Pse BE-ja po zvarritë pafundësisht raportin rreth masave ndëshkuese ndaj Kosovës?

Kosova është në pritje të kahershme disa mujore të heqjes së këtyre sanksioneve, sikundër që vazhdon të jetë ende në pritje të raportit të përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell (i paralajmëruar të bëhet publik në këtë javë), për hapat që ka bërë në përmbushjen e detyrimeve për heqjen e masave të BE-së ndaj saj. Ky raport ishte planifikuar të dorëzohej më herët, sepse vendet e BE-së kishin kërkuar që kjo të bëhet “sa më parë që të jetë e mundur”, por ishte shtyrë sërish për shkaqe politike, ndërsa Kosova vazhdon të vuaj pasojat e ndëshkimit të njëanshëm nga BE-ja.

Mehmet GJATA

Masat ndëshkuese ndaj Kosovës nga BE-ja, të vendosura që në majin e 2023-tës, pas tensioneve në veri të vendit, qartësisht dihet se janë qind për qind politike, të njëanshme por edhe me pasoja evidente për Kosovën, proceset zhvillimore (investimet në radhë të parë), por, gjithsesi, me pasoja jo të pakta edhe politike.

Reklama e sponzorizuar

Sado që autoritetet e republikës, pushteti aktual, por edhe njohës të zhvillimeve politike në vend dhe përtej, kaherë kanë pohuar dhe vazhdojnë të këmbëngulin se të gjitha parakushtet e vendosura nga BE-ja, janë përmbushur në tërësi, masat ndaj Kosovës vazhdojnë të mbeten, të veprojnë dhe të kenë ndikim në ekonominë dhe në jetën e kosovarëve. Qeveria e Kosovës ka insistuar disa herë se ajo i ka përmbushur kërkesat, dhe se situata në veri të Kosovës është shtensionuar, serbët e Kosovës kanë pasur mundësi të votojnë për shkarkimin e kryetarëve të komunave dhe tash, sipas tyre, nuk ka më arsye që të mbahen këto masa.

Kosova është në pritje të kahershme disa mujore të heqjes së këtyre sanksioneve, sikundër që vazhdon të jetë ende në pritje të raportit të përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, për hapat që ka bërë në përmbushjen e detyrimeve për heqjen e masave të BE-së ndaj saj. Ky raport ishte planifikuar të dorëzohej më herët, sepse vendet e BE-së kishin kërkuar që kjo të bëhet “sa më parë që të jetë e mundur”, por ishte shtyrë për shkak të gjoja “veprimeve të autoriteteve të Kosovës për mbylljen e objekteve të Bankës Kursimore postare të Serbisë në pjesën veriore të Kosovës”, sado që edhe në BE, edhe përtej e vlerësojnë legjitime kërkesën dhe vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës, për përdorimin e euros në tërë territorin e vendit.

Siç dihet, më 20 maj, autoritetet në Kosovë kanë kryer një operacion policor ndaj institucioneve financiare serbe në veri të Kosovës, që ka rezultuar me mbylljen e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Pretekstet e heshtura, por edhe të bëra publike nga BE-ja për mosheqjen e këtyre masave nuk kanë qenë të pakta, edhe pse zyrtarë të BE-së, sa e sa herë, janë deklaruar deri më tani, se së shpejti do të vendoset, do të merret vendimi pra, për heqjen e ndëshkimit ndaj Kosovës. Dhe, ato vazhdojnë të jenë ‘gurë në qafë’ të kosovarëve, që nuk ua kanë as më të voglin faj, por as nuk ua kanë as për borxh as BE-së, as botës për këtë ndëshkim, thuaja unikal në historinë e botës, për t’u ndëshkuar, praktikisht, viktima në vend të keqbërësit.

