Policia: Mbyllen 6 njësi të të ashtuquajturës ‘Bankë Postare Kursimore’ në veri

Policia e Kosovës ka konfirmuar mbylljen e gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të vendit, raporton Gazeta Express.

Policia njoftoi se po zhvillon një operacion në gjashtë lokacione në katër komunat veriore.

“Policia e Kosovës, pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, si Njësia e Inteligjencës Financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës, bazuar në autorizim të prokurorit kompetent, është duke zhvilluar një operacion policor në gjashtë lokacione të katër komunave në veri të Kosovës, e që janë i ashtuquajturi Trezori i Bankës Postare Kursimore (Banka Postanske Stedionice) dhe pesë filialeve të tjera të saj, që kanë vepruar ilegalisht në këtë zonë të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Reklama e sponzorizuar

Policia thotë se “ky operacion policor është duke u zhvilluar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Kosovës dhe organeve të drejtësisë, aksion ky i cili deri më tani ka kaluar pa ndonjë problem apo incident”.

“Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë, ku me autorizim të prokurorit kompetent gjashtë njësi të ashtuquajturës bankës postare kursimore ilegale, në veri të vendit janë mbyllur”, thuhet në njoftim.

Mediat serbe raportuan se atje janë parë edhe pjesëtarë të EULEX-it dhe KFOR-it.

Para një jave, Banka Qendrore e Kosovës ka bërë të ditur se e ka përmbyllur periudhën tremujore tranzitore për zbatim të lehtësuar të rregullores për operacione me para të gatshme, që synon ta heq dinarin serb si mjet pagese në vend.

Tash që euro konsiderohet valuta e vetme e vlefshme për transaksione në Kosovë, rregullorja e BQK-së parashikon ndëshkime për ata që e përdorin dinarin serb si mjet pagese.

BQK-ja ka thënë se gjatë periudhës tranzitore i ka licencuar tetë degë të institucioneve financiare në komunat me shumicë serbe, në Leposaviq, Zveçan, Graçanicë, Shtërpcë dhe një në Shillovë të Gjilanit.

Kryeministri Albin Kurti tha para një jave se BQK-ja “e ka sqaruar se qëllimi është ligjshmëria, transparenca dhe jo ndëshkimi dhe dënimi”.

Çështja e dinarit e ka përballur Qeverinë e Kosovës me kundërshtimin e bashkësisë ndërkombëtare, e cila ka kërkuar pezullimin e zbatimit të rregullores së re të BQK-së.

Kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq janë takuar disa herë në Bruksel, në një përpjekje të pasuksesshëme për gjetjen e një zgjidhjeje për këtë çështje.