Fermeri nga Podujeva: Që 30 vjet s’kemi pasur rendimente më të mira se këtë vit

Fermeri nga Podujeva, Malsor Sejdiu, ka thënë se këtë vit rendimentet kanë qenë më të mirat në 30 vitet e fundit.

Ai, në  TV Dukagjinit, tha se klima ka qenë një nga faktorët kryesorë për rritjen e rendimentit.

“Mos të them rekorde, por 30 vjetët e fundit nuk mendoj që ka pasur rendimente më të mira se këtë vit. Një ndër faktorët është klima, edhe njeriu, njëra pa tjetrën nuk bën. Nëse nuk ishte klima, s’do kisha mundim të bëjmë. Gjithkund ka rendiment, jo vetëm në Podujevë. Dje kemi korri 6.5 tonë, sot në fshatin Dumnicë, deri në 7 mijë e 200 kg ka dalë hektari”, tha ai.

Reklama e sponzorizuar

Ndryshe, ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka thënë se për herë të parë pas luftës Kosova siguron bukën e motmotit.

“Të dhënat nga terreni tregojnë se fatbardhësisht për herë të parë në historinë e Kosovës së pasluftës ne sigurojmë bukën e motmotit. Një angazhim i tillë është falë përkrahjes së qeverisë, punës së zellshme të fermerëve dhe begatisë prej Zotit”, tha ai.

Ministri i Bujqësisë tutje tha se kjo është edhe një tregues i qartë se me angazhim të sinqertë dhe punë meritore nuk ka objektiv që nuk arrihet.