Javën që shkoi u ripërsëritë në zyrat e BE-së në Bruksel sa e sa herë, se në javën që vjen (në këtë javë, pra që tashmë ka kaluar gjysma e saj), do të dihet për raportin, që nënkupton vendimin. U tha edhe publikisht se përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, pritet që javën e ardhshme (është fjala për këtë javë, pra) të dorëzojë raportin për hapat që ka bërë Kosova në përmbushjen e detyrimeve për heqjen e masave të BE-së ndaj saj. Një raport të tillë nga shefi i diplomacisë së BE-së e kishin kërkuar vendet anëtare në mënyrë që të vlerësohet nëse janë pjekur kushtet që Kosovës t’i hiqen masat. Por, prapë po ndodhë pa shpjegim të qartë zvarritja.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha sërish se raporti së shpejti do t’i paraqitet shteteve anëtare të BE-së, por pa dhënë një datë të caktuar.

“Jo, raporti nuk është dorëzuar ende dhe asnjëherë nuk kemi shpallur një datë se kur do të bëhet saktësisht kjo. Në konkluzionet e tij të 12 dhjetorit 2023, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme rikujtoi se BE-ja është e gatshme të heqë masat ndaj Kosovës në rast të përparimit të mëtejshëm në përmbushjen e kërkesave të BE-së të shprehura në deklaratën e 3 qershorit 2023. Këshilli (Shtetet Anëtare të BE-së) ftoi Përfaqësuesin e Lartë Borrell që të prezantojë një raport mbi përmbushjen nga Kosova të kërkesave të BE-së. Raporti është ende duke u finalizuar dhe së shpejti do t’i paraqitet Shteteve Anëtare në Këshill”, tha Stano së fundi për medien.

Ndërkohë, kosovarët, edhe njerëzit e rëndomtë, edhe politikanët, çdo ditë e më shumë e shprehin revoltën e tyre për këtë “padrejtësi” ndaj Kosovës.

“Çdo ditë që vonohet heqja e masave i bëhet një padrejtësi shtesë Kosovës. Ka qenë gabim vendosja, jo që i ka penguar Kosovës sa i përket edhe realizmit të fondeve karshi mundësive qe i janë dhënë Kosovës, por si të tilla kanë qenë të gabuara dhe ato do të hiqen shumë shpejtë dhe shkojmë tutje.. Çdo ditë që po vonohet është dëm jo karshi funskionimit të shtetit por karshi vlerave që ka vetë BE. Kosova ka bërë gjithë hapat për deeskalim të situatës në veri në këtë drejtim. Kane qenë të panevojshme, të padrejta dhe duhet të hiqen, nëse nuk hiqen nuk është mirë sepse kemi plotësuar gjitha kërkesat e BE-së”, ka thënë për medie deputeti nga VV-ja Visar Korenica.

Se masat ndaj Kosovës duhet të hiqen e thonë edhe në të gjitha subjektet opozitare.

Duhet thënë se masat ndëshkuese të BE-së, tashmë 12 muaj e sa pas aplikimit (BE ka aplikuar masat ndëshkuese ndaj Kosovës në maj të 2023-tës), kanë prodhuar efekte dhe pasojat e tyre janë të prekshme, pavarësisht se kjo nuk është theksuar edhe aq publikisht, sidomos nga autoritetet e vendit. Masat ndëshkuese të BE-së kanë ndikuar tashmë në mbarë ritmet e zhvillimit ekonomik, dhe sidomos në përmbushjen e shumë parashikimeve dhe të afateve konkrete të realizimit të projekteve të ndryshme investuese.

Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës (sanksione të shprehura në stopimin e shumë zotimeve financiare, ndaljen pa shpjegime të hollësishme të projekteve të shumta të mbështetura pjesërisht ose tërësisht financiarisht nga institucione të ndryshme ndërkombëtare financiare), sado që janë kryekëput me motive politike, tashmë po shpërfaqin edhe ndikimin e drejtpërdrejtë dhe të tërthortë në zhvillimet ekonomike të vendit.

