Mungojnë fare, ose janë fare pak, minimalisht prezente në tregjet tona, qershitë, që sivjet kanë qenë në të gjithë Kosovën me shumë rendiment, mungojnë vishnjet, dredhëzat dhe mjedrrat, për kultivimin e të cilave u dhanë shumë para qoftë donacione, qoftë nga arka e shtetit.
Buletini Ekonomik
Stina e verës veç sa nuk ka trokitë në dyert tona, saktësisht edhe 10 ditë kanë mbetur që stina jonë e preferuar për shumëçka, ndër të tjera, deri tash, edhe për mbërritjen e shumë produkteve tona bujqësore (të pemëve dhe perimeve, pra) në raftet e tregjeve, por edhe të marketeve dhe supermarketeve të shumta të Kosovës. Por, ato, edhe pse disa prej tyre e kanë kulmin e sezonit, mungojnë në tregjet tona.
Mungojnë fare, ose jane fare pak, minimalisht prezente në tregjet tona, qershitë, që sivjet kanë qenë në të gjithë Kosovën me shumë rendiment, mungojnë vishnjet, dredhëzat dhe mjedrrat, për kultivimin e të cilave u dhanë shumë para, qoftë donacione të ndryshme, qoftë grante falas, dhe që në vitin e parë, ose shumë- shumë në dy-tre vitet e para pas kultivimit të tyre, u mbushën tregjet tona.
Tani, këto produkte humbën, u tretën para syve tanë. Thuaja se nuk i pamë në tregjet tona.
“Arat me mjedrra, kanë pasur jetë të shkurtër. Vetëm dy-tre vjet pas kutivimit të tyre, në shumë rajone të Kosovës, sidomos në ara të shumta të komunës së Podujevës, ato u zhdukën. U lanë të papunuara dhe të pa mirëmbajtura dhe tani ekzistojnë toka të pakta me këto pemë. Si duket, shpejtë u bë problem çmimi i tyre, që fillimisht ishte tërheqës dhe më pastaj u ulë përtej çdo parashikimi dhe si rrjedhojë edhe plasimi i tyre në tregjet tona”, rrëfen një tregtar i vjetër prishtinas, i cili në raftet e tij në Tregun kryesor të kryeqytetit, kishte ekspozuar edhe ca kilogram qershi, për të cilët, ai nuk është i sigurtë se a janë të importuara, apo janë vendore.
Por, ai thotë se, aneembanë Kosovës sivjet, qershitë kanë qenë të stërmbushura me fruta dhe kanë pasur rendimente rekorde. Sipas tij, nuk ka kush t’i vjelë frutat e qershive as të vishnjeve, prandaj mungojnë në tregjet e vendit.
Tani, siç u tha më lartë nuk as mjedrra në tregjet e Kosovës. Bujqit hoqën dorë shumë shpejtë dhe lehtësisht nga to. Fillimisht u kontestua ulja e çmimit nga grumbulluesit, dhe tani është evidente edhe mungesa e krahëve të punës për t’i vjelë ato. Dhe, po të shikohen edhe këtyre ditëve, fare pranë ardhjes edhe me kalendar të stinës së verës, raftet e tregjeve të gjelbra në Prishtinë, dhe në qendrat e tjera komunale, si dhe në marketet dhe supermarketet tona që tregtojnë produkte bujqësore, vërehet se bujqësia kosovare është duke u përballë me probleme serioze, dhe si rrjedhojë produktet bujqësore vendore janë rralluar dhe gjithnjë e më pak arrijnë te konsumatori ynë. Nuk ka qershi, as vishnje as dredhza e mjedrra të bujqve tanë, sepse janë të pakta sipërfaqet e mbjella me to. Tani nuk ka edhe punëtorë, sepse shumë prej tyre kanë ikur në Evropë.
Ende nuk ka mjaftueshëm as qepë vendore, pos atyre të lidhura në “tuba”, e mos të flasim për domatet dhe specat, që kanë vërshuar, ç’është e vërteta tregjet tona, por që janë të gjitha nga importi, kryesisht nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe nga Turqia. Mungon në tregjet tona spinaqi i kultivuar në kopshtijet e Kosovës, mungon brokoli, madje edhe lakra e ashtuquajtuar “e re”, që do të rritej kudo në Kosovë, është me origjinë nga Shqipëria.
