Policia e Kosovës po i kontrollon disa biznese në veri të vendit.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani i tha Gazetës Express se kanë informacione se në to po zhvillohet veprimtari e kundërligjshme.
“Në bazë të informacioneve të pranuara se në disa biznese në Veri të vendit është duke u zhvillu veprimtari e kundërligjshme, me autorizim të prokurorit kemi nderhy dhe të njëjtat jemi duke i kontrollu. Me neve është edhe ATK”, tha Elshani.
Mediat serbe raportojnë se Policia e Kosovës është futur në së paku katër degë të një banke në veri, si dhe në shërbimin e Bankës Popullore e Serbisë në Komunën e Leposaviqit.
Atje raportohet se po qëndrojnë edhe pjesëtarët e EULEX-it dhe KFOR-it.
Para një jave, Banka Qendrore e Kosovës ka bërë të ditur se e ka përmbyllur periudhën tremujore tranzitore për zbatim të lehtësuar të rregullores për operacione me para të gatshme, që synon ta heq dinarin serb si mjet pagese.
Tash që euro konsiderohet valuta e vetme e vlefshme për transaksione në Kosovë, rregullorja e BQK-së parashikon ndëshkime për ata që e përdorin dinarin serb si mjet pagese në Kosovë.
BQK-ja ka thënë se gjatë kësaj periudhe i ka licencuar tetë degë të institucioneve financiare në komunat me shumicë serbe, në Leposaviq, Zveçan, Graçanicë, Shtërpcë dhe një në Shillovë të Gjilanit.