Njohësit e rrethanave por edhe burime të sigurta të Buletinit Ekonomik, nuk e fshehin vlerësimin se nga këto masa ka pasoja jo të pakta Kosova, sidomos në sektorin e investimeve, e veçmas të investimeve të jashtme. Sipas tyre, sanksionet ose masat, si rrjedhojë e zhvillimeve politike në veri të vendit, kanë bërë që investitorët ndërkombëtarë të hezitojnë ta investojnë kapitalin e tyre në Kosovë, madje edhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Por, veç këtij hezitimi të tejdukshëm, në disa raste, mjete të shumta nga grante të ndryshme të dedikuara për Kosovën nga bashkësia ndërkombëtare dhe sidomos nga shtetet e BE-së që me aplikimin e masave pa sqarime fare, kanë mbetur të pashfrytëzuara për shkak të ngrirjes së tyre nga zotuesit. Nga këto masa vazhdon të vuaj sektori i energjetikës, projekte të shumta të proklamuara tashmë të kapaciteteteve të energjisë së ripërtëritshme (sosh solare, apo nga era), të parapara në kuadër të zbatimit të tranzicionit energjetik në Kosovë, që ka për qëllin parësor dekarbonizimin e Kosovës. Në këtë kuadër, Kosova ka planifikuar të investojë 1.2 miliardë euro për të ndërtuar kapacitete 950 megavatësh, siç parashihet me “Pakon Investive të Energjisë në Kosovë 2023-2025”, por mbetet shumë e paqartë se si do t’i sigurojë këto para nën ‘regjimin” e sanksioneve ekonomike, që po dalin të jenë të ashpra dhe me pasoja të rënda për Kosovën e varfër.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka përsëritur sa herë për medien se mbi 300 milionë euro është vlera e projekteve të pezulluara që duhej të financoheshin nga Bashkimi Evropian.

“Të gjitha këto projekte kanë qenë të parapara të implemetohen si projekte kapitale që kishin me shku drejtpërdrejt në të mirë të zhvillimit ekonomik por edhe të ngritjes së një mirëqenie sociale për qytetarët e Kosovës. E dyta është pamundësia e Kosovës ose moslejimit të Kosovës që të përfitojë prej fondeve të ndryshme të Bashkimit Evropian, siç ishte fondi për digjitalizim ku të gjitha vendet e rajonit morën pjesë, kurse Kosova u përjashtua për shkak të masave të cilat i ka në fuqi”, tha zoti Rafuna.

Sidoqoftë, tani, shumë vrojtues shprehen se BE-ja as vet nuk e ka të qartë çka po do dhe çka po kërkon me këto masa. Sipas tyre, më herët dëgjoheshin zëra se masat janë të ndërlidhura me zgjedhjet në veri të Kosovës, përkatësisht se ato do të zgjasin derisa të zgjedhen kryetarët e katër komunave nga komuniteti serb i atjeshëm. Dhe, siç dihet, votimi për heqjen nga pozita e kryetarëve shqiptarë u bojkotua nga vet serbët.

Po kështu, masat që ndërlidheshin edhe me kthimin e tokave Manastirit të Deçanit, nuk kanë pse të vazhdojnë pas kthimit të këtyre tokave. Bashkimi Evropian siç dihet, kishte kërkuar uljen e tensioneve në veri të vendit përmes një plani që parashihte pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës, në mënyrë që të pezullohen masat. Por, të gjitha këto kërkesa janë plotësuar tërësisht vetëm nga autoritetet e Kosovës, të cilët nuk prajnë së thirruri Bashkimin Evropian që të hiqen masat ndëshkuese meqë janë përmbushur kërkesat evropiane. Po kështu, kërkesë e vazhdueshme e zyrtarëve të Kosovës është që rruga e integrimeve evropiane të mos kushtëzohet me dialogun me Serbinë.

“Është një qëndrim i vendosur që masat të hiqen sa më shpejt që është e mundur, por më e rëndësishmja duhet të jetë që procesi i dialogut duhet të ndahet nga procesi integrues i Kosovës në Bashkimin Evropian, në mënyrë që ne si vend të përqendrohemi në avancimin e aspiratës për integrim”, ka thënë shumë herë zëvendëkryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Se si do të zhvillohet më tutje situata e krijuar nga masat ndëshkuese, mbetet të shihet. Analistë dhe vrojtues të këtyre zhvillimeve kryekëput politike dhe me pasoja të rënda ekonomike, shpresojnë që heqja e sanksioneve të mos mbetet vetëm në “duart” e zëdhënësit dhe vetëm të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri. /Buletini Ekonomik/