këto panele solare me prodhimet bujqësore që s’do të ishin më, e që kushtimisht do të duhej të importoheshin nga jashtë, llogaritë thonë se nuk do të duhej që në toka bujqësore të bëhen instalime te tilla.
Mirëpo, Kabashi duke iu përgjigjur interesimit të Buletinit Ekonomik, për mundësitë e ndërtimit të paneleve solare, pati shpjeguar se Kosova ka toka të pashfrytëzueshme që do të mund të shfrytëzoheshin për këtë qëllim. Me këtë rast, ai ka piketuar hapësirat e shumta dhe me sipërfaqe të mëdha brenda kompleksit të KEK-ut. Sipas tij, ka shumë hapësirë të lirë në mihjet sipërfaqësore të eksploatura, të cilat lehtësisht do të ishin mundësi reale për instalimin e paneleve solare, si dhe hapësirat përgjatë autostradave. Dhe këto panele solare, sipas tij, do të kishin kapacitet i vlerësueshëm si prodhues solid, madje i madh i energjisë elektrike.
Një potencial i madh dhe shumë i rëndësishëm janë edhe instalimet në kulme, thonë ekspertët. Me këto instalime të mundshme, sipas tyre, do të zvogëlohej konsumi dhe rrjedha e fuqisë elektrike në rrjetin transmetues dhe distributiv, që do të thotë se do të zvogëloheshin humbjet në rrjet. Panelet solare duhet instaluar gjithandej ku nuk rrezikohet toka bujqësore, si: në kulmet e shtëpive, në sipërfaqet e mihjeve sipërfaqësore dhe në vende të tjera që nuk dëmtohet toka e punueshme. Tokat anash përgjatë dy autostradave të Kosovës, të cilat në tërë gjatësinë e tyre shtrihen në drejtim të jugut dhe jug-perëndimit me shumë orë me diell brenda ditës, janë mundësi tjetër që duhet shfrytëzuar pa u hamendësuar shumë.
Mundësitë për të pasur energji solare duhet shfrytëzuar, qoftë edhe duke mos pritur pafundësisht paratë e nevojshme nga institucionet ndërkombëtare. Kosova, edhe kështu si është, e varfër, e vogël dhe momentalisht edhe e izoluar nga financat ndërkombëtare, tashmë edhe si pasojë e masave ndëshkuese të aplikuar tash e një vit më parë, ka mundësitë të ndërtojë në vendet e akceptuara ndonjë kapacitet të energjisë solare, me fuqi të mesme dhe sosh me më pak megavatë. Duhet provuar të ketë një nismë të kësaj pune njëherë. /Buletini Ekonomik/