Hulumtimi i Buletinit për skemën kartel në sigurime, AKRK nis hetimet

Autoriteti i Konkurrencës ka nisur hetime për tregun e sigurimeve në Kosovë, një ditë pas publikimit të hulumtimit disamujor të Buletinit Ekonomik, që zbardhë një skemë kartel në këtë industri. Kjo është procedura e tretë hetimore që ky institucion pritet ta zhvillojë për këtë industri që nga viti 2009.

Në dy rastet e para ishin konstatuar shkelje flagrante të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës me rastin e shitjes së sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia (TPL). Por tash, hetimet pritet të zgjerohen edhe për dyshimet për një skemë kartel në komplet industrinë.

Sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, një skemë kartel është kur subjektet në një treg përkatës merren vesh për ndarjen e tregut duke i fiksuar çmimet për qytetarët. Në AKRK i kanë thënë Buletinit se rasti tashmë është protokolluar dhe pritet të vazhdohet me procedurat hetimore.

Reklama e sponzorizuar

Sipas gjetjeve të hulumtimit të Buletinit Ekonomik, tregu i sigurimeve në Kosovë funksionon brenda një skeme të mirëmenduar ku ndahet gjithçka me marrëveshje paraprake mes pronarëve të kompanive dhe ku autoritetet shtetërore qëndrojnë si spektatorë.

Tregun e sigurimeve në Kosovë e përbëjnë 10 kompani, por kur i regjistrojnë veturat qytetarët e Kosovës, nuk kanë mundësi të zgjedhjes së çmimit më të lirë. Të dhjetat e ofrojnë një çmim të vetëm. Krejt kjo – falë dy marrëveshjeve të ndaluara mes kompanive të sigurimeve, njëra e vitit 2009 dhe një tjetër e vitit 2016.

Të dyja këto marrëveshje, që janë pjesë e dosjeve të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK), flasin për fiksim të çmimit në shitjen e sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia (TPL).

Nga hulumtimi disamujor për këtë sektor, del se pronarët e kompanive të sigurimeve nuk kanë marrëveshje vetëm për fiksim të çmimit në sigurimin e veturave. Dokumentet e siguruara dëshmojnë se komplet tregu i sigurimeve në Kosovë funksionon brenda një skeme të mirëmenduar, ku ndahet gjithçka me ujdi paraprake.

E njohur si marrëveshja me fiksimin e pjesëmarrjes së tregut, ky sektor funksionon në atë mënyrë që pronarët e kompanive të sigurimit janë pajtuar për caktimin e përqindjeve (%) që ata do të kenë në fund të vitit financiar, si në sigurimet e detyrueshme (TPL) ashtu edhe në ato vullnetare.

Dhjetë kompani sa janë në treg, veprojnë sipas një parimi tre shkallësh të ndarjes së tregut.

Sipas marrëveshjes, kompanitë e mëdha të sigurimeve, që kanë primatin në shitjen e sigurimeve, do të mbajnë nivelin prej 12% të tregut, kompani të tjera do të mbajnë 10% të tregut, ndërkaq ato më të vogla, do të mbajnë 8% të tregut të sigurimeve.

Kjo marrëveshje nuk nënkupton vetëm ndarjen e “kulaçit” ndërmjet kompanive të sigurimeve, por edhe rritjen e vëllimit të primeve të cilat ndahen nga kjo marrëveshje, e kjo i referohet shprehimisht sigurimeve vullnetare, si dhe TPL-ve kur ofertohen në tender publik. Kjo funksionon përmes menaxhimit të shitjeve përbrenda një sistemi elektronik që kontrollohet vazhdimisht.

Gjatë periudhës së hulumtimit, Buletini Ekonomik ka intervistuar qytetarë të cilëve nga agjentët e kompanive të sigurimeve, në raste të caktuara, u është thënë se “sistemi ka rënë” dhe se nuk mund t’u lëshohet policë sigurimi, duke i udhëzuar të njëjtit që të drejtohen të një kompani tjetër për blerjen e sigurimit.

Në fakt, kjo “rënie e sistemit” nënkupton pikërisht barazimin e numrave sipas marrëveshjes, ashtu që njëra kompani të mos shkojë larg të tjerave në përqindje, por të respektohen shkallët e tyre të caktuara paraprakisht me marrëveshje. Këtë e kanë pohuar në kushte anonimiteti edhe agjentë të sigurimeve që punojnë për kompani të ndryshme të sigurimeve.

Marrëveshja në fjalë me ndarjen e pjesëmarrjes në treg ka garantuar të ardhura të “sigurta” për kompanitë e sigurimit gjithë këto vite. Edhe në rastet e tenderëve publikë, Buletini Ekonomik ka gjetur se nuk zhvillohet asnjë “luftë” që vlera e një kompanie të sigurimeve të mbizotërojë për një lloj sigurimi të caktuar, ngase paraprakisht veçse ka dakordim se cili tender, nga cila kompani e sigurimeve do të fitohet. /Buletini Ekonomik/

Hulumtimi i plotë:

Skema kartel e sigurimeve: Si ndahet tregu mes kompanive?