Deri kur do të vazhdojnë ndëshkimet ekonomike të BE-së ndaj Kosovës?

Kërkesat e shtruara nga BE-ja ndaj Kosovës, numerikisht të shumta, siç pohojnë autoritetet e Kosovës, por edhe jo pak shtete dhe politikanë të ndryshëm nga Evropa, janë përmbushur tërësisht, prandaj edhe janë shpeshtuar zërat për domosdonë e heqjes së tyre. Në fund të prillit, disa burime diplomatike në BE kanë theksuar se “shumica e shteteve dërguese të bllokut janë në favor të heqjes të të gjitha masave ndaj Kosovës, ndërsa një numër më i vogël i shteteve do që heqja e tyre të bëhet në mënyrë graduale”. Por, këto masa vazhdojnë të zbatohen edhe më tutje megjithë pasojat evidente të tyre.

Buletini Ekonomik

Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, edhe pse tashmë po mbushet 1 vit i plotë qëkur kanë nisë të zbatohen (BE ka aplikuar masat ndëshkuese ndaj Kosovës që në maj të 2023-tës: sanksione të shprehura në stopimin e shumë zotimeve financiare, ndaljen pa shpjegime të hollësishme të projekteve të shumta të mbështetura pjesërisht ose tërësisht financiarisht nga institucione të ndryshme ndërkombëtare financiare), po vazhdojnë të aplikohen, sado që janë qind për qind të njëanshme dhe kryekëput me motive politike.

Reklama e sponzorizuar

Kërkesat e shtruara nga BE-ja ndaj Kosovës, numerikisht të shumta dhe goxha të paprecedente, siç pohojnë autoritetet e Kosovës, por edhe jo pak shtete dhe politikanë të ndryshëm nga Evropa, janë përmbushur tërësisht, prandaj edhe janë shpeshtuar zërat për domosdonë e heqjës së tyre.

Në fund të prillit, disa burime diplomatike në BE duke folur në mediet ndërkombëtrae, kanë theksuar se “shumica e shteteve dërguese të bllokut janë në favor të heqjes të të gjitha masave ndaj Kosovës, ndërsa një numër më i vogël i shteteve do që heqja e tyre të bëhet në mënyrë graduale”.

Ndërkohë, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ripërsëriti në fillim të këtij muaji se shteti ka përmbushur të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian për heqjen e masave kufizuese që blloku ka vendosur ndaj Kosovës.

“Masat, që janë në fuqi ndaj Kosovës, bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE, sidomos edhe në Planin e Rritjes dhe qëllimin e tij. Në anën tjetër po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialogut të reformave me BE-në. Në këtë kontekst, kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen”, tha Kurti gjatë mbledhjes së Këshillit ministror për integrim evropian më 2 maj.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se për heqjen e masave ndëshkuese që blloku ka vendosur ndaj Kosovës, vendosin shtetet anëtare e jo Qeveria e Kosovës.

Stano më 2 maj tha se mbajtja e votimeve në komunat në veri të Kosovës më 21 prill, ishte një prej disa kushteve që BE-ja vendosi për heqjen e masave ndaj Kosovës. Këto votime, ku qytetarët mund të zgjidhnin nëse dëshironin ose jo të largonin kryetarët shqiptarë të zgjedhur vitin e kaluar, dështuan për shkak të pjesëmarrjes së pamjaftueshme në votime.

“Kur i kemi vendosur masat kemi thënë se ato janë të përkohshme dhe mund të hiqen. Por, për këtë vendin vendet anëtare të BE-së, e jo Qeveria e Kosovës. Masat nuk ishin vendosur vetëm për një arsye, por për disa. Diskutimet për këtë janë në vazhdim e sipër në BE dhe vendet anëtare do të vendosin se a do të hiqen masat dhe kur, a do të hiqen të gjitha apo pjesërisht”, ka thënë Stano, duke shtuar se vendimi për heqjen e mundshme të masave ndaj Kosovës kërkon një konsensus më të gjerë në gjithë BE-në.

