Problemi që u krijua pas thashethemeve dhe njoftimeve të rrejshme se “Qeveria do të ndajë deri në 700 euro për pensionistët”, është rrjedhojë dhe pasojë e gjendjes së vështirë materiale dhe sociale të pensionistëve të Kosovës (rreth 200 mijë syresh, prejt tyre diku afër 150 mijë pensionistë me pension të pleqërisë dhe rreth 45 mijë kontributdhënës), të cilët, këtyre ditëve vërshuan sportelet e zyrave të pensionistëve, por edhe të ministrisë përkatëse, për t’u pajisur me dokumente të ‘kërkuara’. Problemi ndodhi, dhe do të nddhë edhe në vazhdimësi, përderisa pensionistët e Kosovës vazhdojnë të trajtohen si është më së keqi, të kenë pensione që nuk u dalin as për barnat e domosdoshme dhe të harrohen nga shteti e pushteti, thuaja se ata janë inekszistentë.
Mehmet GJATA
Me gjendjen aktuale të mjerueshme financiare të pensionistëve të Kosovës, me pensionet e tyre përçmuese dhe që nuk janë as lëmoshë për të qenë, ata lehtësisht mashtrohen, bien pre e dezinformatave dhe nuk kanë ndonjë efekt njoftimet dhe thirrjet e shpeshtuara të autoriteteve, dhe kërkesat që “pesionistët të kenë kujdes se ku informohen dhe që të mos bien pre e mashtrimeve edhe të atyre rasteve kur iu kërkohen para në këmbim të një pagese”.
Me fjalë të tjera, pensionistët vazhdojnë të mos jenë edhe aq të bindur në thirrjet e Ministrisë së Financave dhe vazhdojnë të ngarendin nëpër sportelet e dikasterit përkatës për të marrë vendimin ‘se është pensionist”, një dokument i kërkuar nga zyrtarë të organizatave pensioniste, në shkëmbim të një pagese prej disa eurosh.
“Siç ju kemi informuar edhe përmes një njoftimi paraprak, udhëzoheni të jeni të kujdesshëm ndaj informatave të rreme që qarkullojnë këto ditë, të cilat kanë për qëllim keqinformimin e përfituesve të skemave pensionale në Kosovë dhe mund të përbëjnë skema mashtruese apo edhe tendencë për keqpërdorimin e të dhënave personale. Lidhur me çdo ndryshim eventual, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve kërkon nga të gjithë përfituesit e skemave pensionale që të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare të MFPT-së dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe të shmangin informatat dhe shërbimet e tjera jozyrtare. Ftojmë qytetarët të kenë kujdes e të mos bien pre e mashtrimeve dhe dezinformatave, dhe rastet e tilla kur ju premtohen shuma parash në këmbim të një pagese tani, t’i paraqesin edhe në organet e rendit”, thuhej në njoftimin e ditës së enjte (30 maj 2024) të Ministrisë së Financave rreth këtij problemi.
Ndërsa, siç është njoftuar në medie një ditë më parë, gjegjësisht të mërkurën, Policia e Kosovës kishte njoftuar se “bazuar në autorizim dhe në informacionet e siguruara, njësitet relevante policore kanë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për mashtrimet e mundshme ndaj pensionistëve të Kosovës”.
Edhe PK i ka bërë thirrje pensionistëve që të mos bien pre e mashtrimeve të mundshme dhe për çdo rast ta njoftojnë Policinë.
I gjithë ky problem dhe kjo rrëmujë që u krijua rreth kësaj çështjeje, është rrjedhojë dhe pasojë e gjendjes së vështirë materiale dhe sociale të pensionistëve të Kosovës (rreth 200 mijë syresh, prejt tyre diku afër 150 mijë pensionistë me pension të pleqërisë dhe rreth 45 mijë me pension kontributdhënës gjatë punës shumëvjeçare), të cilët, me të dëgjuar thashethemet për informatën e rrejshme se gjoja “Qeveria do të ndajë deri në 700 euro për pensionistët”, vërshuan sportelet e zyrave të pensionistëve, por edhe të ministrisë përkatëse, për t’u pajisur me dokumente të ‘kërkuara’.
