ATK në aksion, bizneset kontrollohen për kuponë fiskalë dhe regjistrim të punëtorëve

Administrata Tatimore e Kosovës ka krijuar një grup operativ për muajt e verës për të luftuar evazionin fiskal.

Grupi operativ apo ‘Task Forca’, është krijuar me vendim të drejtorit të përgjithshëm të ATK-së, me qëllim të luftimit të evazionit fiskal te bizneset që llogariten të kenë qarkullim të madh.

Gjatë vikendit të kaluar cak i inspektimeve ishin pishinat dhe bizneset që operojnë brenda tyre. Inspektori Ndriçim Çerkini, tregon se pse pikërisht janë zgjedhur pishinat.

Reklama e sponzorizuar

“Pas suksesit që kemi pasur vitin e kaluar si grup operativ, me vendim të drejtorit edhe këtë vit është krijuar ‘Task Forca’, e cila do të vazhdoj gjatë gjithë muajve të verës. Sot do inspektojmë pishinat sepse edhe koha është me diell dhe ditë vikendi prandaj frekuentohen nga shumë klientë, do i kontrollojmë për kuponë fiskal dhe për regjistrimin e punëtorëve” – thotë Çerkini.

Në hyrje të pishinës së parë inspektorët kërkojnë raportin ‘X’ të arkës fiskale dhe fillojnë kontrollimin e tavolinave se a janë të pajisura me kuponë fiskalë. Pasi kanë evidentuar se të gjitha tavolinat nuk kanë kupon fiskal inspektorët fillojnë t’i pyesin edhe klientët se a u është afruar kuponi fiskal.

Menaxherit i bëhet me dije se disa tavolina dhe çadra të pishinës nuk kanë kupon fiskal, dhe se obligohet t’i shërbej me kupon të gjithë mysafirët në prezencën e inspektorëve. Pasi ka përfunduar shpërndarja e kuponëve fiskalë përsëri kërkohet nxjerrja e raportit nga arka fiskale e cila më pas e dëshmon se sa kuponë janë shmangur dhe nuk u janë ofruar klientëve në momentin e porosisë.

Të dhënat nga raporti i hartuar brenda kësaj pishine do përcillen te zyra e ATK-së e cila merret me shqiptimin e gjobave. Kontrolli në pishinën e parë ka përfunduar, inspektorët nga regjioni i Prishtinës nisen në regjionin e Ferizajt, ku edhe atje do të inspektojnë pishinat.