Zyra e Rregullatorit për Energji ka njoftuar se Kosova për herë të parë pas nënshkrimit të Traktatit të Athinës në vitin 2005 merr udhëheqjen e Presidencës së ECRB.
Sipas njoftimit, thuhet se Bordi Rregullativ i Komunitetit të Energjisë ka zgjedhur kryesuesin e ZRRE-së, Ymer Fejzullahun si President të ri të ECRB-së.
“Bordi Rregullativ i Komunitetit të Energjisë (ECRB), pas dështimit në përzgjedhjen e Presidentit ne dy takimet e rregullta, në takimin e tij të jashtëzakonshëm të mbajtur më 05.06.2024 në Athinë, pas disa raundesh votimi, ka zgjedhur Kryesuesin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu si Presidentin e ri të ECRB-së. ECRB është organi i pavarur rajonal i rregullatorëve të energjisë në Komunitetin e Energjisë, dhe drejtohet nga Bordi i përfaqësuesve të nivelit të lartë nga agjencitë kombëtare rregullatore të energjisë të palëve kontraktuese, vëzhguesve dhe pjesëmarrësve të Komunitetit të Energjisë”, thuhet në njoftim.
ZRRE shton se mandati i Fejzullahut si President i ECRB është në kohëzgjatje prej dy vitesh.
“Presidenti i ECRB-së ka një rol unifikues dhe vepron për të siguruar që të gjithë anëtarët dhe pjesëmarrësit e ECRB-së të punojnë me një qëllim të përbashkët për të përmbushur rolet e tyre sipas Traktatit të Komunitetit të Energjisë”, thuhet në njoftim.
Në fjalën e tij me rastin e pranimit të detyrës se re, Fejzullahu falënderoi të gjithë për besimin e dhënë me rastin e përzgjedhjes si President i ECRB-së.
“Është nder dhe privilegj për mua por njëkohësisht është edhe përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe udhëheqja e ECRB-së. Shkëmbimi i njohurive dhe përvojave rregullative është theksuar si asnjëherë më parë në vitet e fundit kur të gjitha shtetet tona kanë kaluar një krizë të paprecedentë energjetike, por me përvojën që kemi ndare me njëri-tjetrin ia kemi dalur mbanë të tejkalojmë këtë krizë me pasoja minimale.
Tani para nesh, ndër tjerash, kemi transpozimin e paketës së fundit të Direktivave Evropiane të Energjisë si dhe zbatimin e saj, dhe kjo do të sjellë shumë sfida, por besoj shumë se me ndihmën dhe kontributin e secilit prej nesh do t’i tejkalojmë së bashku”, ka deklaruar Fejzullahu.