Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i ka reaguar Donika Gërvallës, ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), pasi kjo e fundit ka pretenduar se në Kosovë ka “lulëzim ekonomik”.
Bajrami i ka thënë asaj se pretendimet për këtë zhvillim ekonomik janë sikur të thoshte se “Kosova është njohur nga pesë vendet e Bashkimit Evropian”.
“S’mbulohën dështimet në politikën e jashtme me të pavërteta për ekonominë e Kosovës Asnjë njohje prej se kanë ardhur në pushtet. Asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ndërkohë, kryediplomatja del e flet të pavërteta për “lulëzimin ekonomik” të Kosovës. Kryediplomatja me zero suksese gjatë gjithë mandatit paska thënë që ” kemi rritje të GDP-së për 50%, kjo i bien sikur me pas thanë ”në tri vitet e fundit kemi siguru njohjet nga 5 vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën”, ka shkruar Bajrami.
Më pas Bajrami ka thënë se për 3 vjet janë nënshkruar 890 kontrata njëburimore. Janë rritur çmimet për 50%, ka vetëm punësime partiake, ka deficit tregtar në 5 miliardë, ikje masive të qytetareve – e ka shtuar se Martin Berishaj vazhdon të mbetet në pozitën e ambasadorit në Kroaci përkundër skandalit të raportuar.
Bajrami ka postuar edhe një grafikë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), ku pasqyron rënien ekonomike.