Ankohen fermerët, migrimi po shkakton ngecje në zhvillimin ekonomik

Kosova ka mundësi të mëdha për blegtori dhe për këtë fushë, nuk ka munguar as mbështetja institucionale. Megjithatë, sfidë për zhvillimin e kësaj dege mbetet zhvendosja nga fshati në qytet, por edhe migrimi i të rinjve drejt shteteve perëndimore.

Nga Gjermania, Naim Demolli ishte kthyer në vendlindje në Kamenicë për të investuar në ngritjen e stallës së lopëve, por në mungesë të mbështetjes institucionale, është detyruar të ndërpresë veprimtarinë.

Tokën e privatizuar, Demolli e lëshoi me qira, ndërsa liroi punëtorët për shkak të mbylljes së fermës.

Reklama e sponzorizuar

Demolli thotë se shteti duhet të kujdeset për fermat.

“Ministria e Bujqësisë duhet me shkuar me i përcjellë fermerët çka punojnë, jo me këqyr dokumente…me përcjell kush po punon”, theksoi ai për RTK.

Zyrtarë të Komunës së Kamenicës thonë se janë të përkushtuar t`i mbështesin fermerët.

“Bujqësia kërkon fuqi fizike dhe moshë kryesisht të re e largimi po ndodh kryesisht i moshës së re…dhe kryesisht ndikon edhe në familje. Sigurisht edhe kjo ndikon ndoshta në pakësimin  e punës dhe pakësimin e kafshëve dhe sipërfaqeve të punuara”, Shpend Morina, drejtor për Bujqësi, Kamenicë.

Morina thotë se migrimi është problem që po e përcjell vendin.

“Familjet të cilët i kanë pasur të rinjtë këtu deri në një kohë kanë pasur kapacitete e prioritete më të mëdha, ndërsa disa prej tyre kanë zvogëluar kapacitet për shkak të mungesës së fuqisë punëtore”, tha ai.

Edhe zvogëlimi i kapaciteteve prodhuese në bujqësi është evident si pasojë e migrimit të të rinjve.