Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik Transatlantik të Evropës Juglindore që u zhvillua në Washington.
Në qendër të diskutimeve të këtij forumi ishte forcimi i bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ShBA-së, ku Rafuna në emër të Kosovës nënshkroi memorandum mirëkuptimi në fushën e turizmit me ShBA-të.
“Kryetari Rafuna, në emër të Republikës së Kosovës, nënshkroi Memorandumin e Mirëkuptimit “Fuqizimi i bashkëpunimit turistik transatlantik në mes të Ballkanit Perëndimor dhe Shteteve të Bashkuara” që ishte dhe pika kulmore e këtij forumi dy-ditor”.
“Forumi u organizua nga “Transatlantik Leadership Network” në bashkëpunim me “Atlantic Council” dhe u mbajt në Capitol Building, në selinë e Senatit dhe të Kongresit Amerikan”, thuhet në njoftim.
Më tej, bëhet e ditur se në këtë forum u fol edhe për mundësitë dhe sfidat e thellimit të bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Shteteve të Bashkuara, me theks në sektorin e energjisë, turizmit, bankave e financave dhe digjitalizimit.