Ekonomia botërore pritet të rritet me 2.6 për qind këtë vit dhe ritmi i zgjerimit pritet të mbetet i qëndrueshëm gjatë gjithë vitit, pa luhatje të konsiderueshme, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore.
Do të jetë hera e parë në tre vjet që norma e rritjes globale do të mbetet e qëndrueshme pavarësisht tensioneve të përshkallëzuara gjeopolitike dhe normave të larta të interesit. Pas kësaj, rritja parashikohet të rritet lehtë në 2.7 për qind në periudhën 2025-2026, e nxitur nga rritjet e moderuara e tregtisë dhe investimeve, thuhet në raport.
Perspektiva e fundit e rritjes së Bankës Botërore është një përmirësim i lehtë nga parashikimet e janarit prej 2.4 për qind. Megjithatë, kjo normë rritjeje është ende nën mesataren prej 3.1 për qind në dekadën para pandemisë së koronavirusit.
Parashikimi më i fundit nënkupton që gjatë periudhës 2024-2026 vendet që së bashku përbëjnë më shumë se 80 për qind të popullsisë së botës dhe ekonomisë globale do të rriten akoma më ngadalë se sa në dekadën para pandemisë.
“Katër vjet pas trazirave të shkaktuara nga pandemia, konfliktet, inflacioni dhe politika e shtrënguar monetar, duket se rritja ekonomike globale është e qëndrueshme. Megjithatë, rritja është në nivele më të ulëta se para vitit 2020,” tha Indermit Gill, kryeekonomist dhe drejtues i Bankës Botërore.
Në përgjithësi, ekonomitë në zhvillim parashikohet të rriten mesatarisht 4 për qind gjatë viteve 2024-2025, pak më ngadalë se në vitin 2023. Rritja në ekonomitë me të ardhura të ulëta pritet të rritet në 5 për qind këtë vit nga 3,8 për qind në 2023.
Këtë vit, një në katër ekonomi në zhvillim pritet të mbetet më e varfër se sa ishte në prag të pandemisë në 2019.
Inflacioni global pritet të zbutet në 3.5% në 2024 dhe 2.9% në 2025, por ritmi i rënies është më i ngadaltë se sa ishte parashikuar vetëm gjashtë muaj më parë. Si rezultat, shumë banka qendrore pritet të qëndrojnë të kujdesshme në uljen e normave të interesit. Normat globale të interesit ka të ngjarë të mbeten të larta, mesatarisht rreth 4% gjatë viteve 2025-2026, afërsisht dyfishi i mesatares 2000-2019.
“Megjithëse çmimet e ushqimeve dhe energjisë janë moderuar në të gjithë botën, inflacioni bazë mbetet relativisht i lartë dhe mund të qëndrojë i tillë”, tha Ayhan Kose, Zv.kryeekonomisti i Bankës Botërore.