Nuk është shumë e rëndësishme pastaj se pas njoftimit të Policisë së Kosovës se “kanë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për mashtrimet e mundshme ndaj pensionistëve të Kosovës”, zyrtarët në krye të asociacioneve të pensionistëve të vendit, e kanë mohuar involvimin në krijimin e këtyre dezinformatave. Problemi, ndodhi, dhe do të ndodhë edhe në vazhdimësi, përderisa pensionistët e Kosovës, do të vazhdojnë të trajtohen si është më së keqi, të kenë pensione që nuk u dalin as për barnat e domosdoshme dhe të harrohen nga shteti e pushteti, thuaja se ata janë inekzistentë. Sepse, shtetit, institucioneve të tij dhe vendimmarrësve, atyre që vendosin për distribuimin dhe shpenzimin e parasë së shtetit, ka kohë që nuk iu bie ndërmend se në këtë vend ekzistojnë edhe 200 mijë pensionistë, shtetas të Kosovës, qytetarë të këtij vendi. Ata, ekzistojnë në Kosovë vetëm si numra.
Që nga paslufta, pensionistët e Kosovës janë pa asnjë vëmendje nga shteti, nga Qeveria, e as nga subjektet politike – pozitë dhe opozitë. Pensonistët në Kosovë në vazhdimësi po anashkalohen dhe po mbesin të “harruar” fare, sikur mos të ekzistonin as nga Qeveria aktuale, zyrtarët e së cilës kishin bërë shumë premtime para ardhjes në pushtet për përkujdesje ndaj këtyre njerzëve.
Në Kosovë, për afro 200 mijë pensionistë, sa vlerësohet të ketë gjithsej (145 mijë pensionistë të pleqërisë dhe diku rreth 50 mijë kontributdhënës), ka vite që nuk ka pasur ngritje pensionesh. Për të qenë të saktë në konstatimet tona, në fund të vitit të kaluar, më në fund qeveria, kishte bërë ball t’ua ndajë në formë ndihme ‘lëmoshën” prej 100 eurosh të gjithë pensionistëve, dhe kjo është e tëra. Shteti, institucionet e tij dhe vendimmarrësit, ata që vendosin për distribuimin dhe shpenzimin e parasë së shtetit, u kënaqën me dhënien e kësaj “lëmoshe”, dhe prap i harruan pensionistët dhe as që iu bie ndërmend se ekzistojnë edhe kjo kategori njerëzish në këtë vend. Nuk u bie ndërmend se këta njerëz, 200 mijë pensionistë, janë shtetas të Kosovës, janë qytetarë të këtij vendi. Ata, ekzistojnë vetëm si numra.
Pensonistët e Kosovës edhe në këto vite të Qeverisë Kurti 2 dolën të jenë praktikisht ‘inekzistentë” edhe me projeksionet buxhetore, sikundër ndodhi me Buxhetin 2024, ku me asnjë rresht të shkruar dhe me asnjë fjalë, as që u përmend ekzistenca dhe mirëqenia e mjerueshme e tyre. Kjo u pa edhe me rastin kur kryeministri i vendit, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë në ditën e fundit të tetorit të vitit 2023, duke treguar për fushat që do t’i kenë prioritet me buxhetin e pritshëm prej 3 miliardë e 314 milionë euro, radhiti jo pak sektorë si kategori të shpenzimeve gjatë vitit në vijim, ku parashihet rritje pagash dhe mirëqeniesh, por pa iu përkujtuar fare pensionistët.
Ndërsa, Hekuran Murati, doli të jetë edhe më konkret duke paralajmëruar se: Në sektorin e arsimit do të ketë rritje 20% rritje, derisa në SHSKUK do të ketë ngritje pagash prej 25%, ndërsa për pensionistët as që u kujtua të japë së paku një shpjegim fare të vogël pse ndodhi edhe ky anashkalim i tyre nga shteti, për ndërtimin e të cilit kanë kontribuar pafundësisht shumë.
