Ministri i Financave, Punës dhe Transfrereve, Hekuran Murati ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të marrë pjesë në takimet pranverore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, që mbahen në Washington DC, raporton Express.
Sipas njoftimit që ka lëshuar MFPT, njëra ndër pikat kryesore takimeve që do të zhvillojë Murati do të jetë edhe nënshkrimi i marrëveshjes për Financimin e Politikave Zhvillimore për Politikën Fiskale, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore, që i sjellë Kosovës mbi 90 milionë euro me kushte të buta financimi.
Këto takime mbledhin ministrat e financave, guvernatorët e bankave qendrore, përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare financiare, përfaqësuesit e sektorit privat si dhe shoqërisë civile të mbi 100 shteteve në mbarë botën.
“Gjithashtu, me ftesë të Drejtoreshës Menaxhuese për Operacione të Bankës Botërore, Ministri Murati do të marrë pjesë në tryezën e diskutimeve ministeriale me temë “zbatimin e projekteve për rezultate më të shpejta dhe ndikim më të madh”. Gjatë qëndrimit në Washington DC, Ministri Murati pritet të takojë edhe përfaqësues nga menaxhmenti i lartë i Bankës Botërore dhe FMN-së, si dhe institucioneve tjera që marrin pjesë në këtë ngjarje”, thuhet në njoftim.