Moti i ngrohtë rikthen sigurinë në furnizimin e Kosovës me energji elektrike

Termocentrali 'Kosova B'

Stabiliteti i furnizimit të konsumit të vendit, që është evident që nga fundi i marsit dhe fillimi i prillit, është në radhë të parë, rrjedhojë e zvogëlimit të ndjeshëm të konsumit të energjisë elektrike në Republikën tonë, por edhe të një prodhimi kontinuel të rrymës nga termocentralet e KEK-ut.

Buletini Ekonomik

Ka ditë, më saktësisht qëkur ka zënë të ngrohet moti, ose që nga fundi i marsit dhe fillimi i prillit, që furnizimi i Kosovës me energji elektrike është thuaja se tërësisht stabil, pa ndërprerje dhe pa reduktime të energjisë elektrike. Ky stabilitet, që është evident, është në radhë të pare si rrjedhojë e zvogëlimit të ndjeshëm të konsumit të energjisë elektrike në Republikën tonë, por edhe të një prodhimi kontinuel të rrymës nga kapacitetet ekzistuese – termocentraleve të KEK-ut.

Në këtë peiudhë, qëkur mbaruan ditët me temperatura të ulëta, prodhimi i dy blloqeve të termocentraleve Kosova A (250-260 megavatë orë bashkarisht ose secili bllok, A4 dhe A5, nga 125-130 megavatë) dhe i dy blloqeve të Kosovës B (B1 dhe B2, secili nga 260 megavatë) dhe një sasi e imponueshme nga stabilimentet ekzistuese të energjisë së rinovueshme (parkut të energjisë me erë në Shalë të Bajgorës, dhe atij në Kitkë të Kamenicës, si dhe një sasi nga hidrocentralet e vogla që tashmë janë të lidhura me sistemin elektroenergjetik të vendit), kanë mjaftuar për ta furnizuar qetësisht dhe pa ndonjë problem konsumin e vendit.

Duhet thënë se në këtë periudhë, përkundër këtij prodhimi kontinuel dhe stabil, Kosova nuk ka dërguar as gjatë ditës e as gjatë orëve të natës, rrymë në sistemin elektroenergjetik shqiptar, për shkak se në Shqipëri nuk kanë pasur nevojë për sasi shtesë të rrymës. Në liqenet akumuluese të hidrocentraleve në Kaskadën e Drinit, ka mjaftueshëm ujë të akumuluar, që ka siguruar prodhim stabil në hidrokapacitetet ekzistuese shqiptare.

Reklama e sponzorizuar

Dërgimi i energjisë elektrike nga Kosova në KESH është ndërprerë praktikisht që nga 4 prilli 2024, ndërsa borxhi aktual i KEK-ut ndaj KESH-it ka mbetur akoma diku mbi 40 mijë megavatë-orë.

Siç është njoftuar sot Buletini Ekonomik, Shqipëria, qëkur janë mbushur liqenet akumuluese të Kaskadës së Drinit me ujë, (Liqeni i Fierzës, ai i Komanit dhe Vaut të Dejës), ka mjaftueshëm energji për nevojat e konsumit të vet. Me fjalë të tjera, KESH-i nuk ka nevojë as në orët e natës të marrë rrymë nga Kosova, që siç dihet, edhe me kapacitetet aktuale të prodhimit (dy blloqe të termocentraleve Kosova A dhe dy të Kosova B) në këto orë (gjatë natës pra), ka teprica relativisht të theksueshme.

Tepricat e rrymës gjatë natës në Kosovë, varen nga shumë faktorë, por në radhë të parë nga prodhimi kontinuel i termocentraleve ekzistuese, nga moti, që ende dikton konsumin e energjisë dhe nga shpenzimi i konsumatorëve të vendit. Por, në të shumtën, që nga ditët dimërore, që sivjet u shquan me temperatura jo edhe aq të acarta, KEK-u, me kapacitetet e veta prodhuese, krahas furnizimit të konsumit të vendit, ka pasur mundësi reale të dërgojë në Shqipëri energji gjatë natës, kur në Kosovë bie goxha ndjeshëm konsumi i rrymës, mesatarisht rreth 200 e sa megavatë-orë. Po të vazhdonte në këtë mënyrë përditë deri më tash, kjo sasi do të ndikonte që të ulet shumë borxhi i rrymës që Kosova i ka Shqipërisë që nga viti i kaluar.

Në KEK kanë njoftuar sot Buletinin Ekonomik se janë të gatshëm që të vazhdojnë t’i kthejnë borxhin e energjisë elektrike shtetit shqiptar, posa të kenë nevojë ata për rrymë shtesë, sidomos gjatë orëve të natës.

Inxhinierë të KEK-ut, të kyqur drejtpërdrejt në këmbimin e energjisë elektrike me Shqipërinë, i kanë thënë Buletinit Ekonomik se më së miri do të ishte që ky borxh të kthehej gjatë verës, kur atje bie prodhimi si rrjedhojë e rënies së akumulimeve të ujit në liqenet e Kaskadës së Drinit dhe kur në Kosovë, rëndom ka teprica evidente të rrymës.

Në ditët në vazhdim, kur në Shqipëri fillon sezoni i vërtetë turistik, dhe kur ngritet ndjeshëm konsumi i energjisë elektrike, pritet të rifillojë këmbimi i rrymës KEK-KESH. Zyrtarë të KEK-ut, kanë thënë se gjatë sezonit turistik në Shqipëri, që do të thotë gjatë tërë verës dhe disa javë edhe në vjeshtë, pritet që të rinisë këmbimi i rrymës me Shqipërinë, të kthehet borxhi dhe mbase të krijohet edhe ndonjë “rezervë” për ditët e acarta, kur rëndom në Kosovë rishfaqen problemet rreth furnizimit të energjisë elektrike. /Buletini Ekonomik/