Vjena konsiderohet si një prej qyteteve më të bukura në botë, dhe bashkë me këtë është edhe një vend i pamposhtur sa i përket cilësisë së jetesës, përcjell albinfo.at.
Kryeqyteti austriak është kurorëzuar si qyteti më i jetueshëm në botë përsëri, në një listë të përpiluar nga Njësia e Inteligjencës Ekonomike (EIU), e cila është publikuar të mërkurën, raporton CNN.
EIU, e cila është një organizatë motër e “The Economist”, ka rankuar 173 qytet nga i gjithë globi, duke marrë parasysh një varg faktorësh, përfshirë kujdesin shëndetësor, mjedisin, stabilitetin, infrastrukturën dhe edukimin.
Vjena kryeson listën për të tretin vit radhazi, duke marrë pikë “perfekte” në katër nga pesë kategori.
Qyteti megjithatë është vlerësuar me më pak pikë sa i përket kulturës dhe mjedisit për shkak të mungesës së dukshme të ngjarjeve të rëndësishme sportive.
Pas Austrisë, kryeqyteti i Danimarkës, Kopenhaga është radhitur e dyta, derisa Cyrihu i Zvicrës ka lëvizur nga pozita e gjashtë, në të tretën në listë.
Melburni i Australisë është radhitur i treti nga pozita e katërt që kishte më parë, derisa qyteti kanadez Calgary është renditur në pozitën e pestë. Gjeneva e Zvicrës ka fituar pozitën e gjashtë, e pasuar nga Sidnei i Australisë, Vancouveri i Kanadasë, Osaka e Japonisë dhe Aucklandi i Zelandës së Re. Këto qytete përmbyllin 10-shen e qyteteve më të jetueshme.
Ndërsa Evropa Perëndimore performoi mirë, me 30 qytete që shënuan një rezultat mesatar prej 92 nga 100, rajoni pa një rënie të përgjithshme në rezultatet e stabilitetit, gjë që i atribuohej “rasteve në rritje të protestave përçarëse” dhe krimit.
Amerika e Veriut arriti rezultatin mesatar më të lartë për arsim. Megjithatë, notat për infrastrukturën ishin më të ulëta se vitin e kaluar në Kanada për shkak të “një krize akute strehimi”, e cila ka prekur disa rajone.
“Situata është veçanërisht shqetësuese në Australi dhe Kanada, ku disponueshmëria e pronave me qira është në nivelin më të ulët historik dhe çmimet e blerjes kanë vazhduar të rriten pavarësisht rritjes së normave të interesit”, thuhet në raport.
Kryeqyteti i Mbretërisë së Bashkuar, Londra, u rendit si qyteti i 45-të më i përshtatshëm për të jetuar në botë.
Në Azi, Hong Kongu pa përmirësimin më të madh të rezultateve që nga viti i kaluar, duke u ngjitur nga vendi i 61-të në të 50-tin, falë një përmirësimi në rezultatet e tij të stabilitetit dhe kujdesit shëndetësor.
Qytetet e Emirateve të Bashkuara Arabe panë disa nga rritjet më të mëdha të rezultateve këtë vit, me Abu Dhabi dhe Dubai që u ngjitën në listë, dhe Riadi, Jeddah dhe Al Khobar i Arabisë Saudite gjithashtu duke shënuar përparime të dukshme.
Ndërkohë, Tel Avivi i Izraelit përjetoi një nga rëniet më të mëdha, duke rënë me 20 vende në vendin e 112-të për shkak të luftës Izrael-Hamas.
Indeksi Global i Jetesueshmërisë së vitin 2024: 10 qytetet më të mirat
- Vjena, Austri
- Kopenhaga, Danimarkë
- Cyrih, Zvicër
- Melbourn, Australi
- Calgary, Kanada
- Gjeneva, Zvicër
- Sidnei, Australi
- Vancouver, Kanada
- Osaka, Japoni
- Auckland, Zelanda e Re