Iniciativa për Progres (INPO) ka publikuar raportin “Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) nën llupën e INPO-s”, sipas të cilit në këtë institucion ka zvarritje të shqyrtimit të ankesave sa i përket përmbushjes së qasjes në dokumente publike.
Këto vonesa nga komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva, janë arsyetuar me mungesë të stafit.
Rezultatet e raportit që thuhet se është rezultat i monitorimit të punës së AIP-së, janë prezantuar të premten, në një konferencë për media.
“Gjetjet e këtij raporti rezultojnë të jenë se në këtë institucion ka zvarritje të shqyrtimit të ankesave sa i përket përmbushjes së qasjes në dokumente publike, meqë sipas Ligjit për Qasje në Dokumente Publike afati i paraparë për zgjidhjen e tyre është tridhjetë (30) ditë, ndërsa në praktikë sipas INPO-s, mesatarja e zgjidhjes së ankesave është dyzet e tetë (48) ditë”, thuhet në komunikatën e INPO-s.
Tutje thuhet se pjesë e këtij raporti janë edhe rastet e INPO-s me AIP-në. “Është rasti me Komunën e Kaçanikut si rezultat i mbylljes së ankesës për shkak të interpretimit të gabuar të afateve ligjore dhe rastet e INPO-s me Komunën e Gjilanit të cilat dëshmojnë në shqyrtim të ankesave me standarde të dyfishta apo jo-konsistente për të njëjtën çështje”, thuhet në komunikatë.
Por Sogojeva ka thënë se ka pasur rritje të numrit të ankesave dhe se ato janë trajtuar nga vetëm tre zyrtarë.
“Një prej konkluzioneve është çështja e kohëzgjatjes deri në 48 ditë në mesataren e shqyrtimit të ankesave. Ju kujtoj që Agjencia e ka filluar punën me vetëm një zyrtar në qasje të dokumenteve publike për të vazhduar pastaj me mbështetje nga dy zyrtarë të tjerë d.m.th në totalin e vet Agjencia ka pasur rritje të vazhdueshme të numrit të ankesave që kanë qenë 145 pastaj duke shkuar në 400 e diçka dhe së fundi në vitin 2023 në 522 ankesa të cilat janë shqyrtuar dhe janë vendosur vetëm nga tre zyrtarë dhe vetëm INPO-ja si organizatë në 76 raste ka marrë qasje përmes intervenimit apo përmes shqyrtimit të ankesave në Agjencinë për Informin dhe Privatësi”, ka thënë Sogojeva për Ekonomia Online.