Në tregjet tona mungon fasulja vendore, prandaj një kilogram i këtij produkti të importuar, gjithsesi, ka kohë që tregtohet me 6 euro. Fasulja e cilësisë së mirë, edhe të mërkurën (më 11 qershor) në tregun kryesor të gjelbër të kryeqytetit tregtohej me çmimin 6 euro kilogrami. Praktikisht, nga prodhimet vendore, bien në sy dhe dominojnë vetëm trangujt që prodhohen me shumicë në kopshtijet e kosovarëve, në rajonin e Prizrenit dhe të Mamushës, që kanë çmim 50 e 60 centë kilogrami dhe shquhen për nga cilësia, pamja imponuese dhe shija e mirë e tyre. Ndërsa duhet thënë se sado që dominojnë produktet e importuara bujqësore, çmimi i tyre, tani, këtyre ditëve është goxha i ulur krahasuar me javë më parë dhe si i tillë i pranueshëm për shumicën e konsumatorëve.
Tregjet e gjelbra në Kosovë, në njëfarë mënyre, sivjet i kanë bërë ballë hoveve të ngritjes së çmimeve nga tregtarët e produkteve të tjera, së paku krahasuar me dy – tre vjetët e fundit. Në to, në këto ditë është ulur ndjeshëm çmimi i domatës, specit, trangujve, dhe sidomos i lakrës, por edhe i patates, qepëve dhe të ca produkteve të tjera bujqësore. Ka ditë që nuk pati ndonjë lëvizje të madhe çmimesh, sado që shumica e perimeve janë nga importi.
Çmimet e produkteve bujqësore në Kosovë “hypin në qiell” sidomos në fund të gushtit dhe gjatë tërë shtatorit, periudhë e njohur dhe e identifikuar që moti si “kohë e turshive”, kur qytetarët ngarendin në tregjet e gjelbra për të përmbushur nevojat e tyre me perime, thuaja të të gjitha llojeve, për të bërë turshitë tradicionale për familjet e tyre. A do të ndodhë sivjet kjo, mbetet të shihet. Do varet shumë nga oferta e kopshtarëve vendorë.
Por, në vitin e kaluar dhe në disa vite të tjera të mëhershme, te ne në gusht dhe në shtator ka ndodhur ngritje enorme e çmimeve thuaja e të të gjitha produkteve bujqësore, sidomos i perimeve, pa dallim a ishte prodhimi nga arat vendore apo nga importi. Ndodhën çmimet stratosferike të specave, domateve, trangujve, hudhrës, majdanozit dhe të produkteve të tjera të nevojshme dhe të përdorura për turshitë.
Sipas tregtarëve, Kosova nuk ka sasi të mjaftueshme të pemëve dhe perimeve, as të stinës, për të përmbushur nevojat e qytetarëve të vet.
Tani, problemet e agrarit kosovar i ndërlikon edhe më shumë mungesa e punëtorëve. Këtë e tregon e dhëna për qershitë. Ka shumë qershi në Kosovë, ka edhe rendimente të mira dhe cilësi të imponueshme të tyre, por nuk ka kush t’i vjelë, prandaj mungojnë në treg. Mungesa e shumë produkteve vendore bujqësore në tregjet tona, gjithsesi, do të duhej të reflektonte te autoritetet dhe vendimmarrësit në bujqësinë kosovare, por edhe te shumë kosovarë që kanë lënë tokat e tyre djerrë. Tani, kultivimi i perimeve dhe pemëve është fitim, është mirëqenie dhe sjellë të ardhura të mira familjare. Të gjitha perimet e sipërpërmendura i “bën” dhe i rritë toka shumicë e Kosovës. Vetëm në dhjetëra ari të bëhej kultivimi i tyre në tokat djerrë dhe në kopshtijet e reduktuara, sot do të kishim më shumë prodhime vendore nga agrari, por edhe fitime të shtuara familjare. /Buletini Ekonomik/