Temperaturat “afrikane’ rrisin 10 për qind konsumin e rrymës në Kosovë

Këtyre ditëve me temperatura ekstremisht të larta, konsumi mesatar ditor në Kosovë ka shkuar në 12.550 megavatë-orë, që nëse krahasohet me ditët e para të këtij muaji (qershorit, pra), i bie që shpenzimi i rrymës në vend ka shënuar rritje diku rreth 10 për qind.

Buletini EKonomik

Në pikun e verës, por me ditë me temperatura ekstremisht të larta dhe përtej normales së ditëve të ngrohta, në Kosovë gjatë 15-20 ditëve të fundit është rritur ndjeshëm konsumi i energjisë elektrike. Qytetarët, gjithandej vendit, kushtimisht kanë qenë të detyruar të angazhojnë të gjjitha mjetet në dispozicion për freskimin e shtëpive të tyre. Kanë aktivizuar stabilimente të ftohjes së ambienteve, të klimatizimit, të freskimit të domosdoshëm të shtëpive dhe banesave, dhe si rrjedhojë, natyrisht, është shtuar ndjeshëm shpenzimi i energjisë elektrike.

Reklama e sponzorizuar

Sipas të dhënave të KEDS/KESCO, gjatë këtyre ditëve në konsumin e Kosovës është shpenzuar dikur rreth 10 për qind më shumë energji elektrike, se sa kur në vend kanë mbajtur temperatura më normale.

Margarita Rashiti, zëdhënëse në KESCO i ka thënë Buletinit Ekonomik se tani, në këto temperatura ekstremisht të larta, konsumi mesatar ditor në Kosovë ka shkuar në 12.550 megavatë-orë, që nëse krahasohet me ditët e para të këtij muaji (qershorit, pra), i bie që shpenzimi i rrymës në Kosovë ka shënuar rritje diku rreth 10 për qind.

Megjithë këtë rritje të konsumit të energjisë elektrike, sistemi elektroenergjetik i vendit ka funksionuar relativisht mirë. Ka pasur furnizim stabil dhe pa ndërprerje, dhe në ndonjë orë të pikut, kur është shtuar shpenzimi i rrymës dhe prodhimi vendor nuk ka mjaftuar të përmbushë nevojat e konsumit të rritur, Kosova edhe ka blerë energji elektrike nga ALPEX, një treg i kahershëm i blerjes së rrymës në raste të nevojave .

Ndërkohë, zyrtarë të KEK-ut kanë njoftuar se përkundër temperaturave të larta, është arritur të mbahet prodhimi i zakonshëm në këta muaj. Edhe këtyre ditëve në prodhim gjenden dy blloqe të termocentraleve Kosova A (A3 dhe A5 me gjithsej 260 megavatë-orë) dhe dy njësitë e termocentraleve Kosova B, (B1 dhe B2) me gjithsej rreth 520 megavatë-orë, ose secila njësi me 260 megavatë. Kur t’i shtohen kësaj sasie të rrymës së prodhuar nga termocentralet e KEK-ut (rreth 780 megavatë) edhe disa dhjetëra megavatë nga kapacitetet prodhuese të energjisë së rinovueshme (sasia e prodhuar në stabilimentet e energjisë me erë në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Kamenicës si dhe në disa minihidrocentralet ekzistuese në vend), del që Kosova duhet të ketë diku rreth 800 deri në 850 megavatë energji elektrike të veten.

Sipas zyrtarëve të KEK-ut, kjo sasi, edhe përkundër rritjes së shpenzimit të rrymës, është e mjaftueshme për ta mbajtur stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të vendit dhe furnizimin pa ndonjë problem të theksuar. /Buletini Ekonomik/