Sidoqoftë, duhet thënë se masat e BE-së brenda një viti kanë prodhuar efekte dhe pasojat e tyre janë të prekshme, pavarësisht se kjo nuk po theksohet edhe aq publikisht, sidomos nga autoritetet e vendit. Masat ndëshkuese të BE-së kanë ndikuar tashmë në mbarë ritmet e zhvillimit ekonomik, dhe sidomos në përmbushjen e shumë parashikimeve dhe të afateve konkrete të realizimit të projekteve të ndryshme investuese. Ekspertë dhe ekonomistë të ndryshëm përmendin edhe shifra konkrete të humbjeve të Kosovës nga këto masa. Pas një vjeti të ndikimit të tyre në ekonominë e Kosovës, sipas disa ekonomistëve, Kosova ka pësuar dëme mbi 300 milion euro, ndërsa pati zëra që këto humbje i çojnë në 600 milionë euro.

Sipas ekspertëve, sanksionet ose masat, si rrjedhojë e zhvillimeve politike në veri të vendit, të aplikuara që në majin e 2023-tës, kanë bërë që investitorët ndërkombëtarë të hezitojnë ta investojnë kapitalin e tyre në Kosovë, madje edhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Por, veç këtij hezitimi të tejdukshëm, në disa raste, mjete të shumta nga grante të ndryshme të dedikuara për Kosovën nga bashkësia ndërkombëtare dhe sidomos nga shtetet e BE-së, që me aplikimin e masave pa sqarime fare, kanë mbetur të pashfrytëzuara për shkak të ngrirjes së tyre nga zotuesit.

Dhe, ç’është më keq, masat jo vetëm që nuk po heqen nga BE-ja, por indirekt dhe në njëfarë mënyre po zgjerohen, natyrisht, duke shtuar frikën për pasoja edhe më të shumta të tyre. Frika u shtua sidomos ditë më parë, kur Komisioni Evropian (KE) tha se “Kosova, njëlloj si vendet e tjera, do të kualifikohet për t’i pranuar pagesat nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian (BE) për Ballkanin Perëndimor, nëse i përmbush kushtet e kërkuara”, pa dhënë fare një shpjegim nga zyrtarët e BE-së se “ nëse masat e tanishme ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës do të vlejnë edhe për mjetet nga kjo paketë e veçantë financiare”.

Me fjalë të tjera, sado që nuk thuhet me fraza konkrete, çka do të thotë “nëse i përmbush kushtet e kërkuara”, të gjithë të involvuarit në zbërthimin dhe në zabtimin e Planit të  Rritjes së Bashkimit Evropian (BE) për Ballkanin Perëndimor (bëhet fjalë për rreth 6 miliardë euro të dedikuara nga BE-ja për zhvillimin e vendeve të rajonit tonë), e kanë të qartë se është fjala për kërkesa të reja politike ndaj Kosovës (kësaj radhe edhe ndaj Serbisë), kërkesa këto që kushtëzojnë krijimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, për pjesëmarrje në shfrytëzimin e këtyre mjeteve.

Kështu, është lexuar në lidhje me planin 6 miliardë eurosh për Ballkanin. Nga ekonomistët dhe njohësit e zhvillimeve politike, ripërsëritja nga zyrtarët e BE-së se “për Kosovën dhe Serbinë, parakusht për të përfituar pagesa nga kjo paketë është angazhimi konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore”.

“Në rastin e Kosovës dhe Serbisë, ka një parakusht të përgjithshëm që të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, me qëllim të zbatimit të plotë të të gjitha obligimeve të tyre përkatëse, që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe Aneksin e zbatimit, si dhe të gjitha marrëveshjet nga e kaluara në dialog dhe të angazhohen në negociata për Marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, me rastin e bërjes publike të  Planit 6 miliardësh për Ballkanin.

Në këtë mënyrë, në Kosovë, edhe në opinion edhe në qarqet politike, ka shumë dilema, paqartësi, por edhe pikëpamje të ndryshme rreth këtyre zhvillimeve pa pasur një përgjigje më konkrete rreth kohëzgjatjes së masave të BE-së, dhe pasojave evidente të tyre për proceset zhvillimore në Kosovë. /Buletini Ekonomik/