Nuk është se për pensionistët e Kosovës u treguan më të vëmendshëm dhe më kërkues për t’i trajtuar ata më dinjitetshëm as nga opozita. Gjendja e tyre, nga përfaqësuesit opozitarë, më shumë po shfrytëzohet për promovime politike individuale dhe partiake, se sa që realisht mendohet për ndonjë përmirësim të gjendjes sociale të tyre.
Kështu, këto ditë, në njëfarë mënyre, veproi edhe deputeti i Kuvendit nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj, i cili kishte thënë se “pushteti aktual, i ardhur në qeverisje me program social dhe anti-korruptiv, për këto tre-katër vjet vazhdon të jetë qeverisja më anti-sociale dhe më e korruptuara”.
Dreshaj ka shtuar se “pensionerët po anashkalohen skajshëm, duke thënë se ata janë shndërruar në lypsarë”.
“Mashtrimi me pensionistët vazhdon!”
Sipas tij, pensionistët, lëre më që janë jashtë agjendës qeverisëse dhe janë shndërruar në lypsar, por edhe lëmosha që ju jepet, nuk harmonizohet me koston e jetesës.
Deputetët e AAK-së e mbështetën me votë marrëveshjen ndërkombëtare për rregullimin e skemave sociale në vend, por përkundër premtimit nga mazhoranca, kjo nuk ndodhi.
Me këtë rast, po ia përkujtojmë Dreshajt dhe të gjithë deputetëve aktual, edhe atyre opozitarë, se për pensionistët nuk e “lodhën kryet” shumë as qeverisjet e tyre, derisa ishin në pushtet për jo pak vite. Prandaj, në gjendjen e mjerueshme të pensionistëve kanë “hise’ të gjitha qeveritë e deritashme, pavarësisht nga cili subjekt politik ishin. Për pensionistët e nëpërkëmbur kosovarë nuk janë ndonjë satisfaksion as të dhënat e rishpallura këtyre ditëve, me rastin e shënimit të fillimit të pilotimit të skemës për reformën e asistencës sociale në Kosovë nga kryeministri Albin Kurti se “ndamë mbi 100 milionë euro për të mbështetur pensionistët dhe për skemat tjera sociale”.
Ndërkohë, edhe pretendenti për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në paraqitjet e para publike të tija, nuk është se shprehu ndonjë përkushtim dhe zell tjetërfare nga pararendësit. Hamza, gjatë një interviste të ditëve të fundit në njërën nga TV-të kosovare, tha se “sektori publik nuk është në gjendje të mirë, nuk kemi pas ndonjë rritje domethënëse të pagave që nga viti 2014. Inflacioni ka shku, çmimet kanë ndryshuar kanë shku shumë lartë, standardi i jetesës ka ngel ulët…”
Nuk e tha asnjë fjalë për varfërinë e skajshme të pensionistëve, as nuk denjoi të japë ndonjë premtim për zbutjen, apo përmirësimin e gjendjes së tyre, në rast të ardhjes në pozitën e kryeministrit. Nuk tha që pensionet në Kosovë nuk janë rritur qe shumë vite para 2014-tës e këtej, por “qau hallin” për sektorin publik që nuk paska pasur rritje domethënëse që nga 2014-ta.
Në këtë mënyrë, në Kosovë, sot e kësaj dite, nuk po del të ketë kush të përkujdeset për pensionistët. Vazhdon mospërfillja ndaj tyre, vazhdon të mos ketë rritje pensionesh, edhe pse në Kosovë ka tash e sa vjet rritje enorme çmimesh të produkteve elementare ushqimore, rritje çmimi të energjisë elektrike, paralajmërime për çmime të reja të ngritura. Ndoshta, sivjet pensionistët e anashkaluar skajshmërisht, sërish do të bëhen subjekt i fushatave elektorale, si dhe subjekt i premtimeve të shumta të subjekteve politike për ta përmirësuar gjendjen e tyre, duke ua kërkuar votën. Dhe kaq. Kjo ka qenë vëmendja e deritashme e zyrtarëve të Kosovës për pensionistët. Prandaj, ata bëhen pre e dezinformatave rreth përfitimeve eventuale të tyre dhe lehtësisht “të mashtrueshëm” edhe në rastet kur iu kërkohen para në këmbim të një pagese tjetër më të lartë. /Buletini Ekonomik/