Për kalkulim borxhi, ekspertët morën dokumente në Dardafon por jo edhe në Telekom

Posta dhe Telekomi i Kosovës

Përfaqësues të Telekomit edhe në seancën gjyqësore të së martës kanë kërkuar që Gjykata t’ia njohë si kompensim dhënien e numrave dhe shërbimeve telefonike kompanisë Dardafon, për operatorin privat Z-Mobile. Edhe këtë herë, kërkesa u refuzua nga gjyqtari. E ekspertët financiarë të angazhuar për të kalkuluar borxhin e ndërsjellë kanë thënë që kanë kërkuar dhe pranuar dokumente drejtpërdrejt nga Dardafoni por jo edhe nga Telekomi.

Në rastin gjyqësor me kompaninë Dardafon, përfaqësuesi ligjor i Telekomit, Durim Ahmetaj, ka kërkuar të martën që Gjykata të shfuqizojë aktvendimin e para disa javëve, me të cilin ka refuzuar kërkesën e ndërmarrjes publike për përfshirjen e shërbimeve 3G dhe 4G në plotësim-ekspertizë, si kompensim ndaj Z-Mobile.

Kontesti mes kompanive telefonike rrjedh nga marrëveshja e vitit 2017 për ekzekutimin e një vendimi final të arbitrazhit.

Reklama e sponzorizuar

Përfaqësues të Telekomit pretendojnë që si shpagim për borxhin ndaj Dardafonit, i kanë dhënë kësaj kompanie në shfrytëzim numra dhe shërbime telefonike, të cilat, sipas tyre, nuk po përfshihen në kalkulim.

Kërkesa u shtrua pas një përmbledhjeje kronologjike për përballjen gjyqësore mes dy kompanive telefonike, që nga vendimi i arbitrazhit.

“Jo nga kjo Gjykatë dhe as nga gjyqtari i rastit, por nga askush nuk mund të mënjanohen lehtësisht këto pagesa dhe kompensime siç po tentohet në këtë procedurë”, ka thënë Durim Ahmetaj, përfaqësues ligjor i Telekomit.

Relevancën e kërkesës dhe përmbledhjes e kontestoi përfaqësuesi i Dardafonit, Alban Makolli.
Edhe gjyqtari Dren Rogova sërish e hodhi poshtë kërkesën e Telekomit.

Pas kësaj, përfaqësuesi financiar i Telekomit, Feim Kelmendi, shtroi një sërë pyetjesh e vërejtjesh drejtuar ekspertëve financiarë.

Kelmendi e pyeti ekspertin Bashkim Uka se a janë marrë dokumente nga Telekomi për të bërë llogarinë mbi borxhin e ndërsjellë. Eksperti Uka mohoi të ketë marrë dokumente nga ndërmarrja publike, por tha se ka pasur takime me përfaqësues të saj. Ai tha se të gjitha materialet janë marrë nga shkresat e lëndës. Por më pas pranoi që është shërbyer me dokumente edhe nga Dardafoni.

“A keni marrë të dhëna dhe a keni kërkuar verifikimin e të dhënave nga pala kreditore?”, ka pyetur Kelmendi.

“Gjithashtu edhe me kreditorin kemi pasur takim dhe nga të njëjtit kemi kërkuar dhe na kanë dërguar tabelën për llogaritjen e interesit”, është përgjigjur eksperti Uka.

Në seancën e shkuar, përfaqësuesit e Telekomit kanë kërkuar përjashtimin e ekspertëve financiarë, por edhe të gjyqtarit Dren Rogova nga kjo çështje. Të dy kërkesat janë refuzuar.
Llogaritë bankare të Telekomit janë të bllokuara që nga fundi i muajit shkurt, e prej atëherë rreth 1.700 punëtorët e kësaj ndërmarrjeje nuk i kanë marrë pagat. /Koha.net/