FMN: Stabiliteti financiar global, në rrezik për shkak të kërcënimeve kibernetike

Fotografi ilustruese
“Nevoja për bashkëpunimin global mes kompanive publike dhe private nuk ka qenë kurrë kaq e fortë, mbi të gjitha sepse sulmet ndaj institucioneve financiare mund të kenë pasoja të mëdha në ekonomi dhe te shoqëria në përgjithësi”

Sipas një raporti të ri të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), stabiliteti financiar global kërcënohet nga shpeshtësia në rritje dhe sofistikimi i sulmeve kibernetike.

Rreziku i humbjeve ekstreme të shkaktuara nga sulmet kibernetike është në rritje, thekson raporti, dhe sektori financiar është i ekspozuar në mënyrë të veçantë ndaj kërcënimeve kibernetike, pasi operacionet përfshijnë sasi të mëdha të dhënash dhe transaksionesh të ndjeshme.

Për institucionet financiare, rezultati i një sulmi kibernetik mund të sjellë probleme financimi, dëme në reputacion dhe madje edhe falimentim.

Reklama e sponzorizuar

Ndër të tjera, ekspertët paralajmërojnë që për sektorin financiar në përgjithësi, sulmet më të rënda mund të minojnë besimin te sistemi, të ndërpresin shërbimet kritike dhe të përhapen në sektorë të tjerë.

Sipas Global Financial Stability Report të FMN, në dy dekadat e fundit, thuajse një e pesta e sulmeve kibernetike ka goditur sektorin financiar global, duke u shkaktuar kompanive financiare humbje direkte në 12 miliardë dollarë. Nga viti 2020, humbjet direkte vlerësohen në 2.5 miliardë dollarë.

“Edhe pse njihen gjerësisht si lider nga pikëpamja e pjekurisë kibernetike, institucionet financiare janë po aq të cenueshme ndaj rritjes së vazhdueshme të shpeshtësisë dhe sofistikimit të sulmeve kibernetike sa çdo sektor tjetër”, – deklaroi Akshay Joshi, drejtuesi i Industrisë dhe Partneriteteve në Qendrën për Sigurinë Informatike të World Economic Forum.

Raporti i FMN shton se bankat janë veçanërisht në shënjestër dhe se shifrat e humbjeve ka të ngjarë të jenë shumë më të larta kur merren parasysh humbjet indirekte dhe dëmtimi i reputacionit.

“Incidentet kibernetike janë një rrezik kyç operacional që mund të kërcënojë qëndrueshmërinë operacionale të institucioneve financiare dhe të ndikojë negativisht në stabilitetin e përgjithshëm makrofinanciar” – lexohet në raport.

Më tej në raport shkruhet se, “edhe pse deri më tani, sulmet kibernetike nuk kanë qenë sistematike, transformimi i shpejtë dixhital dhe inovacioni teknologjik (si Inteligjenca Artificiale), si dhe tensionet e rritura gjeopolitike globale e përkeqësojnë rrezikun”.

Raporti i FMN rekomandon kompanitë financiare të rrisin kapacitetin e tyre të sigurisë kibernetike, nëpërmjet përpjekjeve të tilla si stres-testet dhe marrëveshjet e shkëmbimit të informacionit.

Ndër të tjera, FMN u bën thirrje autoriteteve të zhvillojnë strategji të përshtatshme kombëtare të sigurisë kibernetike, të shoqëruara nga korniza ligjore.

“Me sistemin financiar global që përballet me rreziqe kibernetike të rëndësishme dhe në rritje, për të zbutur rreziqet, kornizat e politikave dhe të qeverisjes duhet të mbajnë ritmin”, lexohet në raport.

FMN bëri thirrje gjithashtu për një bashkëpunim më të madh ndërkombëtar në fushën e sigurisë kibernetike, duke theksuar se sulmet kibernetike shpesh vijnë nga jashtë vendit të origjinës së një kompanie financiare.

Rritja e hendekut në sigurinë kibernetike

Për institucionet financiare, siguria e ekosistemeve dixhitale është thelbësore – thonë ekspertët.

Megjithatë, sipas raportit “Global Cybersecurity Outlook 2024” të World Economic Forum, në ekonomi në përgjithësi regjistrohet rritje e pabarazisë mes organizatave që janë elastike nga pikëpamja informatike dhe atyre që nuk janë.

Ndërsa kompanitë e mëdha tregojnë se kanë bërë përparime në fushën e sigurisë kibernetike, qëndrueshmëria ndaj sigurisë kibernetike e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NMV) ka rënë, sipas raportit.

Raporti i World Economic Forum zbuloi se pabarazia midis atyre që zotërojnë dhe nuk zotërojnë siguri kibernetike po përkeqësohet, për shkak të teknologjive në zhvillim, ku shumë ndërmarrje të vogla dhe të mesme mbeten pas përballë zhvillimit të teknologjive të avancuara.

Mungesa e aftësive në fushën e sigurisë kibernetike

“Strategic Cybersecurity Talent Framework”, një dokument i World Economic Forum, zbuloi se përpjekjet për të arritur objektivat e sigurisë kibernetike pengohen nga mungesa e vazhdueshme e aftësive.

“Framework” zbuloi një mungesë prej 4 milionë profesionistësh të sigurisë kibernetike dhe më shumë se gjysma e organizatave publike përmendin mungesën e burimeve dhe aftësive si sfidën më të madhe për të përmirësuar qëndrueshmërinë informatike.

“Nevoja për bashkëpunimin global mes kompanive publike dhe private nuk ka qenë kurrë kaq e fortë, mbi të gjitha sepse sulmet ndaj institucioneve financiare mund të kenë pasoja të mëdha në ekonomi dhe te shoqëria në përgjithësi” – shtoi Joshi.

/World Economic Forum/