Kosova, “bahçeja” e bankave komerciale

Bankat komerciale në Kosovë, 12 sosh sa janë tani, vazhdojnë të rrisin fitimet neto të tyre, dhe këto fitime enorme ua mundëson afarizmi qind për qind liberal, por edhe i pakontrolluar nga asnjë institucion shtetëror, as nga BQK-ja, dhe normat e interesit për kreditë dhe çmimet tejmase të larta të të gjitha produkteve bankare, sidomos të shërbimeve, ndër më të lartat në Europë.

Mehmet GJATA

Kosova vazhdon të mbetet shteti më i përshtatshëm jo vetëm në rajon i afarizmit bankar. Bankat komerciale këtu, 12 sosh sa janë tani, vazhdojnë të rrisin fitimet neto të tyre, dhe këto fitime enorme ua mundëson afarizmi qind për qind liberal, i pandikuar dhe i pakontrolluar nga asnjë institucion shtetëror, as nga BQK-ja, dhe normat e interesit për kreditë dhe çmimet tejmase të larta të të gjitha produkteve bankare, ndër më të lartat në Europë. Prandaj, që nga paslufta, nuk pati tremujor, gjashtëmujor, nëntëmujor dhe përmbyllje viti, që bankat komerciale, dhe organizmat bankar mikrofinanciar në Kosovën e varfër, që nuk shënuan rekorde fitimesh.

Reklama e sponzorizuar

Edhe sivjet, më 2024, bankat komerciale në Kosovë kanë thyer rekord me fitimet e realizuara, kryesisht si rrjedhojë e normave të larta të interesit në kredi dhe nga çmimet astronomike të shërbimeve. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK-së) për periudhën janar-prill 2024, për katër muajt e parë të këtij viti, bankat komerciale kanë fituar rreth 58 milionë euro neto fitim, që është rekord fitimi në katër muajt e parë dhe më i larti që nga paslufta e këndej.

Po sipas BQK-së, vlera e përgjithshme e kredive në këta 4 muaj (janar-prill, pra) ka shkuar mbi 5.1 miliardë euro, që do të thotë është shënuar një rritje vjetore e kredive për 12.7 %. Kurse norma mesatare e interesit në kredi në fund të vitit (dhjetor ) 2023 ishte 6.35%.

Sipas të dhënave statistikore të BQK-së, në fund të vitit të kaluar, ose në fillim të këtij viti, mbi 7.5 miliardë euro ishin asetet e bankave komerciale në Republikën e Kosovës, ndërsa investimet e tyre jashtë vendit kishin arritur në 1.26 miliard euro. Fitimi neto i bankave komerciale në Republikën tonë arriti në 155 milionë euro, që ishte sërish rekord i ri fitimesh bankare, por, siç po shihet nga arkëtimi i fitimit në katër mujorin e sivjetshëm (58 milionë euro), edhe rekordi i vitit 2023 sivjet lehtësisht do të tejkalohet.

Në këtë mënyrë, bankat komerciale në Kosovë me çdo kusht duan të fitojnë para shumë, duke mbajtur nivele të larta interesash mbi çdo parashikim dhe më të larta se kudo në ndonjë shtet të botës dhe duke ngritur çmimin e shërbimeve në stratosferë, përtej çdo parashikimi dhe krahasimi me të tjerët. Dhe për këto veprime nuk i japin askujt, asnjë llogari të vetme. As Bankës Qendrore të Kosovës, e cila sipas legjislacionit në fuqi tani e shumë vjet më herët, është “kupola” bankare e vendit, dhe si e tillë, do të duhej të monitorojë ngritjen e çmimeve të produkteve bankare kurdoherë dhe në të gjitha rastet kur atakohet dhe vëhet në vështirësi klientela bankare kosovare.

