Çmimet e derivateve në vendin tonë kanë shënuar rritje këto ditë mbi pesë centë për litër. Çmimi për një litër naftë sot ka kushtuar deri 1 euro e 39 centë, ndërsa një litër benzinë tregtohet deri në 1 euro e 31 centë në tregun e Kosovës.
Çmimet e derivateve ngriten për çdo vit në kohën e pushimeve kur vijnë në Kosovë bashkatdhetarët si dhe në sezonin e korrje-shirjeve për mekanizimin bujqësor.
Sipas Shoqatës së konsumatorëve, çmimi i naftës është ngritur në kohën e ardhjes së bashkatdhetarëve dhe në fushatën e korrje-shirjeve. Ndonëse, naftëtarët mohojnë se kjo rritje e çmimeve ka ndodhur për mërgimtarët dhe bujqit.
Kryetari i shoqatës së naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani ka thënë për KosovaPress se çmimi për një litër naftë sot është nga 1.28 euro-centë deri 1.38 euro centë, ndërsa ai për benzinë 1 euro e 31 centë.
Kryetari Berjani pretendon se çmimet e karburanteve janë më të lira në Kosovë se në rajon, përveç Maqedonisë së Veriut.
Kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku thekson për KosovaPress se ekziston mundësia se për arsye të ardhjes së bashkatdhetarëve në pushime në vendlindje, dhe nisjes së fushatës së korrje-shirjeve të shtrenjtohen derivatet nga naftëtarët.