MINT vazhdon kompensimin e 25 punonjësve nga komuniteti serb që nuk shkojnë fare në punë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e ka vazhduar edhe gjatë vitit 2023 praktikën e zakonshme të dhënies së pagave për punonjësit nga komuniteti serb, ndonëse të njëjtit vazhdojnë të mos shkojnë në punë asnjë ditë.

Për këta punonjës ‘të ashtuquajtur’, të cilët nuk zhvillojnë qe sa vite asnjë aktivitet në MINT, vetëm gjatë vitit 2023, ministria në fjalë ka shpenzuar nga buxheti i saj gjithsej 133 mijë e 636 euro, përcjell Buletini Ekonomik.

Kjo është konstatuar në gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit me rastin e auditimit të Ministrisë së Industrisë për vitin 2023.

Reklama e sponzorizuar

Sipas ZKA-së, kjo dukuri po vazhdon të jetë prezente ndër vite, edhe pse ata kanë raportuar vazhdimisht nëpër raportet e auditimit këtë parregullësi. Kjo, për shkak se sipas ZKA-së, ministria në fjalë ende nuk ka arritur të ndërmarrë masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve.

Sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë, të gjithë të punësuarit, në cilësinë e zyrtarit në institucionet publike, janë të obliguar që gjatë orarit të punës të jenë nëpër vendet e tyre të punës, të shënohen në librin e vijueshmërisë në punë ose në regjistrin elektronik.

Nga ZKA konsiderojnë tutje se pagesat e punonjësve në mungesë të dëshmive për vijueshmëri në punë dhe në mungesë të angazhimit për kryerjen e detyrave zyrtare, janë pagesa të parregullta dhe si të tilla dëmtojnë çdoherë buxhetin e ministrisë.

Andaj, ZKA i bën thirrje ministrisë që të analizojë situatën e krijuar dhe të sigurohet se janë duke u vlerësuar të gjitha mundësitë për gjetjen e ndonjë zgjidhjeje dhe njëkohësisht të ndërmerren veprime të cilat janë në përputhje me kërkesat ligjore.

Ndryshe, sipas një vendimi të vitit 2015, që ndryshe quhet si Marrëveshja e Brukselit, të gjitha institucionet publike në vend kanë qenë të obliguara që të rezervojnë një kuotë të punësimit për sistemimin e një numri të caktuar të punonjësve të komunitetit serb me qëllim të integrimit të tyre në sistemin qeveritar vendor. Mirëpo, që nga viti 2016, shumica e këtyre punonjësve nuk kishin punuar asnjëherë për ministritë përkatëse, edhe pse pagat për ta ishin ndarë normalisht sikur për punonjësit tjerë që punojnë. /Buletini Ekonomik/