Dhe, në asnjë rast të vetëm, deri më tani, BQK-ja nuk ka qenë e prerë kundrejt ngritjeve të shpeshta të çmimeve të shërbimeve bankare. Ndërsa, as që bëhet fjalë për ndonjë rast të tërheqjes së ndonjë vije të kuqe karshi bankave komerciale kosovare për këto çmime rekorde, ose për t’ua anuluar ndonjëherë vendimet për çmimet e produkteve bankare. Prandaj, Kosova mbetet ‘bahçe” e bankarëve.

Sipas të dhënave të mëhershme të BQK-së, të bëra publike nga shumë medie kosovare, ndër to edhe nga Buletini Ekonomik, kjo rritje e fitimit neto i atribuohet veçanërisht të hyrave nga interesat që aplikojnë bankat, përkatësisht rritjes së kredidhënies, çmimeve stratosferike të shërbimeve bakare. Ndërsa, nuk mund të abstrahohet fakti se në këtë shumë fitimesh të bankave, në njëfarë mënyre ka ndihmuar, gjithsesi, edhe miratimi pa asnjë kundërshtim nga BQK-ja të kërkesave të pandalshme të bankave për të mbajtur interesat në përqindje kaq shumë të larta, ndër më të lartat në shtetet e rajonit dhe politikat e pakuptueshme që po ndjek BQK-ja në disfavor të theksueshëm kundrejt klientelës kosovare dhe në favor edhe duke miratuar me heshtje ngritjen enorme të çmimeve të shërbimeve bankare. Dhe po del fare i saktë pohimi i shumë analistëve dhe njohësve të sistemit bankar të vendit se në saje të inferioritetit të BQK-së, bankat komerciale dhe institucionet mikrofinanciare të instaluara tashmë në Kosovë, kur të duan dhe sa të duan i ngritin çmimet e shërbimeve bankare, dhe si të duan dhe kur të duan i përcaktojnë kamatat për të gjitha llojet e kredidhënies. Dhe fitimet enorme dhe të papara dhe të pashënuara të këtyre bankave në këso nivelesh janë kryekëput rezultat i çmimeve rekorde të larta të shërbimeve bankare dhe të kamatave akoma të larta te bankat komerciale dhe pakuptueshëm të ‘stërlarta’ (madje edhe përtej fajdexhinjve ilegalë) të institucioneve mikrofinanciare.

Për fitimet enorme të bankave në Kosovë, për neto fitimet tremujore, gjashtëmujore, nëntëmujore dhe vjetore, Buletini Ekonomik, por edhe medie të tjera të shumta kosovare kanë raportuar me dhjetëra e dhjetëra herë. Edhe të dhënat më të fundit, të bëra publike këto ditë nga mediet kosovare, dëshmojnë se neto profiti i bankave kosovare ka shkuar “deri në qiell”. Sa për të dokumentuar pohimet për ineresa enorme të larta, po i ripërsërisim faktet se institucionet mikrofinanciare (IMF) në Kosovë, siç dihet publikisht, aplikojnë norma absurde dhe për logjikën e shëndoshë, të pakuptueshme deri në 41 për qind, ose më saktë nga 23 deri në 41 për qind. Këto, pa diskutim, janë interesat më të larta në botë, në Europë dhe ndër shtetet e rajonit. Dhe , BQK-ja i miraton të gjitha këto, para syve të kosovarëve të varfër.

Sipas të dhënave zyrtare, 1.8 për qind e kosovarëve me të hyrat që kanë, nuk mund ta mbulojnë këstin e kredisë që e kanë në bankat komerciale në Kosovë, ndërkaq 3.8 për qind të qytetarëve, kredia ua merr 75 për qind deri në 100 për qind të të hyrave. Dhe tashmë arsyetimi për ngritje të reja të kamatave është tjetër dhe shumë i ndryshëm nga arsyetimet që bënte më herët BQK-ja për çmimet e reja.

