Corrwatch: Trepça, Infrakosi, Trainkosi dhe Posta operuan me humbje më 2023

Katër nga tetë ndërmarrjet publike kyçe në Kosovë kanë operuar me humbje financiare në vitin 2023, sipas një infografike të publikuar nga “CorrWatch”, konsorcium i organizatave të shoqërisë civile (GLPS, GAP dhe INDEP).

Infografika bën të ditur se ndërmarrja Trepça është ajo që operon me më së shumti humbje, rreth 5.4 milionë euro në vitin 2023. Sipas “CorrWatch”, kjo ndërmarrje operoi me humbje edhe pse u subvencionua me 8.4 milionë euro nga Qeveria po atë vit.

Në humbje janë edhe Infrakosi, Trainkosi dhe Posta e Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

Për dallim nga Trepça që një vit më herët ishte me operime pozitive, Posta ka kaluar nga 1.4 milionë euro humbje në vitin 2022 në 44 mijë euro humbje në bilancin e vitit 2023.

Trainkosi në vitin 2022 kishte rreth 850 mijë euro humbje, më 2023 humbjet ishin 272 mijë.

Infrakosi në vitin 2022 pati 281 mijë euro humbje e më 2023 684 mijë.

Trend pozitiv ka treguar Telekomi i Kosovës i cili ka shënuar fitim shtatë milionë euro gjatë 2023-s. Siç ka shkruar “CorrWatch” në një postim në Facebook, te kjo ndërmarrje vërehet ulje e ndjeshme e shpenzimeve veçmas te kategoria e pagave. Telekomi nuk ka marrë subvencione më 2023.

Rënie të ndjeshme të fitimit gjatë vitit 2023 pati edhe Korporata Energjetike e Kosovës. Sipas “CorrWatchit”, kjo ka ndodhur për shkak të rënies së vlerës së energjisë së eksportuar nga KEK-u. Niveli i fitimit vjetor në KEK ka qenë më i ulët edhe se në vitet e mëhershme.