Më as BQK-ja, as bankat komerciale që kërkojnë pareshtur ngritje të çmimeve të produkteve bankare, nuk e bëjnë me arsyetimin se gjoja risku i lartë në këto vite në Kosovën e pasluftës, qenka shkaku i kamatave të ngritura, i gjithë kësaj “loje” jashtë normave të ‘ferplay-it” të afarizmit bankar. Nuk “dhezë më” ky arsyetim bezdisës dhe i paqëndrueshëm fare as në opinionin e brendshëm as në atë të jashtëm. U dëshmua katërcipërisht dhe jo një herë se në Kosovë nuk ka rrisk të lartë, madje as të ulët.

Kosova, në bazë të standardeve të matjes së rriskut, është vendi më i sigurtë në rajon: në Kosovë në gishta i numëron rastet të ketë ndodhur ndonjë vjedhje, ose thyerje e ndonjë institucioni bankar. Ndërkohë, në këto periudha, anembanë në shtetet e rajonit dhe gjithandej, kanë ndodhur X raste të vjedhjeve të bankave. Edhe kreditë jo-performuese, ose siç quhen ndryshe kreditë e këqija, janë fare të vogla “në Kosovën me rrisk të madh të sigurisë”. Shi për këtë, vrojtuesit e jashtëm që i shikonin me realizëm zhvillimet te ne, jo njëherë kanë thënë, shkruar dhe njoftuar se Kosova, edhe në rrethana të tranzicionit dhe në shumë pak vite pasluftës, ishte fare e sigurtë dhe ndër vendet më të sigurta edhe për funksionimin e bankave komerciale.

Nuk nevojitet të bëhet ndonjë analizë e thelluar dhe e detajuar për të parë se edhe arsyetimi i ripërsëritur i bankave për rritje të kamatave “si pasojë e rritjes së normës së EURIBOR-it në tregun evropian”, është i paqëndrueshëm fare për bankat kosovare. Sepse, siç konstaton BQK-ja vet në “Raportin e Stabilitetit Financiar” EURIBOR (ose Norma NdërBankare e Afatizimeve të Eurove), janë norma të interesit mbi depozitat/afatizimet me afate të ndryshme maturimi (përfundimi) që përcaktohen nga një panel i disa bankave elitare të mëdha në tregjet e parasë (kryesisht evropiane). Ndërsa, në Kosovë, asnjëra nga 12 bankat komerciale ekzistuese nuk janë as elitare, as për t’u vlerësuar të mëdha në tregjet ndërkombëtare të parasë. Me fjalë të tjera është kamuflim dhe farsë thirrja në Euribor, sepse siç ka shpjeguar një vrojtues i zhvillimeve bankare, Euribori paraqet kamatat që bankat e aplikojnë kur iu japin kredi njëra tjetrës. Nëse një bankë kosovare ka marrë kredi për t’i kredituar klientët e vet, Euribori eshte legjitim.

Por, këto banka (bankat komerciale të Kosovës, pra) jo vetëm që nuk kanë marrë kredi, por kanë para të depozituara me thasë, të cilat janë depozituar edhe për shkak të kamatave të larta që i kishin për kredi, edhe kur Euribori ishte në minus. Sikur bankat tona të huazonin në Euribor dhe t’u jepnin kredi me kamata të volitshme bizneseve tona, sot ekonomia jonë do të ishte më e zhvilluar. Por, nuk e bënë këtë dhe kërkuan t’i vjelin benefitet vetëm pse vlera e tij ishte rritur para 1,5-2 vjetësh. Kështu nuk ndodhë askund në botë, prandaj kjo thënë troç është plaçkë e bankave, kishte konstatuar njohësi i rrethanave bankare. Prandaj, Kosova, po vazhdon të jetë një parajsë bankare në rajon dhe përtej si rrjedhojë e fitimeve enorme të bankave komerciale dhe të institucioneve mikrofinanciare dhe ngarendjes së këtyre bankave pas fitimeve me çdo kusht. /Buletini Ekonomik/